Lajme nga vendi
POLITIKANËT UROJNË RAMAZANIN – BËHET THIRRJE PËR REFLEKTIM!
Me nisjen e Muajit të bekuar të Ramazanit, nuk kanë munguar edhe urimet e krerëve të institucioneve shtetërore por edhe liderëve të partive. Në urimet e tyre bëhet thirrje për unitet, solidaritet dhe reflektim.
Ramazani është një udhëtim i thellë shpirtëror drejt vetëdijes, përulësisë dhe dashurisë për Zotin si dhe ndaj njëri-tjetrit – thotë në urimin e tij, Kryeparlamentari, Afrim Gashi.
“Në heshtjen e agjërimit lind mëshira, forcohet durimi dhe qetësohet shpirti; në sakrificë rritet mirënjohja, ndërsa në lutje gjejmë shpresën që na bashkon” – thuhet në urimin e Gashit.
“Ramazani le të jetë muaj i shenjtë, një fillim i ri për shpirtin dhe një afrim më i madh me njëri tjetrin. Agjërim të lehtë dhe lutje të pranuara” – shkruan shkurt nëpër rrjetet sociale, Kreu I Lëvizjes BESA dhe Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, duke shpërndarë një video-material me pamje nga droni të xhamive në rajonin e Komunës së Tetovës.
Nëse Kasami ka shpërndarë pamje të Xhamive të Rajonit të Tetovës, kreu I Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, nëpër rrjetet sociale, urimit ia ka bashkangjit edhe një foto nga Xhamia e re që mbrëmë u hap në Shkup.
“Në Çair, në rrugët e Shkupit dhe në lagjet ku jehona e ezanit është pjesë e përditshmërisë, Ramazani ka mbajtur gjithmonë një ndjenjë të veçantë” – shkruan në Facebook, Izet Mexhiti.
Me ardhjen e muajit të shenjtë të Ramazanit, hapet një kapitull i veçantë reflektimi, përkushtimi dhe afrimi me Krijuesin – thuhet në urimin e jreut të BDI-së, Ali Ahmetit.
“Ramazani është më shumë se agjërim; është shkollë e durimit, e solidaritetit dhe e pastrimit shpirtëror. Është thirrje për të forcuar besimin, për të shtuar veprat e mira dhe për të ndarë me njëri-tjetrin frymën e mëshirës e të mirëkuptimit” – shkruan Ali Ahmeti nëpër rrjetet sociale.
Urimi për fillimin e Ramazanit nuk ka munguar edhe nga lideri I LSDM-së, Venko Filipçe.
“Agjërimi i Ramazanit është më shumë se traditë, është rikujtues për vlerat më të rëndësishme njerëzore – respektit, solidaritetit, mëshirës dhe mirëkuptimit të mndërsjelltë” – shkruan Filipçe.
“Ky muaj të na udhëheqë drejt veprave të mira, bashkëpunimit dhe solidaritetit, duke na kujtuar rëndësinë e mbështetjes së njëri-tjetrit” – në këtë mënyrë nisjen e Ramazanit e ka uruar edhe kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi.
Urime kanë mbërritur edhe nga ASH-ja.
“Qoftë muaji i Ramazanit një kohë reflektimi për të zbuluar sa më shumë dritë e tolerancë për veten e për njëri-tjetrin sepse kemi shumë nevojë!” – shkruan Arben Taravari.
“Uroj nga zemra çdo besimtarë e besimtare që Zoti të ja lehtësojë agjërimin, t’ua pranojë lutjet e t’ua begatojë jetën.
Të keni shëndet, dashuri, harmoni dhe bereqet në familjet tuaja!” – thuhet në urimin e Ziadin Selës.
Lajme nga vendi
Pas shkumës së bardhë në lumin Vardar, analizat paraprake brenda normave, priten rezultatet përfundimtare
Shkuma e bardhë u shfaq më 24 korrik, ndërsa Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor, në koordinim me institucionet kompetente, ndërmori inspektime të jashtëzakonshme në terren dhe analiza laboratorike për të përcaktuar shkakun e rastit.
Sipas Inspektoratit, gjatë kontrolleve të kryera te subjektet industriale në zonën që janë nën kompetencë shtetërore nuk janë konstatuar parregullsi ligjore. Autoritetet bëjnë të ditur se subjektet kanë vepruar në përputhje me kushtet e përcaktuara në lejet ekologjike për menaxhimin e ujërave të ndotura.
Institucioni thekson se cilësia e ujit në këtë pjesë të Vardarit ndikohet nga faktorë të shumtë, përfshirë ujërat komunale dhe atmosferike, si dhe aktiviteti i një numri të madh subjektesh afariste në zonën përreth, prandaj të gjitha institucionet kompetente po veprojnë në mënyrë të koordinuar.
Raporti paraprak i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup, i dorëzuar më 29 korrik në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, konstaton se parametrat fiziko-kimikë të analizuar nuk i tejkalojnë vlerat kufitare të lejuara.
Njëkohësisht, me kërkesë të Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin Jetësor, mostra janë analizuar edhe nga një laborator i akredituar. Raporti përfundimtar pritet t’i dorëzohet Inspektoratit dhe Ministrisë më 4 gusht, pas së cilës institucionet kanë paralajmëruar se do ta informojnë opinionin për rezultatet përfundimtare.
Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor bëri të ditur se do të vazhdojë me inspektime të rregullta dhe të jashtëzakonshme për të siguruar mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe shëndetit të qytetarëve.
Ndryshe, në lumin Lepenc, i cili e furnizon Lumin Vardar, u shfaq një vëllim i madh i shkumës së bardhë në rrjedhjen e tij në Shkup. Shkuma u raportua si ndotje e madhe e lumit, lum i cili në Karposh bashkohet me Vardarin. Rasti ishte raportuar në orën 14:10./portalb.mk/
Lajme nga vendi
Dyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
Një fëmijë dyvjeçar nga Kumanova është helmuar pasi ka konsumuar një mjet për tretjen e ngjyrës, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas policisë, rasti është raportuar dje rreth orës 14:00, kur Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës ka njoftuar SPB Kumanovë se tek ta ishte sjellë për trajtim një fëmijë dyvjeçar nga Kumanova me shenja helmimi.
Pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, fëmija është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nëna Terezë” në Shkup për trajtim të mëtejshëm.
Nga SPB Kumanovë bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Ky nuk është rasti i parë i helmimit të fëmijëve në rajonin e Kumanovës. Gjatë vitit të kaluar u regjistruan disa raste të ngjashme, ku fëmijë të moshave të ndryshme u helmuan pasi konsumuan mjete për pastrim, dezinfektues ose tableta të lëna në vende të arritshme për ta.
Autoritetet shëndetësore dhe institucionet kompetente apelojnë që produktet kimike, barnat dhe substancat e rrezikshme të ruhen gjithmonë jashtë mundësisë së fëmijëve, për të parandaluar raste të tilla.
Lajme nga vendi
KUJDES MAKSIMAL NGA ZJARRET: NJË SHKËNDIJË MUND TË SHKAKTOJË TRAGJEDI!
Gjatë muajit korrik, mesatarisht janë regjistruar rreth 15 zjarre në hapësira të hapura në ditë. Falë ndërhyrjeve të shpejta të zjarrfikësve dhe mbështetjes nga mjetet ajrore të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), të gjitha zjarret janë vënë me sukses nën kontroll dhe janë shuar. Reshjet e shiut gjatë periudhës së kaluar ndikuan në uljen e numrit të zjarreve dhe ngadalësuan përhapjen e tyre, njoftojnë nga DMSH-ja. Megjithatë, periudha me reshje ka përfunduar. Mjafton vetëm një shkëndijë! – thonë autoritetet.
Zjarri në Leshnicë të Tetovës është lokalizuar –thuhet në njoftimin në Facebook të Komandantit të Zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ameti, I cili thotë se në koordinim të plotë me të gjitha institucionet përgjegjëse, në terren intervenuan dy avionë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe ekipet e zjarrfikësve të Tetovës, të cilat punuan pa ndërprerje dhe me përkushtim maksimal.
“U bëj apel të gjithë qytetarëve që gjatë ditëve në vijim të tregojnë kujdes maksimal, të mos ndezin zjarr në ambiente të hapura dhe të raportojnë menjëherë çdo tym apo vatër zjarri në numrin emergjent 112” – thotë Avni Ameti.
Por, jo vetëm kaq!
Sipas tij, pas çdo zjarri që shuhet, fshihet një histori sakrifice, guximi dhe përkushtimi.
Zjarrfikësit përballen çdo ditë me rrezikun për të mbrojtur jetën, familjet dhe pronën e qytetarëve. Nuk është thjesht një profesion – është një mision që kërkon zemër, disiplinë dhe vendosmëri.
Shumica e zjarreve shkaktohen pa qëllim. Qytetarët zakonisht nuk synojnë të shkaktojnë zjarr, por një pakujdesi e vetme mund të ketë pasoja të rënda.
Prandaj bëhet thirrje që të mos hidhen bishta cigaresh në hapësira të hapura, veçanërisht nga automjetet në lëvizje.
-Mos ndizni zjarr apo skara në pyje dhe në vende me bimësi të thatë.
-Pastroni barin e tharë dhe shkurret rreth shtëpive dhe uikend-shtëpizave -dhe krijoni një brez mbrojtës.
-Mos digjni kashtën dhe kullotat. –
-Tregoni kujdes gjatë përdorimit të veglave që krijojnë shkëndija, si gurët prerës dhe aparatet e saldimit.
-Fermerët të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të pajisjeve për largimin e shpendëve, të cilat mund të shkaktojnë zjarr.
U bëhet thirrje qytetarëve që çdo sjellje të dyshimtë ta raportojnë menjëherë në stacionin më të afërt policor ose në numrin 112.
Raportoni persona që mbajnë lëndë të dyshimta të lëngshme, pishtarë, fishekzjarre të mëdha ose mjete e aktivitete të tjera që mund të shkaktojnë zjarr.
Në kushtet e temperaturave jashtëzakonisht të larta kërkohet kujdes maksimal.
Një shkëndijë mund të shkaktojë një tragjedi të madhe!” – apelojnë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim./Tv Koha/

