Lajme nga vendi
Komuna e Tearcës së shpejti bëhet me nënstacion të zjarrfikësve
Kanë filluar përgatitjet konkrete për hapjen e Njësisë Rajonale të Zjarrfikësve në komunën e Tearcës. Nga Komuna e Tearcës kanë bërë të ditur se tashmë është caktuar lokacioni ku do të vendosen zjarrfikësit e kësaj komune. Sipas kryetarit të Komunës së Tearcës Daut Memishi, lokacioni ndodhet në fshatin Përshefcë, ndërsa do të duhet që Komuna të bëjë disa investime për rikonstrumin e objektit. “E kemi një lokacion në fshatin Përshefcë, ku objekti duhet të riparohet dhe të kthehet në gjendje normale për t`u shfrytëzuar. Kushtet ne të cilët i treguan mysafirët nga Austria për të marrë ne grante dhe për të marrë të gjitha ata të mira të cilët mund t`i ofrojnë siç janë pajisjet e zjarrfikësve dhe kamion të cilët janë apostafat për punën të cilët duhet ta kryejnë në komunën tonë. Pasi që zjarrfkësit si punë e kanë edhe dhënien e ndihmës së parë kur ndodhin aksidente, në rajonin tonë kemi shumë aksidente dhe kjo për ne do të jetë një ndihmë shumë e madhe kur do të funksionalizohet” tha kryetari Memishi. Që të realizohet ky projekt i rëndësishëm për banorët e kësaj Komune, gjatë ditës së sotme në këtë Komunë qëndruan përfaqësues të Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë dhe përfaqësues të nga zjarrfikësit e Tirolit nga Austria.Komandanti i Njësisë Kundër Zjarrit në Tetovë Avni Ameti është shprehur se do të ndihmojnë komunën e Tearcës që të jetësohet njësia e zjarrfikësve. “Presim që të hapim një nënstacion të zjarrfikësve këtu në Komunën e Tearcës.Interesimi është i mirë dhe bashkëpunimi me ambasadën e Austrisë dhe kolegët tanë nga Tiroli janë këtu për të na ndihmuar në këtë drejtim. Kemi angazhim maksimal edhe nga komuna e Tearcës që kjo iniciativë të realizohet sa më shpejtë në Komunën e Tearcës” tha Avni Ahmeti, Komandant i Njësisë së Zjarrfikësve në Tetovë. Përfaqësuesit e zjarrfikësve të Tirolit nga Austria thonë se janë në dispozicion të Komunës së Tearcës për të sjellë pajisje që u nevojiten këtyre zjarrfikësve. “Në Komunën e Tearcës takova kryetarin e Komunës dhe shumë vullnetarë të tjerë, njerëz të mirë, poashtu edhe komandatin e njësisë së zjarrfikësve të Tetovës. Kur do të ndërtohet garazha në hapësirat që ne e kemi vizituar në Tearcëm do të jetë jetë kënaqësi për neve si donator nga Austria që të sjellim kamion dhe mjete që duhen” tha Petar Logan kordinator nga Tiroli. Ndryshe, sipas kreut të komunës së Tearcës, ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve emergjente dhe mbrojtjes së qytetarëve në komunën tonë dhe në mbarë rajonin e Pollogut. Me këtë nismë, synohet që reagimi ndaj zjarreve dhe fatkeqësive natyrore të jetë më i shpejtë, më profesional dhe më i koordinuar, në përputhje me standardet evropiane të sigurisë, u theksua në takimin në Tearcë. Nga Komuna e Tetovës thonë se po hidhen themelet e një infrastrukture moderne të mbrojtjes civile, që do të garantojë më shumë siguri për çdo qytetar të komunës së Tearcës. /Tv Koha/Urim Hasipi/

Lajme nga vendi
Mashtrohet tetovari, mbetet pa veturë e pa para
Më 06.08.2026 në ora 13:40 në SPB Tetovë, një 59-vjeçar nga një fshat i Tetovës ka raportuar se është mashtruar nga personi S.B. nga rajoni i Shkupit. Sipas denoncimit, në prill të vitit 2026 ai me S.B. është marrë vesh që t’i shesë një automjet motorik transportues me targa të Shkupit, pronë e një personi juridik nga Shkupi, për një shumë prej 11.000 eurove me marrëveshje për pagesë me këste. Mirëpo, deri në ditën e denoncimit, shuma e rënë dakord nuk është paguar dhe as automjeti nuk është kthyer. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
Lajme nga vendi
Gjykata Kushtetuese për herë të parë denoncon një gjyqtar
Gjykata Kushtetuese për herë të parë ka kallëzuar një gjyqtar të Gjykatës Themelore Civile Shkup në Prokurorinë Publike dhe në Këshillin Gjyqësor për shkak të moszbatimit të një vendimi të saj, transmeton TV21.
Bëhet fjalë për rastin e gazetares Natasha Stojanovska, lidhur me ngjarjet e 27 prillit 2017.
Gjykata Kushtetuese më herët kishte konstatuar shkelje të së drejtës së saj për lirinë e shprehjes publike dhe kishte urdhëruar rishqyrtimin e rastit.
Megjithatë, Gjykata Themelore Civile e kishte hedhur poshtë kërkesën për përsëritjen e procedurës, duke vlerësuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk përbënte bazë për një gjë të tillë.
Nga Gjykata Kushtetuese thonë se me një veprim të tillë nuk janë respektuar vendimi final.
Për këtë arsye, për herë të parë është aktivizuar mekanizmi i ri për zbatimin e vendimeve, i paraparë me Aktin e Gjykatës, i cili është në fuqi që nga shtatori i vitit 2024.
Lajme nga vendi
DAP: “TURIZËM I DREJTË” – QYTETARËT QË JAPIN ME QIRA AKOMODIME DUHET TË DEKLAROJNË TË ARDHURAT
Me vizita në destinacionet turistike vendase, Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) po vazhdon fushatën për një sezon turistik të drejtë, me qëllim që të nxisë pagesën e barabartë të tatimeve nga të gjithë qytetarët që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e kapaciteteve të akomodimit të çdo lloji. Në kulmin e sezonit turistik, nga DAP thonë se shumë pronarë privatë presin mijëra turistë dhe realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e pronave të tyre, pa i deklaruar ato për qëllime tatimore, duke mos përmbushur detyrimet ligjore.
Përfaqësuesit e DAP informuan se janë vazhdimisht në terren për t’u ofruar qytetarëve udhëzime praktike për deklarimin e të ardhurave që personat fizikë realizojnë nga dhënia me qira e apartamenteve, banesave, shtëpive, uikend-shtwpive, dhomave dhe kapaciteteve të tjera të akomodimit, si dhe nga veprimtari të tjera sezonale të lidhura me turizmin.
Deklarimi i të ardhurave nga qiraja ose nënqiraja bëhet në mënyrë elektronike përmes sistemit e-Shërbime Tatimore. Qytetarët që janë të punësuar ose që tashmë kanë përdorur sistemin për skanimin e kuponëve fiskalë kanë profil të krijuar, ndërsa ata që nuk kanë profil duhet ta hapin një të tillë për të deklaruar të ardhurat në kohë.
FIKRET ZENUNI – Në rastet kur qiraja zgjat më pak se 31 ditë gjatë një muaji, deklarimi duhet të bëhet deri më 10 të muajit pasues. Kur pagesa realizohet përmes platformave të huaja, afati është gjithashtu deri më 10 të muajit pasues pas pagesës. Tatimi i miratuar duhet të paguhet jo më vonë se data 15 e muajit për muajin paraprak.
Tatimi mbi të ardhurat personale llogaritet mbi të ardhurat bruto, pra mbi shumën totale të paguar nga mysafiri.
Nga kjo shumë zbriten 10% shpenzime të njohura, nëse objekti jepet i pamobiluar ose 15%, nëse objekti është i mobiluar.
DAP vë theks të veçantë edhe te dhënia me qira përmes platformave digjitale si Airbnb, Booking, Facebook, Kajak dhe platforma të tjera.
Nëse qytetarët nuk i përmbushin detyrimet tatimore, Ligji për Tatimin mbi të Ardhurat Personale parashikon gjobë prej 50 deri në 250 euro, në kundërvlerë në denarë, për personat fizikë që nuk paraqesin deklarimin për të ardhurat nga qiraja ose nënqiraja./Tv Koha/

