Lajme nga vendi
Fetai: – Gjuha shqipe qëndrestare përballë çdo sfide, bashkëjetesa shumëgjuhëshe është vlerë e shoqërisë sonë
Sot, në ambientet e Klubit të Deputetëve, u shënua Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, akademikëve, profesorëve
universitarë, studiuesve dhe të ftuarve të tjerë.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, zëvendëskryeministri për qeverisje të mire Arben Fetai theksoi rëndësinë e gjuhës amtare si themel i identitetit kulturor, institucional dhe shoqëror, duke vënë theks të veçantë në përdorimin korrekt dhe të qartë të gjuhës në administratë, arsim dhe media.
Ai nënvizoi se gjuha shqipe në këto hapësira ka kaluar rrugë të gjatë historike, duke mbetur gjithmonë e gjallë dhe funksionale, pavarësisht sfidave. Në këtë drejtim, ai theksoi se hartimi dhe promovimi i fjalorit të ri përbën hap të rëndësishëm drejt standardizimit dhe unifikimit të terminologjisë në dokumentet zyrtare, tekstet shkollore dhe komunikimin publik.
“Paqartësitë në terminologji dhe në formulimet zyrtare shpesh bëhen burim keqkuptimesh,zvarritjesh procedurale dhe interpretimesh të ndryshme. Prandaj, qartësia gjuhësore nuk është vetëm çështje norme, por edhe çështje funksionaliteti institucional dhe respekti ndaj qytetarit,” theksoi zëvendëskryeministri Fetai.
Ai shtoi se në kohën e komunikimit të menjëhershëm dhe të shpërndarjes së shpejtë të informacionit, përgjegjësia për përdorim të drejtë dhe profesional të gjuhës bëhet edhe më e madhe, sidomos për institucionet publike dhe mediat.
Në përmbyllje, zëvendëskryeministri i parë shprehu mirënjohje për punën dhe angazhimin e profesorëve, studiuesve dhe ekspertëve që kanë kontribuar në përgatitjen e fjalorit të ri, duke uruar që ai të bëhet referencë e përditshme në praktikën institucionale, arsimore dhe mediatike.
Mbetemi të përkushtuar në mbështetjen e nismave që forcojnë përdorimin e drejtë, të barabartë dhe funksional të gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, në përputhje me standardet ligjore dhe parimet e bashkëjetesës shumëgjuhësore.
Lajme nga vendi
Mesatarja e maturës në RMV këtë vit arrin në 3.66
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë publike rezultatet përfundimtare të afatit të qershorit të maturës, dy muaj pas zhvillimit të provimit të parë ekstern dhe pas përfundimit të shqyrtimit të ankesave.
Nga të tri format e maturës është regjistruar një mesatare e përgjithshme prej 3.66. Në maturën shtetërore rezultati mesatar ishte 3.62, në maturën shtetërore profesionale arriti në 3.91, kurse në maturën shtetërore artistike ishte 3.59.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, u shpreh e kënaqur me rezultatet. Ajo vuri në dukje se mesatarja është thuajse e njëjtë me atë të vitit të kaluar, e cila ishte 3.69, ndërsa është më e lartë se në vitin 2024, kur u shënua mesatarja 3.26.
“Vlerësoj se këto janë rezultate objektive për shkak të përgatitjes së të gjithë të përfshirëve në organizimin e maturës”, deklaroi Janevska.
Për provimet eksterne të afatit të qershorit u regjistruan 14.587 nxënës që e kanë përfunduar arsimin e mesëm gjatë vitit shkollor 2025/2026. Maturën shtetërore e kanë dhënë 12.184 prej tyre, maturën shtetërore profesionale 2.276, ndërsa maturën shtetërore artistike 127 nxënës.
Nga të regjistruarit, 348 nxënës nuk u paraqitën në provime. Kjo shifër përbën 2,39 për qind të numrit të përgjithshëm.
Për herë të parë këtë vit, maturantët iu nënshtruan tri llojeve të provimeve: maturës shtetërore, maturës shtetërore profesionale dhe maturës shtetërore artistike.
Gjuha angleze ishte provimi më i përzgjedhur, me 13.208 nxënës të paraqitur. Sipas llojit të maturës, kandidatët mund të zgjidhnin gjithashtu matematikën, gjuhën frënge, gjermane, ruse ose italiane, ndërsa historia ofrohej si zgjedhje në maturën artistike.
Lajme nga vendi
QMK: Mbrëmë janë regjistruar 20 zjarre në hapësira të hapura, vetëm një është aktiv në Makedonski Brod
Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) informon se gjatë 24 orëve të fundit, deri në orën 07:30, janë regjistruar gjithsej 20 zjarre në hapësira të hapura në territorin e Maqedonisë.
Sipas raportit të fundit, vetëm një zjarr është aktiv aktualisht, një është vënë nën kontroll, ndërsa 18 zjarre janë shuar plotësisht.
Zjarri në deponinë në Dellçevë është nën kontroll, ndërsa shërbimet kompetente vazhdojnë ta monitorojnë situatën.
Ndërkohë, zjarrfikësit ndërhynë me sukses dhe shuan 18 zjarret e mbetura, të cilat u regjistruan në disa komuna në të gjithë vendin, duke përfshirë Karposhin, Petrovecin, Butelin, Manastirin, Bogdancin, Prilepin, Dollnenin, Kavadarin, Negotinën, Vinicën, Zërnovcin, Likovën, Kratovën, Rankovcën, Zhelinën, Tearcën dhe Gostivarin.
Lajme nga vendi
Analizat e ujit në Gostivar, do të publikohen deri më 20 gusht
Më shumë detaje rreth epidemisë me ujin e kontaminuar në Gostivar do të dihen deri më 20 gusht, kur Ministria e Shëndetësisë do të publikojë analizën, njoftoi ministri Sasho Klekovski.
“Po dalim nga faza akute dhe tashmë po hyjmë në një periudhë normale. Numri i pacientëve të regjistruar rishtazi ditët e fundit ka qenë midis 40 dhe 80, që është brenda numrave të zakonshëm të gushtit”, tha Klekovski në “Kanal 5”.
Ai theksoi se epidemia nuk do të përfundojë zyrtarisht derisa të përjashtohet mundësia që rastet e reja të lidhen me ujin e pijshëm, duke shtuar se ekipi i ekspertëve po punon për një analizë të detajuar.
“Kronologjinë do ta ndajmë me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Qendrën për Menaxhimin e Krizave, dhe më pas do ta publikojmë”, tha Klekovski.
Duke iu referuar kritikave nga opozita, Ministri tha se është gati të japë një deklaratë para Prokurorisë Publike nëse, siç tha ai, “përcaktohet se çfarë krimi kam kryer”.

