Lajme nga rajoni
Kaos në Novi Sad – policia hyn me forcë në Fakultetin e Filozofisë, përdorën forcë për të nxjerrë jashtë të gjithë ata që ishin brenda
Studentët e Fakultetit të Filozofisë në Novi Sad kanë bllokuar të mërkurën ndërtesën e institucionit pasi profesoreshës Jelena Kleut iu dorëzua një urdhër shkarkimi.
Megjithatë, pjesëtarët e Ministrisë së Brendshme Serbe përdorën forcë për të nxjerrë jashtë të gjithë ata që ishin brenda ndërtesës, shkruajnë mediat e huaja.
Sipas mediave serbe, Policia e Emergjencave dhe Xhandarmëria, të pajisura plotësisht për të shpërndarë demonstratat, ngritën një kordon përpara fakultetit.
Një gazetar i N1 Serbia raportoi se u përdor forcë e madhe për të nxjerrë jashtë studentët nga ndërtesa e Fakultetit të Filozofisë dhe se një studenti iu thye hunda.
Policia thuhet se më parë i kishte paralajmëruar studentët të largoheshin nga ndërtesa.
“Mendoj se të gjithë studentët dhe profesorët u nxorën jashtë nga Fakulteti i Filozofisë, vetëm administrata dhe policia mbetën”, citohet të ketë thënë një student.
Siç kujtojnë mediat, më 17 janar, studentët mbajtën një protestë të titulluar “Çfarë do të thotë fitorja?” në Sheshin e Lirisë në Novi Sad, qëllimi i së cilës ishte përgatitja për zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe fushatën zgjedhore.
Studentët njoftuan se kjo protestë do të shënonte fillimin e një faze të re në zhvillimin e të gjithë lëvizjes studentore.
Lajme nga rajoni
Lëvizja Vetëvendosje ka arritur në 53 ulëse të siguruara në Kuvendin e Kosovës
KQZ në përditësimin e fundit, ka bërë të ditur se janë numëruar 94,62% e votave me postë.
Nga rezultatet shihet qartë një diferencë e thellë në rezultat mes partive politike, përcjell “Bota sot”.
Lëvizja Vetëvendosje – 72,99%
Lidhja Demokratike e Kosovës – 12,12%
Partia Demokratike e Kosovës – 8,04%
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – 4.19%
Sipas këtij rezultati, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur në 53 ulëse të siguruara në Kuvendin e Kosovës, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës e ka humbur një ulëse.
LDK kishte më herët 19 deputetë, ndërsa tani ka 18. Partia Demokratike ka ruajtur 22 ulëset të cilat i kishte më parë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka 7 ulëse.(INA)
Lajme nga rajoni
LVV nënshkruan koalicionin parazgjedhor me tri parti
Lëvizja Vetëvendosje, Partia Guxo, Partia Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane kanë nënshkruar marrëveshjen e koalicionit parazgjedhor, duke e cilësuar atë si vazhdim të një rruge të përbashkët politike dhe angazhim të qartë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Sipas Partisë Guxo, ky koalicion nuk paraqet një bashkim të përkohshëm, por një qëndrim politik të vendosur për të qeverisur me përgjegjësi, për të mbrojtur interesin shtetëror dhe për ta vendosur qytetarin në qendër të çdo vendimi.
“Ne hyjmë në këtë marrëveshje me bindjen se shteti forcohet vetëm përmes drejtësisë që vepron, institucioneve që funksionojnë dhe një qeverisjeje që nuk i shmanget llogaridhënies”, thuhet në postimin e publikuar në Facebook, transmeton INA.
Në reagim thuhet se lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia qytetare nuk janë vetëm premtime politike, por detyrime që burojnë nga besimi i qytetarëve.
Po ashtu, partitë vlerësojnë se ky koalicion përfaqëson stabilitet, drejtim dhe qartësi politike, me synim një Republikë më të fortë brenda vendit dhe më të sigurt në arenën ndërkombëtare, me orientim të palëkundur euroatlantik dhe partneritete strategjike të konsoliduara.
“Partia GUXO qëndron në këtë bashkim me përgjegjësi të plotë, për të garantuar se politika nuk mbetet fjalë, por kthehet në veprim që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.
Lajme nga rajoni
KQZ ka bërë të ditur se AKR dhe Nisma Socialdemokrate nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Nisma Socialdemokrate nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.
Sipas njoftimit të KQZ-së, deri në përfundim të afatit zyrtar më 7 maj në orën 24:00, këto dy subjekte politike kanë njoftuar zyrtarisht mospjesëmarrjen në procesin zgjedhor.
“Në listën e partive që kanë konfirmuar se nuk do të garojnë në zgjedhje janë gjithsej nëntë subjekte politike, ndërsa AKR dhe Nisma Socialdemokrate janë ndër partitë më të njohura që kanë vendosur të mos jenë pjesë e garës elektorale”.
Sipas KQZ, Partitë politike që kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Demokratike e Unitetit; 2. Balli Kombëtar i Kosovës; 3. Lëvizja Qytetare Vatra; 4. Bashkimi për Ndryshim Anamorava; 5. Partia e Drejtësisë; 6. Srpski Narodni Pokret; 7. Partia Reforma Demokratike; 8. Aleanca Kosova e Re; dhe 9. Nisma Socialdemokrate”.
Afati për njoftimin e pjesëmarrjes, mospjesëmarrjes apo formimit të koalicioneve ka qenë i hapur nga 1 deri më 7 maj 2026 dhe ka vlejtur për 53 partitë politike të regjistruara në Republikën e Kosovës./Periskopi

