Connect with us

Lajme nga vendi

Nëse rryma ju vjen shumë shtrenjtë, ja çfarë duhet të bëni?

Published

on

Shumë familje në Maqedoninë e Veriut këtë dimër u tronditën kur morën faturat e janarit për energjinë elektrike – dukshëm më të larta se zakonisht.

Brenda një periudhe dy-mujore janë paraqitur deri në 15.000 ankesa te furnizuesi universal “EVN Home” për fatura të larta, por vetëm rreth 15% prej tyre janë vërtetuar si të bazuara dhe kanë rezultuar me korrigjim të faturave, përcjell INA. Kjo do të thotë se në shumicën e rasteve shumat e larta kanë qenë pasojë e konsumit real (edhe pse ndoshta jo i zakonshëm) – ose e llogaritjeve vlerësuese në vend të leximeve reale të matësve.

Megjithatë, edhe 2.200 gabime të konfirmuara nuk janë numër i vogël. Institucionet kompetente u bëjnë thirrje qytetarëve të mos qëndrojnë pasivë: çdo konsumator ka të drejtë dhe duhet vetë të kontrollojë dhe të reagojë nëse mendon se fatura e tij është e pasaktë.

Më poshtë ju ofrojmë një udhëzues praktik – si të kontrolloni nëse kilovat-orët e faturuara përputhen me gjendjen e matësit tuaj të energjisë, cilat janë shkaqet e mundshme të mospërputhjeve dhe si, hap pas hapi, të paraqisni ankesë për korrigjim me të gjitha dëshmitë e nevojshme.

Kontrolloni konsumin e faturuar sipas matësit

Advertisement

Hapi i parë është të vërtetoni nëse konsumi i shënuar në faturë përputhet me gjendjen reale të matësit elektrik. Rregullatorët energjetikë dhe Ministria e Energjetikës e rekomandojnë pikërisht këtë – krahasoni të dhënat e faturës me treguesit e matësit tuaj.

Nëse vëreni dallim të konsiderueshëm, pra që kilovat-orët e faturuara janë më të larta (ose më të ulëta) se ato që tregon matësi, EVN është e detyruar të reagojë dhe të kryejë verifikim të ri.

Së pari, shqyrtoni vetë faturën: aty zakonisht shënohen gjendja e mëparshme dhe ajo e re e matësit (e lexuar ose e vlerësuar), si dhe konsumi total në tarifë të lartë dhe të ulët për periudhën e faturimit. Kushtojini vëmendje edhe faktit nëse në faturë është shënuar se një pjesë e konsumit është llogaritur në mënyrë paushale (e vlerësuar) – për shkak të mungesës së leximit. Që nga korriku 2025 kjo informacion theksohet qartë në fatura, pasi RKE kërkoi transparencë më të madhe pas valës së ankesave për “fatura paushale” dimrin e kaluar, përcjell INA.

Është thelbësore të vërtetoni nëse diferenca ndërmjet gjendjes së mëparshme dhe asaj aktuale të matësit (sipas faturës) përputhet me konsumin e paraqitur. Për shembull, nëse në faturën e kaluar gjendja ishte 12.000 kWh, ndërsa në faturën aktuale shënohet 12.300 kWh (pra 300 kWh konsum), kontrolloni nëse matësi juaj realisht ka shkuar rreth këtyre vlerave. Nëse menjëherë pas marrjes së faturës matësi tregon një numër dukshëm më të vogël (p.sh. 12.150 kWh), atëherë qartazi është faturuar më shumë konsum sesa ai i matur – keni bazë për ankesë. Dhe anasjelltas, nëse matësi tregon më shumë se gjendja e faturuar (p.sh. 12.500 kWh), është e mundur që fatura aktuale të jetë llogaritur mbi bazë më të ulët (pjesërisht e vlerësuar), ndërsa fatura e radhës të sjellë plotësim. Në çdo rast, mospërputhja ndërmjet faturës dhe matësit duhet të raportohet për të marrë llogaritje të saktë.

Këshillë: Mbani mend se matësi tregon totalin e kilovat-orëve të konsumuar që nga instalimi, ndërsa fatura i referohet konsumit në një periudhë të caktuar. Prandaj, gjithmonë shikoni diferencën ndërmjet dy leximeve. Nëse nuk jeni të sigurt si t’i interpretoni shifrat, kërkoni në faturë pjesën ku shkruan “gjendje e lexuar (e vjetër/e re)” dhe “konsum (kWh)”. Këto të dhëna duhet të korrespondojnë me treguesit e matësit tuaj.

Advertisement

Si të lexoni matësin (hap pas hapi)

1. Gjeni matësin tuaj dhe përgatituni për lexim. Shumica e familjeve sot kanë matës digjital me ekran. Çdo disa sekonda ekrani rrotullon të dhënat kryesore: konsumin total në tarifë të lartë (1.8.1) dhe në tarifë të ulët (1.8.2), fuqinë momentale, kohën, etj. Prisni të shfaqet 1.8.1 dhe shënoni vlerën (numrin e plotë të kWh), pastaj prisni 1.8.2 dhe shënoni edhe atë. Nëse matësi është analog (me shigjeta/numra), thjesht kopjoni shifrat që tregon.
2. Gjeni vlerat përkatëse në faturë. Në çdo faturë të EVN Home, në pjesën e llogaritjes së konsumit, duhet të ketë të dhëna për tarifën e lartë (TL) dhe të ulët (TU): gjendja e mëparshme dhe e re e matësit, si dhe diferenca – kWh e konsumuar. Mblidhni këto shifra dhe krahasoni me leximin tuaj.
3. Krahasoni leximet tuaja me faturën. Nëse matësi aktualisht tregon pak më shumë se gjendja e faturuar, kjo është normale nëse kanë kaluar disa ditë nga faturimi. Por nëse vëreni devijim të madh, sidomos nëse matësi tregon më pak se fatura – bëni menjëherë foto-dëshmi dhe vazhdoni me raportimin për korrigjim.
4. Kontrolloni periudhën dhe statusin e leximit. Në faturë shkruan periudha (nga data – deri më datë) dhe nëse gjendja është e lexuar apo e vlerësuar. Nëse periudha është më e gjatë se një muaj ose një pjesë është e vlerësuar, është e mundur që fatura të përfshijë konsum të bashkuar nga dy muaj. Ndiqni matësin në periudhën pasuese – fatura e radhës mund të jetë më e ulët ose më e lartë, në varësi të rastit.
5. Përdorni mjetet digjitale. EVN ka platformën “My EVN Home” për ndjekjen e faturave dhe konsumit. Në portalin EVN Online (online.evn.mk) mund të paraqisni edhe vetë leximin e matësit duke futur numrin e klientit dhe numrin e matësit (të shënuara në faturë). Nëse ka dallim nga vlerësimi, EVN do të lëshojë faturë të korrigjuar sipas të dhënave reale.

Shënim: Vetë-leximi duhet bërë në javën e saktë të leximit të caktuar për ju (shënohet në faturë). Nëse e bëni jashtë afatit, ose nëse matësi është lexuar tashmë zyrtarisht, përparësi kanë të dhënat zyrtare.

Pse lindin dallime mes matjes dhe faturimit?

– Lexim jo i rregullt i matësve: Rregullat kërkojnë lexim të paktën katër herë në vit. Në praktikë, rreth 85% lexohen çdo muaj, ndërsa ~15% mbeten të paarritshme (objekte të mbyllura, zona rurale), ndaj lexohen më rrallë.
– Fatura paushale (vlerësime): Kur matësi nuk lexohet, fatura bazohet në vlerësim sipas historikut të 12 muajve. Nëse disa muaj radhazi vlerësimi ka qenë më i ulët se realja, me leximin e radhës shfaqet një rritje e madhe, sepse faturohen kWh e pa-faturuara më parë. Kjo mund të çojë edhe në hyrje në blloqe tarifore më të shtrenjta.
– Gabime teknike ose përpunimi: Edhe pse shumica e matësve janë digjitalë, mund të ketë probleme në transmetimin e të dhënave. Sistemi ka mekanizma kontrolli, veçanërisht kur tejkalohet blloku i katërt tarifor, për të shmangur faturime të padrejta.

Advertisement

Kush është përgjegjës për çfarë: Elektrodistrubucioni vs. EVN Home

EVN Home është furnizuesi universal që ju faturon energjinë. Elektrodistrubucioni DООЕЛ Shkup është operatori i rrjetit, përgjegjës për leximin e matësve dhe mirëmbajtjen. Për ju si konsumator, çdo problem raportohet te EVN Home – ata e procedojnë rastin dhe, nëse duhet, angazhojnë elektrodistrubucionin. Nuk keni nevojë t’i kontaktoni veçmas.

Ku dhe si të paraqisni ankesë (procedura)

Nëse pas kontrollit vëreni parregullsi, keni të drejtë ligjore për ankesë.
1. Kontaktoni EVN Home brenda 8 ditëve nga marrja e faturës. Preferohet me shkrim:
• E-mail: info@evn.mk – përshkruani problemin, shënoni numrin e faturës dhe bashkëngjitni kopje/foto të faturës dhe, nëse duhet, foto të matësit.
• Portali online: “My EVN Home” → “Korrigjim i faturës” (online.evn.mk).
• Qendrat e shërbimit (KEC): Dorëzoni formularin dhe ruani kopje.
• Telefon: 02/3205-000 (rekomandohet të pasojë edhe ankesë me shkrim).

E rëndësishme: Sipas Ligjit për Energjetikë (neni 37), gjatë shqyrtimit të ankesës, furnizuesi nuk ka të drejtë t’ju ndërpresë energjinë për pjesën e kontestuar, për sa kohë paguani pjesën e pakontestuar. Nëse ka presione ose kërcënime për ndërprerje, njoftoni menjëherë RKE.(INA)

Advertisement

Lajme nga vendi

Mashtrohet tetovari, mbetet pa veturë e pa para

Published

on

Më 06.08.2026 në ora 13:40 në SPB Tetovë, një 59-vjeçar nga një fshat i Tetovës ka raportuar se është mashtruar nga personi S.B. nga rajoni i Shkupit. Sipas denoncimit, në prill të vitit 2026 ai me S.B. është marrë vesh që t’i shesë një automjet motorik transportues me targa të Shkupit, pronë e një personi juridik nga Shkupi, për një shumë prej 11.000 eurove me marrëveshje për pagesë me këste. Mirëpo, deri në ditën e denoncimit, shuma e rënë dakord nuk është paguar dhe as automjeti nuk është kthyer. Po merren masa për zbardhjen e rastit.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Gjykata Kushtetuese për herë të parë denoncon një gjyqtar

Published

on

Gjykata Kushtetuese për herë të parë ka kallëzuar një gjyqtar të Gjykatës Themelore Civile Shkup në Prokurorinë Publike dhe në Këshillin Gjyqësor për shkak të moszbatimit të një vendimi të saj, transmeton TV21.

Bëhet fjalë për rastin e gazetares Natasha Stojanovska, lidhur me ngjarjet e 27 prillit 2017.

Gjykata Kushtetuese më herët kishte konstatuar shkelje të së drejtës së saj për lirinë e shprehjes publike dhe kishte urdhëruar rishqyrtimin e rastit.

Megjithatë, Gjykata Themelore Civile e kishte hedhur poshtë kërkesën për përsëritjen e procedurës, duke vlerësuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk përbënte bazë për një gjë të tillë.

Nga Gjykata Kushtetuese thonë se me një veprim të tillë nuk janë respektuar vendimi final.

Advertisement

Për këtë arsye, për herë të parë është aktivizuar mekanizmi i ri për zbatimin e vendimeve, i paraparë me Aktin e Gjykatës, i cili është në fuqi që nga shtatori i vitit 2024.

Continue Reading

Lajme nga vendi

DAP: “TURIZËM I DREJTË” – QYTETARËT QË JAPIN ME QIRA AKOMODIME DUHET TË DEKLAROJNË TË ARDHURAT

Published

on

Me vizita në destinacionet turistike vendase, Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) po vazhdon fushatën për një sezon turistik të drejtë, me qëllim që të nxisë pagesën e barabartë të tatimeve nga të gjithë qytetarët që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e kapaciteteve të akomodimit të çdo lloji. Në kulmin e sezonit turistik, nga DAP thonë se shumë pronarë privatë presin mijëra turistë dhe realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e pronave të tyre, pa i deklaruar ato për qëllime tatimore, duke mos përmbushur detyrimet ligjore.

Përfaqësuesit e DAP informuan se janë vazhdimisht në terren për t’u ofruar qytetarëve udhëzime praktike për deklarimin e të ardhurave që personat fizikë realizojnë nga dhënia me qira e apartamenteve, banesave, shtëpive, uikend-shtwpive, dhomave dhe kapaciteteve të tjera të akomodimit, si dhe nga veprimtari të tjera sezonale të lidhura me turizmin.

Deklarimi i të ardhurave nga qiraja ose nënqiraja bëhet në mënyrë elektronike përmes sistemit e-Shërbime Tatimore. Qytetarët që janë të punësuar ose që tashmë kanë përdorur sistemin për skanimin e kuponëve fiskalë kanë profil të krijuar, ndërsa ata që nuk kanë profil duhet ta hapin një të tillë për të deklaruar të ardhurat në kohë.

FIKRET ZENUNI – Në rastet kur qiraja zgjat më pak se 31 ditë gjatë një muaji, deklarimi duhet të bëhet deri më 10 të muajit pasues. Kur pagesa realizohet përmes platformave të huaja, afati është gjithashtu deri më 10 të muajit pasues pas pagesës. Tatimi i miratuar duhet të paguhet jo më vonë se data 15 e muajit për muajin paraprak.

Tatimi mbi të ardhurat personale llogaritet mbi të ardhurat bruto, pra mbi shumën totale të paguar nga mysafiri.

Advertisement

Nga kjo shumë zbriten 10% shpenzime të njohura, nëse objekti jepet i pamobiluar ose 15%, nëse objekti është i mobiluar.

DAP vë theks të veçantë edhe te dhënia me qira përmes platformave digjitale si Airbnb, Booking, Facebook, Kajak dhe platforma të tjera.

Nëse qytetarët nuk i përmbushin detyrimet tatimore, Ligji për Tatimin mbi të Ardhurat Personale parashikon gjobë prej 50 deri në 250 euro, në kundërvlerë në denarë, për personat fizikë që nuk paraqesin deklarimin për të ardhurat nga qiraja ose nënqiraja./Tv Koha/

Continue Reading

Më të lexuarat