Connect with us

Lajme nga vendi

12 foshnje nga nëna nën 15 vjeç në një vit: Shtatzënitë e hershme në RMV, mbi mesataren e BE-së

Published

on

Shtatzënia tek adoleshentet është ende një dukuri e pranishme në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në kushte të përdorimit të ulët të kontracepsionit modern dhe qasjes së kufizuar në shërbime shëndetësore të hershme dhe të besueshme. Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se, gjatë vitit 2024 nëna nën moshën 15 vjeç kanë realizuar 12 lindje në Maqedoninë e Veriut. Ndërkaq, sipas të dhënave të UNICEF-it, shkalla e lindjeve në moshën adoleshente u ul në 13.4 lindje për 1,000 gra të moshës 15-19 vjeçare në vitin 2023 nga 14 sa ishte në vitin 2022, gjegjësisht 16 në vitin 2018, mirëpo ende është shumë më e lartë se mesatarja e BE-së dhe pak më e lartë se mesatarja e Ballkanit Perëndimor. Sipas këtyre të dhënave zonat urbane përbëjnë 58.1 për qind të këtyre lindjeve, shkruan Mollëkuqja.mk.

Udhëheqësja e Programit të Kujdesit Seksual dhe Riprodhues në organizatën HERA, Olivera Stojkovska tha se, shtatzënitë tek adoleshentët në Maqedoninë e Veriut mbetet një problem serioz, edhe pse vitet e fundit ka disa përmirësime. Ajo tha se, shumë prej këtyre shtatzënive ndodhin në heshtje, të shoqëruara me ndjenjë turpi dhe frikë nga paragjykimi, gjë që e bën më të vështirë marrjen e ndihmës në kohën e duhur.

“Shtatzënia e hershme është më së shpeshti rezultat i ndërthurjes së disa faktorëve, ndër të cilët dominon mungesa e programeve adekuate mësimore në shkolla, si edukimi gjithëpërfshirës seksual. Të rinjtë shpesh hyjnë në marrëdhënie seksuale pa njohuri të mjaftueshme për trupin e tyre, për metodat e mbrojtjes dhe për pasojat e seksit të pambrojtur, ndërsa informacionin e marrin nga burime joformale dhe shpesh të pasakta. Për më tepër, qasja e kufizuar në kontracepsion—qoftë për arsye financiare, qoftë për shkak të frikës nga stigmatizimi gjatë kërkimit të një shërbimi shëndetësor—rrit ndjeshëm rrezikun e shtatzënisë së paplanifikuar. Kushtet sociale dhe ekonomike, si varfëria, niveli i ulët i arsimit dhe braktisja e hershme e shkollës, gjithashtu luajnë një rol të rëndësishëm, veçanërisht te vajzat që jetojnë në mjedise ku rolet gjinore janë të përcaktuara rreptësishtë dhe amësia e hershme konsiderohet si një “rrugë normale” jetësore”, thotë Stojkovska.

Sipas saj, situata dallon mes mjediseve urbane dhe rurale, si dhe mes komuniteteve të ndryshme, duke theksuar se, në zonat urbane, të rinjtë kanë qasje më të mirë në informacione dhe shërbime për shëndetin seksual dhe riprodhues, gjë që ndihmon në parandalimin e shtatzënive të hershme. Ndërkaq, në mjediset rurale dhe vendbanimet më të vogla, shërbimet janë të kufizuara ose mungojnë, ndërsa temat e seksualitetit mbeten tabu, duke rritur rrezikun e shtatzënive të paplanifikuara.

“Për më tepër, ekzistojnë dallime të rëndësishme edhe mes komuniteteve të ndryshme. Në një pjesë të komunitetit rom, për shembull, martesat e mitura dhe shtatzënitë e hershme janë ende të pranishme dhe shpesh lidhen me varfërinë, përjashtimin social dhe braktisjen e hershme të arsimit. Në këto kushte, shtatzënia e hershme nuk është një rast i izoluar individual, por pjesë e një rrethi më të gjerë pabarazish strukturore dhe zgjedhjesh të kufizuara jetësore”, tha ajo.

Advertisement

E përpos mungesës së informimit të rinjtë shpesh herë përballen edhe me pengesa, siç është edhe stigma e lidhur me shëndetin seksual dhe riprodhues, e cila i dekurajon ata të kërkojnë informacion ose ndihmë në kohë. Frika nga gjykimi nga familja, punonjësit shëndetësorë ose komuniteti shpesh rezulton me prolongim ose shmangie të plotë të shërbimeve shëndetësore.

“Për më tepër, kostot e kontracepsionit dhe mungesa e shërbimeve falas dhe konfidenciale përbëjnë një pengesë reale, veçanërisht për të rinjtë nga familje me të ardhura të ulëta. Sipas përvojave nga terreni, një problem i rëndësishëm është edhe mungesa e informacionit të saktë dhe të kuptueshëm, pasi arsimi formal pothuajse nuk ofron njohuri sistematike dhe gjithëpërfshirëse për këto tema. Të gjitha këto pengesa së bashku krijojnë një mjedis në të cilin të rinjtë mbeten të vetëm për t’u përballur me pasojat e mungesës së mbështetjes”, deklaroi Stojkovska.

Sipas ekspertëve, shtatzënia e hershme ka pasoja të thella dhe afatgjata në arsimimin dhe mirëqenien e përgjithshme të vajzave të reja. Në shumë raste, shtatzënia çon në ndërprerje ose braktisje të plotë të procesit arsimor, duke ulur ndjeshëm mundësitë për arsimim të mëtejshëm dhe punësim. Kjo, nga ana tjetër, rrit gjasat për varësi ekonomike dhe varfëri gjatë gjithë jetës. Krahas pasojave arsimore, shtatzënia e hershme sjell edhe rreziqe të shtuara shëndetësore, si për nënën e re ashtu edhe për fëmijën, veçanërisht kur shtatzënia nuk ndiqet me kujdes shëndetësor të përshtatshëm. Barra psikologjike, ndjenja e izolimit dhe stigmatizimi social e dëmtojnë më tej mirëqenien emocionale të vajzave, duke lënë gjurmë që shpesh ndihen edhe shumë vite më vonë.

Lajme nga vendi

Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria

Published

on

Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.

Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.

Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

Published

on

Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.

Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.

Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.

Continue Reading

Lajme nga vendi

LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare

Published

on

Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.

Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.

LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.

Continue Reading

Më të lexuarat