Lajme nga vendi
“QYTETI I SIGURTË” SË SHPEJTI VJEN NË OHËR DHE STRUGË
Në Ohër dhe Strugë, është planifikuar të instalohen gjithsej 40 kamera trafiku, të cilat do të jenë pjesë e sistemit modern të mbikëqyrjes “Qytet i Sigurt”, i destinuar për zbulimin e shkeljeve dhe rritjen e disiplinës në trafik. Sipas njoftimeve, sistemi duhet të fillojë të funksionojë para fillimit të sezonit turistik veror, shkruan OhridNet.
Aktualisht, katër kamera janë instaluar fizikisht në seksionin e autostradës Ohër-Kërçovë, në seksionet midis fshatrave Gorenci dhe Trebenishtë, si dhe Botun dhe Novo Selo. Edhe pse pajisjet janë instaluar, ato ende nuk kryejnë sanksione, pasi janë në fazën e inspektimit teknik dhe testimit, i cili tashmë është përfunduar.
Policia e trafikut të Ohrit thekson se futja e këtij sistemi synon të kontribuojë ndjeshëm në përmirësimin e sigurisë rrugore, duke zvogëluar shkeljet e rregullave të trafikut, aksidentet dhe pasojat për pjesëmarrësit në trafik.
Lajme nga vendi
LSDM: QEVERIA PËRGATIT TERRENIN PËR PRANIMIN E “PROPOZIMIT FRANCEZ”!
Qeveria e Mickoskit po përgatit terrenin për pranimin e Propozimit Francez, tha gjatë një press-konference para Qeverisë, Andrej Zhernovski nga LSDM-ja.
Sipas informacioneve të LSDM-së nga Brukseli, Qeveria tashmë e ka arritur këtë marrëveshje. Këto janë sinjale të qarta që kanë ardhur nga Brukseli, Berlini dhe Parisi”, theksoi Andrej Zhernovski.
Zhernovski tha se mesazhet dhe deklaratat e fundit të Qeverisë tregojnë qartë se kanë dështuar të gjitha përpjekjet për ta fshehur të vërtetën para qytetarëve.
Sipas tij, Qeveria tani po përpiqet ta paraqesë si fitore pikërisht atë që për vite me radhë e ka dënuar.
“E vetmja gjë që po bën tani Mickoski dhe të gjithë rreth tij është të gjejnë mënyrën se si këtë gënjeshtër, që ua shitën votuesve, ta paraqesin si fitore. Po përpiqen të krijojnë një strategji për ta paraqitur si sukses atë që deri dje për ta ishte gënjeshtër dhe tradhti e madhe. Ndryshimi i papritur i qëndrimeve të Qeverisë dhe i ministrit të Punëve të Jashtme nuk është rastësi, por pjesë e përgatitjes së opinionit për pranimin e politikave që më parë i kishin sulmuar ashpër”
Kundërpërgjigja erdhi nga Ministria e Jashtme. Sipas tyre, Konferenca e sotme për shtyp e LSDM-së është edhe një përpjekje për të krijuar histeri dhe për të dezinformuar opinionin publik.
Në vend që të marrë përgjegjësi dhe të kërkojë falje për dëmin që i ka shkaktuar pozitave kombëtare dhe atyre të politikës së jashtme të shtetit, LSDM-ja edhe një herë po plasojnë të pavërteta dhe konstruksione të rënda – thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ), pasi partia opozitare akuzoi se Qeveria po përgatit terrenin për pranimin e “propozimit francez”.
Sipas MPJ-së, pretendimet për ekzistimin e një marrëveshjeje të fshehtë ose negociatave sekrete janë “vetëm një tjetër trillim në vargun e dezinformatave që LSDM-ja ia servon opinionit publik”.
“Fakt është se institucionet komunikojnë rregullisht me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, me institucionet evropiane, me Bullgarinë dhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Këto bisedime zhvillohen në mënyrë transparente, ndërsa qëndrimi i Qeverisë është i qartë dhe është konfirmuar publikisht në disa raste. Nuk ka asnjë lëshim nga interesat kombëtare, identiteti, gjuha dhe historia. Anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian mbetet përcaktim strategjik dhe objektivi përfundimtar i kësaj Qeverie”, thuhet në reagimin e Ministrisë./Tv Koha/
Lajme nga vendi
“TETOVA N’FESTË”: ONE CABLE FITUES I TURNEUT NË STREET BASKET 3X3
Fitues i turneut të sivjetmë në Street Basket 3×3, që ishte edhe manifestimi i fundit në kuadër të verës tetovare v”Tetova n`festë”, doli ekipi “One Cable” , vendi i dytë i takoi ekipit “O1 Kosova” dhe vendi i tretë ekipit “Kino Vllae”.
Për dy netët me radhë në këtë turnir morën pjesë 12 ekipe nga Tetova, Shkupi, Struga dhe një ekip nga Kosova, ndërsa qytetarët e Tetovës dhe jo vetëm, në veçanti mërgimtarët, shijuan momente atraktive në Sheshin e Tetovës, me emocione nga lojat spektakolare , ngulitjet atraktive dhe gara në gjuajtjet për tre pikë.
Organizatori, Komuna e Tetovës për më të mirët ndau shpërblime, kupa dhe mirënjohje adekuate.
Me këtë aktivitet sportiv, pas 25 ditëve, u përmbyll vera tetovare “Tetova n`festë që dhuroi muzikë, argëtim, kulturë, sport dhe shoqërim të ndërsjellë në Sheshin e Tetovës por edhe në Bulevardin “Boris Kidriç”.
Lamtumirë këtij edicioni I ka dhënë edhe Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
‘’Me energjinë, emocionet dhe atmosferën fantastike të turneut të Streetball-it, e përmbyllëm me sukses edicionin e sivjetshëm të “Tetova n’Festë”! Gjatë këtyre javëve, Tetova u shndërrua në një skenë të hapur me muzikë, sport, art, kulturë dhe aktivitete për të gjitha moshat. Faleminderit të gjithë artistëve, sportistëve, organizatorëve, vullnetarëve dhe mijëra qytetarëve e mërgimtarëve që u bënë pjesë e kësaj vere të paharrueshme! Ju faleminderit” – ka shkruar Kasami në Facebook.
Lajme nga vendi
HOXHA HALIMI PËR TV KOHA: VENDIM SHQETËSUES DHE I PAKUPTIMTË!
Vendimi i shtetit shqiptar për ta shpallur “non grata” ishte i papritur për hoxhën dhe ish-ushtarin e UÇK-së, Bekir Halimi.
Në një prononcim për TV Koha, Halimi tha se një vendim i tillë ende nuk i është kumtuar zyrtarisht. Ai u shpreh se është në komunikim të vazhdueshëm me Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Shqipëri dhe pret që njoftimin ta marrë përmes rrugëve zyrtare.
Ishte e papritshme një vendim i tillë i shteti amë, të shqiptarëve për ne si personalitet edhe, ne zyrtarisht Akoma nuk e kemi marrë atë vendim. E kemi kontaktu sot ambasadën e RMV-së në Shqipëri që përmes ambasadës sonë të marrim vendimin zyrtar, të shohim për çka bëhet fjalë, por thjeshtë, ai publikim i atij vendimi nga MPB-ja shqiptare ishte një befasi, ishte e papritshme sepse dmth, nuk përputhet me kontributin dhe sakrificën tonë që e kemi bërë gjatë gjithë këtyre dekadave të jetës sonë në shërbim të interest tonë kombëtar.
Arsyen se pse shteti shqiptar mori një vendim të tillë, Bekir Halimi thotë se nuk e di as vetë ai. Megjithatë, deklaron se do ta ankimojë të njëjtin.
Të gjithë janë të shqetësuar se vendimi është i pakuptimtë, pa bazë ligjore as bazë logjike, për atë shkak ishte edhe ajo përkrahja masive që shihet nëpër rrjetet sociale edhe në qëndrimet e shumë personaliteteve publike, pasiqë aktiviteti im është publik qoftë ai fetar, po edhe ai kombëtar. Për atë arsye të gjithë njerëzit u befasuan me këtë vendim, sepse nuk ka sens, nuk ka logjikë të jetë ai vendim që është marrë. Patjetër, ne nuk mund të pranojmë kësi lloj vendimesh që gjykojmë thellësisht që janë të padrejta dhe jonormale. Ne do të kërkojmë të drejtën tonë edhe Shqipëria është një vend që ne e ndjejmë që është tokë e jona. Liria e qarkullimit në të e llogarisim se është liri bazike dhe sikurse e thamë dje, ne duke pritur Shqipëria për kontributin që kemi dhënë të na mbështet, të na jep nënshtetësi nderi, ata neve na e kufizojnë lëvizjen.
Ndryshe, një ditë më parë, në media u raportua se Ministria e Punëve të Brendshme e Shqipërisë, përmes një vendimi, i ka shpallur “non grata” imamin Bekir Halimi dhe analistin politik, Valon Bela. Një vendim të ngjashëm, disa muaj më parë, shteti shqiptar e mori edhe ndaj shtetases së Kosovës, Igballe Huduti./Tv Koha – Shkup/

