Lajme nga vendi
Autoritetet në RMV me rekomandime për qytetarët për vozitje të kujdesshme në kushte dimërore
Pas njoftimeve për reshje dëbore dhe rënie të ndjeshme të temperaturave gjatë fundjavës, Këshilli Republikan i Sigurisë Rrugore (KRSRr) ka lëshuar apel dhe përkujtesë për qytetarët që të ngasin automjetet me kujdes dhe përgjegjësi dhe të përdorin pajisjet dimërore në përputhje me rregullat.
“Para se të niseni në një rrugë, është e nevojshme të përgatitni siç duhet automjetin për ngarje në kushte dimërore. Kryeni kontroll të automjetit, i cili zakonisht përfshin: kontrollin e antifrizit, nivelin e karburantit, lëngun e fshirësve dhe të xhamit të përparmë, gjendjen e baterisë, si dhe gjendjen dhe presionin e gomave”, thuhet në njoftimin e KRSRr-së.
Në të njëjtën kohë, ata u bëjnë apel shoferëve që të respektojnë rregullat dhe rregulloret e trafikut, si dhe shenjat e vendosura të trafikut. KRSRr këshillon qytetarët të informohen në kohën e duhur për gjendjen e rrugëve dhe kalueshmërinë e tyre, të rregullojnë shpejtësinë e tyre sipas kushteve dhe gjendjes së rrugës dhe të mbajnë distancë të sigurt midis automjeteve.
Hulumtimet, sipas Këshillit Republikan të Sigurisë Rrugore, tregojnë se kushtet e pafavorshme të motit kërkojnë që shoferët të jenë më të vëmendshëm gjatë ngasjes.
“Prandaj, KRSRr bën apel të qartë: Vetëm me sjellje të përgjegjshme në trafik mund të kontribuojmë të gjithë për një trafik rrugor më të sigurt – çdo jetë është e rëndësishme”, shtohet në njoftim.
Drejtoria Hidrometeorologjike (DPHM) njoftoi se gjatë fundjavës priten reshje të reja, të cilat do të jenë borë në male dhe vende më të larta, dhe shi dhe borë në vende më të ulëta. Reshjet do të jenë më të bollshme në pjesët perëndimore të vendit, dhe lartësia e mbulesës së borës do të rritet më tej.
Për të dielën dhe të hënën, Drejtoria njofton shfaqjen e erërave të moderuara deri të forta veriore, të cilat herë pas here do të fryjnë me shpejtësi mbi 60 kilometra në orë. Do të ketë reshje lokale bore, dhe temperatura do të bjerë dhe do të mbetet nën zero gjatë gjithë ditës., Portalb.mk
Lajme nga vendi
Bekim Sali: “Vendimmarrjet në qeveri jane kolektive, asnjëherë individuale”
Zëvendëskryeministri i Maqedonia e Veriut, Bekim Sali, ka theksuar se vendimmarrja në Qeveri nuk është asnjëherë individuale, por zhvillohet në mënyrë kolektive informon Tetovasot.
Sipas tij, krijimi i politikave bëhet përmes konsultimeve të vazhdueshme ndërmjet institucioneve dhe faktorëve relevantë, duke garantuar kështu një proces më gjithëpërfshirës dhe të balancuar.
“Vendimmarrjet në Qeveri janë kolektive, asnjëherë individuale,” deklaroi Sali, duke nënvizuar se çdo vendim kalon përmes diskutimeve dhe koordinimit të gjerë institucional.
Ai shtoi se ky model synon të rrisë transparencën, përgjegjësinë dhe cilësinë e politikave publike në vend.
Lajme nga vendi
Fuqizimi i të rinjve dhe zhvillimi i karrierës në fokus në festimin e Ditës së Mbretit në Tetovë
Institute for Leadership and Public Policy shënoi me sukses festimin e King’s Day përmes një eventi dinamik të mbajtur, duke bashkuar të rinj, përfaqësues institucionalë dhe profesionistë me qëllim promovimin e zhvillimit të karrierës, fuqizimit të të rinjve dhe përfshirjes gjinore.
Ngjarja u nderua me praninë e Shkëlqesisë së Saj, Özlem Canel, Ambasadore e Mbretërisë së Holandës, së bashku me përfaqësues nga universitetet, sektori privat, shoqëria civile, si dhe mbi 70 të rinj nga rajoni I Pollogut dhe Shkupit.
Në qendër të aktivitetit ishte një panel diskutimi interaktiv me titull “Të përballosh sfidat në karrierë – veçanërisht për gratë, dhe zgjedhja e profesioneve të mirëpaguara”, i cili krijoi një hapësirë për dialog të hapur ndërmjet profesionistëve me përvojë dhe të rinjve. Diskutimi trajtoi sfida kyçe si hendeku ndërmjet arsimit dhe kërkesave të tregut të punës, pabarazitë gjinore në zgjedhjen e karrierës, si dhe rëndësinë e aftësive praktike dhe mentorimit në ndërtimin e rrugëve të suksesshme profesionale.
Pjesëmarrësit –ndanë përvoja personale dhe këshilla praktike, duke inkurajuar të rinjtë të ndërmarrin hapa aktivë në ndërtimin e karrierës së tyre dhe të eksplorojnë mundësi përtej rrugëve tradicionale.
Një moment i veçantë i eventit ishte vlerësimi i studentëve që përfunduan me sukses programin “Next Gen Career Up” implementuar po nga Instituti për Lidership, një iniciativë e krijuar për të forcuar aftësitë për punësim, orientimin në karrierë dhe vetëbesimin e të rinjve. Pjesëmarrësve iu ndanë certifikata, duke njohur përkushtimin dhe zhvillimin e tyre gjatë programit.
ILPP vazhdon të luajë një rol kyç në ngushtimin e hendekut ndërmjet arsimit dhe punësimit, duke promovuar zhvillimin ekonomik gjithëpërfshirës dhe lidershipin tek të rinjtë.
Lajme nga vendi
Ekspeditë studimore në terren dhe ligjërata të hapura nga profesorë vizitorë në katedrën e Gjeografisë
Në kuadër të angazhimit akademik dhe praktik, katedra e Gjeografisë realizoi me sukses një ekspeditë studimore dyditore me studentët, duke ofruar një përvojë të drejtpërdrejtë në terren dhe ndërlidhje konkrete të teorisë me praktikën.
Itinerari i kësaj ekspedite përfshiu drejtimet Tetovë – Strugë – Pogradec (Liqeni i Ohrit) – fushëgropa e Korçës, ku studentët patën mundësinë të eksplorojnë nga afër tiparet gjeografike, zhvillimin urban, si dhe elementet kulturore të këtyre zonave. Vizitat në monumente natyrore dhe kulturore shërbyen si një “laborator i hapur”, duke i ndihmuar studentët të kuptojnë më thellë proceset gjeografike dhe ndërveprimin e njeriut me mjedisin.
Dita e dytë e ekspeditës vazhdoi me vizitat në Voskopojë dhe monumentet e saj me vlera të veçanta historike e kulturore, si dhe në rajonin e Liqenit të Prespës. U realizuan ndalesa në vendkalimin kufitar në Stenjë, më pas në qytetin e Resnjës dhe në Manastir, ku studentët analizuan karakteristikat rajonale dhe rëndësinë e tyre në kontekstin më të gjerë gjeografik dhe socio-ekonomik. Në kuadër të kësaj vizite, u zhvillua edhe një takim në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë, ku studentët dhe stafi akademik patën mundësinë të njihen nga afër me Fakultetin e Shkencave Humane, përkatësisht me katedrën Histori-Gjeografi. Kjo përvojë ofroi një pasqyrë të qartë mbi programet studimore, kushtet e studimit dhe mundësitë për zhvillim akademik e profesional në fushën e gjeografisë. Në vazhdën e aktiviteteve akademike, më 20.04.2026, studentët e katedrës së Gjeografisë ndoqën edhe ligjërata të hapura nga profesorë vizitorë nga Republika e Shqipërisë, të cilat u fokusuan në tematika të ndërlidhura drejtpërdrejt me zonat e vizituara gjatë ekspeditës.
Ligjërata “Zbulimi i Shqipërisë Juglindore: një vështrim mbi natyrën dhe ekonominë” u mbajt nga Doc. Dr. Rudina Uruçi, ndërsa ligjërata “Rajonet ndërkufitare dhe mundësitë për integrim: rasti Gollobordë–Strugë” nga Prof. Asoc. Artan Lila. Përmes këtyre ligjëratave, studentët patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre dhe të analizojnë në mënyrë më të strukturuar fenomenet gjeografike dhe zhvillimet rajonale.
Profesorët vizitorë u pritën nga dekani i Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore, Prof. Dr. Florim Idrizi, prodekani për shkencë, Prof. Dr. Ahmed Jashari, si dhe shefi i Departamentit të Gjeografisë, Prof. Dr. Resul Hamiti.
Këto aktivitete janë një pjesë e rëndësishme për formimin akademik të studentëve, duke ndihmuar në zhvillimin e aftësive praktike, në zgjerimin e horizonteve shkencore dhe në forcimin e lidhjeve mes institucioneve.
-
Lajme nga bota4 weeks ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni4 weeks agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Sport4 weeks agoBARDHI: NËNVLERËSIMI VETËM SE NA MOTIVON KUNDËR DANIMARKËS!

