Lajme nga bota
Ringjallet shpresa, 54 çifte martohen në një ceremoni masive në Gazë
Eman Hassan Lawa, e veshur me rroba tradicionale palestineze, dhe Hikmat Lawa, me një kostum elegant, ecnin dorë për dore mes ndërtesave të shkatërruara në jug të Gazës, së bashku me çifte të tjera të veshura në mënyrë të ngjashme.
Ata ishin pjesë e 54 çifteve që u martuan të martën gjatë një ceremoni masive në Gaza, duke sjellë një moment të rrallë shprese pas dy vitesh shkatërrimi, vdekjeje dhe konflikti.
“Pavarësisht gjithçkaje që ka ndodhur, ne do të fillojmë një jetë të re,” tha Hikmat Lawa për Associated Press. “Me vullnetin e Zotit, ky do të jetë fundi i luftës.”
Dasmat kanë një rëndësi të veçantë në kulturën palestineze, por gjatë viteve të luftës janë bërë të rralla në Gaza. Tradita po ringjallet që nga fillimi i armëpushimit të brishtë, edhe pse ceremonitë sot janë më të thjeshta krahasuar me ato të së kaluarës.
Ndërsa turma e zhurmshme valëviste flamuj palestinezë në qytetin jugor të Khan Younis, festimet sollën një moment gëzimi që e errësoi përkohësisht krizën e vazhdueshme në rajon.
Më shumë se 2 milionë banorë të Gazës, përfshirë Eman dhe Hikmat Lawa, janë zhvendosur nga lufta; zona të tëra janë rrafshuar, ndërsa mungesa e ndihmës dhe konflikti vazhdojnë të sfidojnë jetën e përditshme të qytetarëve.
Lajme nga bota
Nënshkruhet memorandumi i paqes mes SHBA dhe Iranit – mbeten disa paqartësi serioze!
Shkruan: Bahri Cani
Amerika dhe Irani kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për t’i dhënë fund luftës – më herët se sa ishte planifikuar. Më parë flitej se marrëveshja do të nënshkruhet të premten në Zvicër. Por Presidenti i SHBA-së Donald Trump konfirmoi se e ka nënshkruar marrëveshjen, në Pallatin e Versajës.
Presidenti francez Emmanuel Macron e kishte ftuar atje pas përfundimit të samitit të G7 në Évian, Francë. Ministria e Jashtme iraniane deklaroi se edhe Presidenti iranian Massoud Peseshkian e ka nënshkruar dokumentin. Ishte një nënshkrim elektronik dhe një ceremoni nënshkrimi “nuk kishte vend”.
Sipas Pakistanit, i cili po ndërmjetëson në konflikt, marrëveshja kornizë tani hyn në fuqi me “efekt të menjëhershëm”. Teherani do ta “rihapë menjëherë” Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Amerika do të heqë menjëherë bllokadën detare të porteve iraniane, njoftoi kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif gjatë natës në platformën X.
Marrëveshja më parë ishte nënshkruar edhe nga Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance dhe kryenegociatori iranian në mënyrë digjitale.
Megjithatë, shumë pyetje mbeten të hapura. Tani nuk dihet nëse ceremonia e planifikuar do të zhvillohet edhe në Zvicër të premten apo nëse samiti atje do të përdoret për negociata të mëtejshme. Sidoqoftë, marrëveshja u prit me lehtësim të madh ndërkombëtarisht.
E paqartë deri në fund mbetet edhe çështja e programit bërthamor iranian dhe nëse Izraeli do të respektojë marrëveshjen. Mes Trumpit dhe Netanjahut ka pasur disa dallime kohët e fundit.
Lajme nga bota
Tensione në Ngushticën e Hormuzit, SHBA-të godet anijet iraniane ndërsa Irani sulmon objektet e naftës në Emiratet e Bashkuara Arabe
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë goditur shtatë mjete të shpejta detare iraniane në Ngushtica e Hormuzit, ndërsa Uashingtoni po përpiqet të garantojë kalimin e sigurt të anijeve të bllokuara në këtë korridor jetik detar.
Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Koreja e Jugut raportuan për sulme ndaj anijeve gjatë së hënës në këtë rrugë strategjike. Autoritetet në Emirate njoftuan gjithashtu për një zjarr në portin e naftës në Fujairah, pas një sulmi që i atribuohet Iranit.
Kompania ndërkombëtare e transportit detar Maersk bëri të ditur se një nga anijet e saj me flamur amerikan ka arritur të largohet nga ngushtica nën mbrojtjen e ushtrisë amerikane, në kuadër të operacionit të quajtur “Projekti Liri”. Sipas kompanisë, kalimi është kryer pa incidente dhe i gjithë ekuipazhi është në gjendje të mirë shëndetësore.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se zhvillimet e fundit tregojnë se “nuk ka zgjidhje ushtarake për një krizë politike”, duke e cilësuar operacionin amerikan si “Projekt bllokimi”.
Lajme nga bota
Këshilli i Evropës mbush 77 vjet
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.
Është themeluar më 5 maj 1949 për të arritur një bashkim më të madh midis vendeve anëtare mbi bazën e traditave të tyre të përbashkëta të lirisë politike.
Ideologët më të mëdhenj të Këshillit të Evropës ishin Winston Churchill, Robert Shuman dhe Konrad Adenauer.
Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.
Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.
Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.
Grupi i saj i ekspertëve për Kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.
Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.
Dy trupat kyçë të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.
Ndryshe nga BE, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje detyruese, por ka fuqinë për të zbatuar marrëveshjet ndërkombëtare të përzgjedhura e të arritura nga shtetet evropiane për tema të ndryshme.
Trupi më i njohur i Këshillit të Evropës është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila zbaton Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Anglishtja dhe frëngjishtja janë dy gjuhët zyrtare të saj.
Komiteti i Ministrave, Asambleja Parlamentare dhe Kongresi gjithashtu përdorin gjuhën gjermane, italiane, ruse dhe turke për disa nga puna e tyre.

