Lajme nga vendi
Qeveria u merr licencat 6 kompanive të kanabisit
Gjashtë kompanive u janë marrë licencat për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Tek to u konstatuan mospërputhje, kumtoi sot ministri i Shëndetësisë Azir Aliu në konferecën për shtyp në Qeveri.
Janë marrë licencat, siç tha, e Alfafamit, e cila ishte e përfshirë në kontrabandën e marihuanës në Serbi, pastaj të Grin llajf, CBD medplant, Llajf plant, Atafarm dhe Kanabidois.
“Vendimet e Qeverisë bazohen në gjetjet e kontrolleve të kryera – magazinim jo i duhur i lules së tharë, njoftime jo konsistente ndaj Komisionit, mosparaqitje e dokumentacionit të plotë për shitje dhe transferim”, potencoi Aliu.
Përveç kontrolleve të kryera deri më tani në 13 subjekte juridike, Aliu paralajmëroi kontrolle në të gjitha 43 subjektet juridike të cilat kultivojnë kanabis për qëllime mjekësore.
Për shkak të lëshimeve dhe kepërdorimeve të mundshme të identifikuara në rregulloret ekzistuese ligjore, Aliu njoftoi një zgjidhje të re ligjore që do të miratohet kur të përfundojnë kontrollet në të 43 subjektet ligjore.
“Kemi detektuar lëshime në ligj dhe do të kemi një zgjidhje të re ligjore që nuk do të mund të keqpëroren. Këtë do t’ua lëmë ekspertëve, por do të kemi një zgjidhje ligjore e cila do të jetë në përputhje me direktivat e BE-së dhe atë që mungon në terren”, tha Aliu.
Lajme nga vendi
TETOVA N’FESTË NDEZ ATMOSFERËN, MIJËRA TË RINJ MBUSHËN SHESHIN “ILIRIA”
Në kuadër të organizimit “Tetova n’Festë”, mbrëmja e kaluar u shndërrua në një festë të vërtetë të muzikës dhe argëtimit, duke mbledhur mijëra qytetarë, veçanërisht të rinj, në sheshin “Iliria”. DJ NIKK, ELGID DODA, SAMM, Melinda Ademi dhe Shkumbin Ismaili sollën një atmosferë të jashtëzakonshme me performancat e tyre, duke interpretuar hitet më të njohura dhe duke e mbajtur publikun të entuziazmuar deri në orët e vona të mbrëmjes.
Energjia e artistëve dhe pjesëmarrja masive e publikut e shndërruan sheshin në epiqendrën e festës, ku muzika, vallëzimi dhe atmosfera pozitive krijuan një mbrëmje të paharrueshme. Çdo interpretim u shoqërua me duartrokitje, këndim në kor dhe entuziazëm të madh nga të pranishmit, duke e bërë koncertin një nga ngjarjet më të spikatura të këtij edicioni të festivalit.
Një nga momentet më mbresëlënëse të mbrëmjes ishte numri i jashtëzakonshëm i pjesëmarrësve. Sheshi “Iliria” ishte i mbushur me mijëra të rinj, duke krijuar një pamje që rrallë është parë në Tetovë. Atmosfera festive, energjia e publikut dhe pjesëmarrja masive bënë që shumë qytetarë ta cilësonin këtë si një nga mbrëmjet me praninë më të madhe të rinisë në shesh.
Entuziazmi i tyre, këndimi i çdo kënge dhe emocionet e ndara me artistët krijuan një atmosferë unike, duke dëshmuar se “Tetova n’Festë” po shndërrohet në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe argëtuese të qytetit.
Interesimi i madh i publikut dëshmoi edhe një herë rëndësinë e organizimeve të tilla për jetën kulturore dhe sociale të Tetovës. Ky festival jo vetëm që sjell emra të njohur të skenës muzikore shqiptare, por krijon edhe një hapësirë ku qytetarët dhe vizitorët mund të kalojnë mbrëmje të mbushura me muzikë, argëtim dhe atmosferë festive.
Programi i “Tetova n’Festë” vazhdon edhe sonte me një mbrëmje të dedikuar adhuruesve të muzikës ndër vite. Në skenën e sheshit “Iliria” do të performojnë Sabri Fejzullahu, Grupi Minatori, Naser Berisha dhe DJ Shock. Organizatorët presin një tjetër mbrëmje madhështore, me pjesëmarrje të madhe të qytetarëve dhe një atmosferë festive që do të bashkojë breza të ndryshëm përmes muzikës dhe argëtimit./Tv Koha/
Lajme nga vendi
ETHET E NILIT PERËNDIMOR: 13 RASTE TË KONFIRMUARA – TRE NË GJENDJE KRITIKE!
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se deri më 30 korrik 2026, në vend janë konfirmuar gjithsej 13 raste me ethet e Nilit Perëndimor.Në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile janë të shtruar 10 pacientë me infeksion të konfirmuar, prej të cilëve tre ndodhen në gjendje kritike.
Deri më 30 korrik, në vend janë konfirmuar 13 raste me ethet e Nilit Perëndimor, ndërsa në Klinikën për Sëmundje Infektive vazhdojnë të trajtohen 10 pacientë, prej të cilëve tre janë në gjendje kritike.
Për shkak të situatës aktuale epidemiologjike dhe bazuar në vlerësimin profesional të rrezikut, Ministria e Shëndetësisë ka obliguar Qendrën për Shëndet Publik – Shkup të realizojë dezinsektim shtesë tokësor (adulticid) kundër mushkonjave. Trajtimi i jashtëzakonshëm është kryer gjatë natës si masë shtesë parandaluese për të ulur rrezikun e përhapjes së infeksionit.
Ministria thekson se, së bashku me Institutin e Shëndetit Publik, qendrat rajonale të shëndetit publik dhe institucionet shëndetësore, mbetet në koordinim të vazhdueshëm dhe do ta informojë me kohë opinionin për çdo zhvillim të ri dhe masat e ndërmarra.
Si pjesë e aktiviteteve parandaluese, gjatë natës është realizuar edhe një dezinsektim shtesë kundër mushkonjave, me qëllim uljen e rrezikut nga përhapja e mëtejshme e infeksionit.
Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me institucionet kompetente dhe do ta mbajë publikun të informuar për të gjitha zhvillimet e reja.
Lajme nga vendi
Mucunski: Fetai njeh të gjitha gjuhët zyrtare belge dhe ka kontakte që mund t’i vlejnë shtetit
Emërimi i Arben Fetait si i dërguar special në BE është një çështje legjitime për t’u diskutuar, deklaroi ministri i Jashtëm i RMV-së, Timço Mucunsk. Sipas tij, publiku meriton sqarime edhe për pretendimet se ish-zëvendëskryeministri, gjatë një periudhe të caktuar të mandatit, nuk paraqitej në punë, ndonëse merrte pagë.
“Fillimisht duhet të tregojmë hapur se kush është Arben Fetai. Shkollimin e ka kryer në Belgjikë dhe zotëron të gjitha gjuhët zyrtare të këtij shteti”, u shpreh ai.
Mucunski theksoi se Fetai, krahas njohjes së të gjitha gjuhëve zyrtare të Belgjikës, ka punuar dhe ka qenë i angazhuar në organizata të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare në Bruksel. Përmes kësaj përvoje, sipas tij, ai ka krijuar një rrjet kontaktesh që mund të vihet në funksion të interesave shtetërore.
Ai shtoi se Arben Fetai mban shtetësi të dyfishtë, atë të RMV-së dhe të Belgjikës. Në mungesë të shtetësisë së dyfishtë, sipas ministrit, Fetai ndoshta do të ishte kandidati ideal për ambasador të RMV-së në BE. Mucunski e përshkroi atë edhe si një bashkëpunëtor të shkëlqyer në Qeveri, duke nënvizuar se kritikat bëhen lehtë, por se diskutimi duhet të mbështetet në fakte.
“Për shkak të ritmit të aktiviteteve, kemi nevojë për një person atje. Gjatë kësaj periudhe të veçantë, ai do të jetë në shërbim të shtetit. Biografia e tij përputhet me profilin që kërkojmë për atë pozicion”, tha Mucunski.

