Lajme nga vendi
Drejtori i Burgut të Shutkës përgënjeshtron Prokurorinë: Grubi ishte i sigurt në “Shutkë”
Drejtori i Burgut të Shutkës Boban Utkovski thekson për Alsat se nuk është e vërtetë që siguria e Artan Grubit do të ishte rrezikuar nëse do të qëndronte në paraburgim. Siç thotë Utkovski, ata ruajnë mbi 300 persona të kategorive të ndryshme të krimit dhe asnjëri nuk është i rrezikuar, pasi siguria është në nivelin më të lartë të mundshëm.
“Çdo të burgosuri i është e garantuar siguria brenda. Prapa nesh qëndron shteti, në pajtim me ligjet dhe dispozitat që janë të shkruara dhe ne i zbatojmë”. 02:55 “Ne punojmë në pajtim me ligjet dhe dispozitat për sigurinë e çdo personi të paraburgosur, mund të them se këtu nuk është kartel meksikan”, deklaroi Boban Utkovski, Drejtor i Burgut të Shutkës.
Drejtori Utkovski thotë se ekziston protokoll i saktë që garanton sigurinë e çdo të paraburgosuri, ndërsa për sigurinë fizike kujdesen edhe njësitet speciale.
“Këtu kemi sigurim dinamik dhe fizik, kemi kamera, kemi qen, kemi sistem të veçantë të mbajtjes së masës së paraburgimit ku është sistemi i qelisë. Kemi mënyrë të veçantë të zhvendosjes nga qelia, bartja te korridori ku parashikohet një orë për shëtitje, pastaj kur dërgohen tek avokati. E gjithë kjo është sipas protokollit dhe ligjit”, tha Boban Utkovski, Drejtor i Burgut të Shutkës.
Lidhur me rastin e Grubit, drejtori Utkovski thotë që askush nuk e ka kontaktuar as nga Prokuroria, Ministria e Brendshme apo Agjencia për Siguri Nacionale lidhur me gjendjen e sigurisë. Ndërkohë Utkovski thekson faktin që edhe nëse nuk do t’i kishin përmbushur kushtet e sigurisë, në shtet ekzistojnë dhe katër burgje të tjera hetuese ku do të mund të ishte dërguar për mbajtje. Nëse plani do të ishte për ta lëshuar në shtëpi, Utkovski thotë se do të duhej që të mendonin ndonjë mënyrë më të logjikshme se kjo. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

