Lajme nga rajoni
Krijoi profil të rremë me logon e bankës dhe ofronte kredi false — 1 i arrestuar, 2 të proceduar në Tiranë
Goditet një rast të mashtrimit kompjuterik në Tiranë, ku për pasojë u arrestua autori kryesor i rastit, si dhe u proceduan dy të tjerë. Në kuadër të operacionit u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit Orlando Gjoka, 21 vjeç banues në Laç, si dhe u proceduan penalisht, në gjendje të lirë, shtetasit D. G., 23 vjeç dhe E. Gj., 21 vjeç. Shtetasi O. Gj. kishte krijuar një profil të rremë në rrjete sociale, duke përdorur logon dhe emrin e bankës, me qëllim mashtrimin e qytetarëve. Ai kontaktonte qytetarët, përmes platformave të ndryshme online, duke iu ofruar kredi të rreme pranë bankës, ndërsa nëpërmjet aksesit të paautorizuar në llogaritë e tyre bankare, arrinte të boshatiste fondet. Në rastet kur llogaritë nuk kishin para, ai i shtynte qytetarët të depozitonin shuma nga 750 deri në 1 500 euro, me premtimin e rremë të një kredie prej 15 000 eurosh. Falë bashkëpunimit të ngushtë mes ekspertëve të Krimit Kibernetik dhe Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, u bë i mundur ndalimi i autorit kryesor dhe ndërprerja e veprimtarisë së paligjshme. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Mashtrim kompjuterik”, “Ndërhyrje kompjuterike” dhe “Keqpërdorimi i thirrjeve telefonike”.
Lajme nga rajoni
Tronditet Turqia, 35-vjeçari merr leje nga burgu dhe vret nënën, vajzën e tij dhe ish-gruan! I jep fund jetës
Turqia është tronditur nga krimi i rëndë. Mediat raportojnë që një 35-vjeçar i dënuar i quajtur Recep Cengiz mori leje nga burgu dhe vrau nënën e tij, vajzën e tij 8-vjeçare, ish gruan dhe më pas kreu vetëvrasje.
Cengiz kishte marrë një leje 11-ditore nga burgu ku po vuante një dënim katërvjeçar për mashtrim dhe kërcënime me armë.
Krimi ndodhi në lagjen Kuşkagız në Ankara ku 35-vjeçari fillimisht debatoi me nënën e tij 57-vjeçare, Aziz, përpara se ta vriste atë dhe vajzën e tij 8-vjeçare, Azra.
Më pas ai i futi trupat e tyre në bagazhin e makinës së tij dhe shkoi në shtëpinë e ish-gruas së tij, Ukan. Atje, sipas mediave turke, ai u maskua si shpërndarës dhe e vrau atë në hyrje të ndërtesës përpara se të qëllonte veten dhe t’i jepte fund jetës së tij.
Lajme nga rajoni
Kosova përfshihet në listën e vendeve të sigurta të BE-së sipas rregullave të reja të azilit
Parlamenti Evropian ka miratuar të martën ndryshime të rëndësishme në sistemin evropian të azilit që përfshijnë krijimin e një liste të përbashkët të vendeve të origjinës të konsideruara si të sigurta, në të gjithë BE-në.
Midis shteteve të përfshira në këtë listë është edhe Kosova.
Sipas rregullave të reja, vendet si Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, Kosova, India, Maroku dhe Tunizia do të quhen vende të sigurta të origjinës për qytetarët e tyre kur aplikojnë për azil në vendet e BE‑s.
Në praktikë, kjo do të thotë se shtetasit e Kosovës dhe vendeve të tjera që kërkojnë azil në BE mund të përjetojnë procedura të përshpejtuara.
Sipas rregullave të reja, barra e provës do të mbetet mbi aplikantin për të demonstruar se dispozita e vendit të sigurt nuk duhet të zbatohet në rastin e tij specifik, për shkak të një frike të bazuar mirë nga persekutimi ose rreziku i dëmtimit serioz nëse kthehet në vendin e tij të origjinës.
Vendet kandidate për në BE do të konsiderohen gjithashtu vende të sigurta origjine, përveç rasteve kur rrethanat përkatëse tregojnë ndryshe.
Rrethana të tilla përfshijnë dhunë pa dallim në kontekstin e një konflikti të armatosur, një shkallë të njohjes së azilit në të gjithë BE-në për shtetasit e tyre që tejkalon 20%, ose vendosjen e sanksioneve ekonomike në lidhje me veprimet që prekin të drejtat dhe liritë themelore.
Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi pas miratimit përfundimtar nga Këshilli i BE‑së dhe pritet të fillojnë të zbatohen me ligj nga qershori 2026, në kuadër të reformave më të gjera të politikës së migracionit dhe azilit të BE‑së.
Lajme nga rajoni
Mishetiq: Hashim Thaçi është i pafajshëm
Ka nisur seanca gjyqësorë në gjyqin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ku avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi po thotë fjalët e fundit.
Qysh në fjalën e parë, Mishetiq tha se Thaçi është i pafajshëm, transmeton klankosova.tv.
“Me lejoni të them se Hashim Thaçi është i pafajshëm. Ligji juaj e prezumon atë të pafajshëm”, tha Mishetiq.
Ai shtoi se gjykata e Hagës ka dështuar të mbledh prova për të dëshmuar fajësinë e ish-presidentit të Kosovës.

