Lajme nga vendi
LSM nesër vazhdon protestat, do të bllokojë rrugët për te Kuvendi
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) ka paralajmëruar protestë me bllokadë që do të mbahet më 10 shkurt 2026 (e martë) para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, duke filluar nga ora 9:00. Bllokimi do të zhvillohet në rrugët “11 Tetori” dhe “Dame Gruev”.
Nga LSM thonë se protesta po organizohet për shkak të, siç deklarojnë ata, heshtjes njëvjeçare të deputetëve për propozimin e tyre për rritjen e pagës minimale dhe pagave të tjera. Sindikata kërkon që paga minimale të rritet menjëherë në 600 euro, dhe pagat e tjera të rriten me të paktën 6,000 denarë ose diferencën që do të rezultojë nga rritja e pagës minimale.
LSM akuzon se deputetët nuk po i dëgjojnë kërkesat e punëtorëve, ndërsa pagat e tyre tashmë janë rritur me 79 përqind, me mundësinë e rritjeje shtesë prej 21.8 përqind. Sipas sindikatës, kjo situatë krijon një hendek të madh midis të ardhurave të zyrtarëve dhe punëtorëve.
LSM njofton se përmes bllokadës do të përpiqet të parandalojë deputetët nga përdorimi i shpenzimeve të udhëtimit dhe u bën thirrje atyre që të votojnë urgjentisht për rritjen e pagave të punëtorëve, si dhe për uljen e të ardhurave të zyrtarëve, në përputhje me iniciativën e tyre. Përndryshe, ata njoftojnë mbledhjen e 10,000 nënshkrimeve për ndryshime ligjore.
“Deputetët do të jenë të parët që do të përballen me zemërimin e punëtorëve, dhe përmes bllokadës do t’ua bëjmë të pamundur atë ditë mbledhjen e shpenzimeve të udhëtimit që tejkalojnë 100 euro në një ditë, për të ardhur në këmbë ose me transport publik ashtu siç shkojnë punëtorët në punë. U kujtojmë atyre se jo vetëm që duhet të votojnë urgjentisht për rritjen e pagës minimale dhe për rritjen e të gjitha pagave të tjera, por duhet të votojnë edhe për uljen e pagave të zyrtarëve sipas iniciativës së LSM-së. Nëse heshtin, ne do të kalojmë në mbledhjen e 10,000 nënshkrimeve me të cilat do të ulim pagat e tyre dhe do të rrisim pagat e punëtorëve”, thotë kryetari i LSM-së, Slobodan Trendafilov në thirrjen e publikuar në rrjetet sociale.
Sindikata informon se gjatë protestës do të mundësohet lëvizja e papenguar e ambulancave, zjarrfikësve dhe automjeteve të policisë. LSM u kërkon ndjesë qytetarëve për çdo vonesë dhe njofton se çdo rast emergjent do të anashkalohet.
Lajme nga vendi
S’dihet kur do të lirohen 128 milionë euro nga Ipard 3! Tripunovski: Monitorojmë çmimet e plehrave artificiale
Nuk dihet kur do të lirohen 128 milionë euro nga programi IPARD 3. Komisioni Evropian nuk ka dhënë afate konkrete për shqyrtimin e raportit që qeveria e Maqedonisë e dorëzoi lidhur me skandalin e korrupsionit me drejtorin e Agjencisë së Pagesave, Ile Stoilev, që çoi në pezullimin e pagesave.
Ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski, në emisionin Biznis 21 tha se në takimin në Bruksel kërkuan që raporti të shqyrtohet sa më shpejt, por nuk morën përgjigje konkrete, vetëm një sinjalizim që do të merret në shqyrtim.
“Diskutuam për raportin e dorëzuar, që të shqyrtohet sa më shpejt dhe ai në mënyrë praktike të shqyrtohet në tërësi nga ana e tyre, nga administrata dhe në përputhje me atë shqyrtim dhe vërejtjet eventuale nëse ka, të veprohet me vazhdimin e mëtejmë të punës së Agjencisë së Pagesave. Nuk kemi përgjigje konkrete, megjithatë kemi një sinjalizim se do të vendoset në procedurë të përshpejtuar shqyrtimi i atij raporti. Bëhet fjalë për raporte voluminoze. Kur saktësisht do të ndodhë nuk mund të them, sepse administrata në Bruksel nuk punon me data konkrete”, theksoi ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski.
Tripunovski për arrestimin e dy drejtorëve nga resori i tij tha se kjo është dëshmi se nuk ka persona të mbrojtur nga pozita e funksionarëve. Tha se nuk do të mbrojë askënd, por edhe se nuk ndjen përgjegjësi.
Ministri pretendon se me vëmendje po ndiqet gjendja me luftën në Iran, e cila përveç çmimeve të naftës i ka rritur edhe çmimet botërore të plehrave për 40 për qind, gjë që mund ta shtrenjtojë edhe ushqimin. Tha se në shtator të vitit të kaluar janë ndarë mbi 46.000 kartela për naftë të gjelbër, të cilat bujqit nuk i përdorin gjatë dimrit dhe tani mund t’ua lehtësojnë shpenzimet.
Dua të them se kjo naftë që e kanë marrë në kartelat e tyre, ose kanë bërë ndoshta rezerva gjatë dimrit ose e përdorin tani, është një lloj ndihme në lehtësimin e këtyre shpenzimeve. Ja ju thashë në pjesën e naftës çfarë kemi bërë, mendoj se kemi derivatet më të lira në rajon. Mirëpo ushqimi është i rrezikuar, këto plehra artificiale u nevojiten bujqve, a do të kemi këtu ndonjë masë shtesë reagimi? Me vëmendje po e ndjekim gjendjen dhe do të reagojmë nëse ka nevojë”, deklaroi Cvetan Tripunovski – ministër i Bujqësisë.
Edhe pse një pjesë e bujqve reaguan se u detyrohen rreth 100 milionë euro për subvencione, ndër to edhe për vitin 2024, Tripunovski siguron se subvencionet paguhen rregullisht.
Lajme nga vendi
Mjeku nga një fshat i Tetovës arrestohet për vrasjen e 76-vjeçarit në Ohër
Një mjek nga fshati Bërvenicë i Tetovës është arrestuar dje, pasi dyshohet se ka kryer vrasjen e një 76-vjeçari në Ohër, mësohet jozyrtarisht, përcjell INA.
Sipas informacioneve, dje rreth orës 17:20 në fshatin Bërvenicë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë, në bazë të një fletarresti qendror të lëshuar nga SPB Ohër, kanë privuar nga liria personin me inicialet Zh.G. (53), i cili dyshohet për veprën penale “vrasje” sipas nenit 123 të Kodit Penal.
Më herët, në orën 08:24, në SPB Ohër ishte raportuar se në shtëpinë familjare në rrugën “Nada Fileva” në Ohër, ishte gjetur pa shenja jete 76-vjeçari me inicialet K.M.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori publik dhe ekipet policore, ndërsa mjeku i ndihmës së shpejtë ka konstatuar vdekjen. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion.(INA)
Lajme nga vendi
Polici i rremë mashtroi shkupjanin për 3.500 euro
Siç njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme, më 24 të këtij muaji, në ora 15:30, në SPB Shkup, 45-vjeçari nga Shkupi ka denoncuar se është mashtruar nga një person.
Sipas denoncimit, personi i është paraqitur, është prezantuar si i punësuar në polici dhe i ka ofruar që t’i kthejë paratë – 40 mijë euro që i ka investuar në firmë të huaj në të cilën ka qenë i punësuar dhe që ka ndaluar me punë.
Nga policia shtojnë se pasi që nuk është kryer shërbimi, denoncuesi ka dyshuar se personi është mashtrues dhe ka denoncuar.
Ministria e Punëve të Brendshme theksojnë se po ndërmerren masat për zbardhjen e plotë të rastit.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Lajme nga rajoni2 days agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Lajme nga bota2 days ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen

