Lajme nga vendi
Dorëhiqet drejtori i Postës së Tetovës, Muhamed Zilbeari
Drejtori i deritanishëm i Postës së Tetovës, Muhamed Zilbeari, ka dhënë dorheqje dhe se prej sot nuk do të jetë në krye të këtij institucioni. Në një postim në rrjetet sociale, ai është shprehur për përpjekjet në dhënien e maksimumut për krijimin e kushteve më të mira për punëtorët dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në dobi të shfrytëzuesve të postës.
“Falënderoj të gjithë ata që më mundësuan të dëshmoj se si duhet udhëhequr një institucion pa ndikime anësore, qofshin ato politike apo të natyrave të tjera, pavarësisht bllokadës së plotë nga qendra dhe indiferencës së skajshme të politikës ndaj zhbllokimit të saj.Falënderoj punonjësit që, përveç punës së tyre profesionale, me angazhimin vullnetar kontribuuan që Posta e Tetovës të duket ndryshe e më mirë. Falënderoj ata punonjës që, pavarësisht problemeve me vonesat e pagave, kontribuuan sado pak në përmirësimin e kushteve të punës, përmes donacioneve të tyre. Një falënderim i veçantë shkon për donatorët e shumtë, të cilët, duke vërejtur se në Postën e Tetovës po punohej realisht, ndihmuan me materialet e nevojshme për punë. Duke u nisur nga fakti se askush nuk është i pagabueshëm, të gjithë atyre që padashur mund t’u kem shkaktuar ndonjë padrejtësi, ju kërkoj falje”, thuhet në dorëheqjen e drejtorit të Postës së Tetovës Muhamed Zilbeari. (koha.mk)
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 16 Qershor
Dje në ora 10:35, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 51-vjeçar nga fshati Poroj i Tetovës. Ai kërkohej me urdhëresë gjyqësore për vuajtje të dënimit me burg për vepër penale të kryer sipas nenit 284-a të Kodit Penal. Personi është dërguar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Burgu i Tetovës për vuajtje të dënimit.
……Dje në ora 11:30 në SPB Tetovë është denoncuar se më 15 Qershor rreth orës 16:30, para hyrjes së kishës “Shën Atanasie” në fshatin Bërvenicë të Tetovës, është vjedhur një arkë me para. Po merren masa për gjetjen e autorit dhe për zbardhjen e plotë të rastit.
……Dje në ora 17:00 në DPB Gostivar, një 43-vjeçar nga Gostivari ka denoncuar se një person nga fshati Negotinë i Gostivarit, i ka drejtuar kërcënime përmes telefonit. Sipas denoncimit, ai edhe më parë ka shkuar në vendin e tij të punës, në zyrën e tij në Komunën e Gostivarit, dhe i ka drejtuar kërcënime për shkak të masave të ndërmarra më parë lidhur me detyrat e tij zyrtare në komunë, përkatësisht për shkak të një procedure të iniciuar më parë për mbindërtim pa leje të një objekti, e cila ishte denoncuar nga fqinjtë. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
……Dje në ora 14:20 në DPB gostivar, një 53-vjeçar nga fshati Çegran i Gostivarit, ka denoncuar se në një rrjet social janë publikuar fotografi të djalit të tij të mitur me tekste me kërcënime për jetën dhe sigurinë e familjes së tij. Është njoftuar prokurori publik dhe po merren masa për zbardhjen e rastit
Lajme nga vendi
INCIDENTI PARA AMBASADËS BULLGARE – 8 DITË PARABURGIM PËR SHKUPJANIN!
Tetë ditë paraburgim i janë caktuar shkupjanit që dogji dy automjete diplomatike para Ambasadës së Bullgarisë. Shkupjani 44-vjeçar, siç raportuan disa media, e ka pranuar veprën në polici. I gjithë akti është regjistruar nga kamerat e sigurisë, ndërsa autori është identifikuar dhe arrestuar po atë ditë kur e kreu veprën. Incidenti u dënua si nga autoritetet maqedonase, ashtu edhe nga ato bullgare.
Gjykata Themelore Penale në Shkup, me kërkesë të prokurorit kompetent, i caktoi masën e paraburgimit prej 8 ditësh 44-vjeçarit nga Shkupi, i cili pardje bleu benzinë, spërkati dhe dogji dy automjete diplomatike në pronësi të Ambasadës së Bullgarisë në Shkup.
Autori i zjarrvënies, i cili është filmuar nga kamerat e sigurisë, në kuadër të hetimit dyshohet për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, sipas nenit 288 të Kodit Penal.
Incidenti në fjalë tensionoi raportet Shkup – Sofje.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut që në të njëjtën ditë e dënoi ashpër “aktin vandal dhe të papranueshëm të djegies së automjeteve me status diplomatik” në afërsi të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Shkup.
Incidentin e dënoi edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, duke e cilësuar si “rezultat të gjuhës agresive politike dhe nxitjes së urrejtjes”, ndërsa kritikoi reagimin e pamjaftueshëm institucional në raste të mëparshme.
Ndërkaq, Fondacioni bullgar “Maqedonia” ka paralajmëruar se të dielën do t’i bllokojë tre pikat kufitare ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Bllokada, siç njoftuan nga Fondacioni, është koordinuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Bullgarisë dhe do të zgjasë dy orë, nga ora 11:00 deri në 13:00.
Kjo vjen pasi para dy ditësh u dogjën dy automjete diplomatike të Ambasadës së Bullgarisë në Shkup – një veprim që nga fondacioni u vlerësua si një formë terrorizmi.
Qëllimi i bllokadës, siç shtojnë nga Fondacioni bullgar “Maqedonia”, nuk është pengimi i qytetarëve për të kaluar kufirin, por t’i dërgohet një mesazh kryeministrit Hristijan Mickoski se pushteti në Shkup nuk mund të vazhdojë me, siç thonë ata, represionin./Tv Koha/
Lajme nga vendi
VLEN: KUVENDI THEMELUES NË TETOVË ME MESAZHE UNITETI!
Në Pallatin e Kulturës në Tetovë u mbajt Kuvendi Themelues i VLEN-it, ku udhëheqësia e partisë vlerësoi se ky Kuvend paraqet një hap të rëndësishëm në procesin e bashkimit dhe konsolidimit të subjektit politik. Nga Kuvendi Themelues në Tetovë u dërgua mesazhi se VLEN-i po hyn në fazë të re të funksionimit me organizim më të fuqishëm dhe angazhim në rritje për t`u përgjigjur nevojave të qytetarëve në nivelin qendror e lokal.
VLEN po hyn në një fazë të re të organizimit politik.
Në Tetovë, sipas VLEN-it, në kohë rekord u mblodhën 1.300 nënshkrime për themelimin e VLEN-it me çka ka përfunduar procedura juridike dhe të gjithë kuvendarët e pranishëm nënshkruan që VLEN-i të themelohet si subjekt i vetëm politik.
Ky organizim formalo-juridik vjen pas Kongresit të bashkimit të pesë partive në një subjekt të vetëm më 9 maj.
Sipas VLEN, Kuvendi themelues konfirmoi unitetin e strukturave, energjinë e anëtarësisë dhe përkushtimin për të vazhduar veprimin politik në shërbim të qytetarëve.
Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, në fjalimin e tij theksoi rëndësinë e Kuvendit themelues në rrugëtimin e konsolidimit të VLEN-it.
BILALL KASAMI – Bashkëkryetar i VLEN
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, vlerësoi se Kuvendi themelues paraqet etapë të rëndësishme drejt fuqizimit politik dhe organizativ të subjektit.
IZET MEXHITI – Bashkëkryetar i VLEN
Ndërkaq, nënkryetarja e VLEN-it, Mimoza Musa, theksoi se VLEN ka zgjedhur rrugën e bashkimit dhe të interesit qytetar.
MIMOZA MUSA – Nënkryetare e VLEN
Ndryshe, lidhur me themelimin e një partie politike, neni 11 i Ligjit për Parti Politike, parashikon se një parti politike mund të themelohet nga së paku 1.000 qytetarë të Republikës së Maqedonisë që kanë të drejtë vote dhe që kanë dhënë nënshkrimin e tyre për themelimin vetëm të një partie politike.
Anëtar i një partie politike mund të jetë çdo qytetar madhor dhe me aftësi të plotë juridike i Republikës së Maqedonisë, i cili jep nënshkrimin për anëtarësim vullnetar në partinë politike.
Partia politike është e detyruar që, para skadimit të çdo periudhe katërvjeçare nga dita e regjistrimit, t’i dorëzojë gjykatës themelore të përcaktuar në nenin 17, paragrafi 2 i këtij ligji, nënshkrime individuale të vërtetuara te noteri, në numrin e nevojshëm për themelimin e partisë politike./Tv Koha/

