Lajme nga vendi
BDI: Jo iniciativa të reja, por zbatim i Ligjit për Gjuhët. Pa zbatim të Ligjit për Gjuhët, çdo “zgjidhje” është mashtrim
Çfarëdo iniciative e re që synon të anashkalojë zbatimin e drejtpërdrejtë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në provimet për kandidatët juristë përbën një mashtrim të madh dhe një përpjekje për të shmangur obligimet që burojnë nga ligji. Çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në këto provime nuk është çështje që kërkon zgjidhje të reja, iniciativa të reja apo interpretime të reja, por kërkon vetëm zbatim të ligjit ekzistues. Çdo devijim nga kjo rrugë përbën në thelb shmangie të detyrimeve ligjore dhe degradim të statusit aktual gjuhësor.
Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është lex specialis dhe si i tillë ai zbatohet drejtpërdrejt dhe ka përparësi në raport me ligjet e tjera. Ky ligj është i qartë, preciz dhe i plotë në situatat që i parasheh, përfshirë edhe përdorimin e gjuhëve për provimin e jurisprudencës, noterisë dhe përmbarimit. Për këtë arsye, çdo iniciativë për harmonizim të ligjeve të tjera me arsyetimin se vetëm pas harmonizimit mund të zbatohet përdorimi i gjuhës shqipe përbën shkelje të rendit juridik dhe relativizim të një të drejte të garantuar me ligj.
Qëndrimi se problemi zgjidhet përmes harmonizimit të ligjeve për provimin e jurisprudencës, noterisë dhe përmbarimit është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, konkretisht me nenin 23 paragrafët 4 dhe 5, të cilat tashmë e rregullojnë qartë përdorimin e gjuhës dhe nuk lënë asnjë hapësirë që kjo e drejtë të kushtëzohet me harmonizim të ligjeve apo me kërkesë nga kandidati. E drejta e përdorimit të gjuhës nuk është favor, por e drejtë e garantuar dhe nuk mund të varet nga procedura shtesë administrative apo interpretime të gabuara.
Problemi real nuk është mungesa e harmonizimit të ligjeve, por mungesa e vullnetit për të zbatuar Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Propozime të tilla, përfshirë edhe ato të Avokatit të Popullit, në thelb përfaqësojnë ulje të standardit të të drejtave gjuhësore, kurse “eksperti” që i del në mbrojtje këtij qëndrimi sështë asgjë tjetër përpos mercenar për të shkaktuar konfuzion.
Nëse pranohet logjika se e drejta varet nga harmonizimi i ligjeve, atëherë me të drejtë shtrohet pyetja: çfarë ndodh nëse ligjet nuk harmonizohen? A do të thotë kjo se qytetarët dhe studentët nuk kanë të drejtë të përdorin gjuhën e tyre? Një interpretim i tillë është i papranueshëm dhe në kundërshtim me vetë thelbin e të drejtave të garantuara me ligj dhe me Kushtetutë.
Kjo çështje nuk zgjidhet me iniciativa të reja, as me komisione, as me harmonizime të pafundme, por zgjidhet vetëm në një mënyrë: duke zbatuar drejtpërdrejt Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Lajme nga vendi
ULET ÇMIMI I BENZINËS – ÇMIMI I DIZLEIT MBETET I NJËJTË!
Sonte pas mesnate çmimi i benzinës ulet për 2.5 denarë për një litër EUROSUPER BS-95 dhe për 3 denarë për EUROSUPER BS-98, kurse çmimi I dizleit mbetet i njëjtë – ka njoftuar Komisioni Rregullator për Energjetikë.
Çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë: 84 denarë për një litër EUROSUPER BS-95 dhe 85.50 denarë për një litër EUROSUPER BS-98.
Çmimi me pakicë I vajit eksytra të lehtë për amvisëri rritet për 0.50 denarë për litër, kurse I mazutit ulet për 0.663 denarë për kilogram.
Tregtarët me shumicë dhe tregtarët me pakicë me derivate të naftës dhe karburantë për transport mund t`i formojnë çmimet e disa derivateve të caktuara në nivelin më të ulët nga çmimet më të larta të konstatuara nga autoritetet – thonë nga Komisioni Rregullator për Energjetikë.
Lajme nga vendi
Në pritje të festave të Pashkëve inspektorët e AUV njoftojnë se po kryen kontrolle të përforcuara mbi operatorët e ushqimit. Vezët, mishi, ngjyrat dhe produkte të tjera ushqimore
Në pritje të festave të Pashkëve dhe kërkesës tradicionalisht të rritur për vezë, ngjyrues vezësh, mish dhe produkte të tjera ushqimore, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) njoftoi se po kryen kontrolle të përforcuara mbi operatorët e ushqimit në të gjithë vendin.
Njoftimi thotë se kontrollet synojnë të gjitha segmentet e zinxhirit ushqimor – prodhimin, përpunimin, shpërndarjen dhe shitjen – me qëllim parandalimin e vendosjes së produkteve të pasigurta dhe shtypjen e tregtisë së paligjshme.
“Inspektorët e ushqimit të AUV dhe veterinerët zyrtarë janë në terren duke kontrolluar në detaje nëse operatorët i plotësojnë të gjitha kërkesat e përgjithshme dhe specifike të sigurisë ushqimore. Lidhur me ngjyruesit e vezëve dhe vezët, përveç kushteve të ruajtjes dhe trajtimit dhe etiketimit, theksi do të vihet edhe në kontrollet e importit, ku çdo dërgesë importi do t’i nënshtrohet një inspektimi fizik në pikën e shkarkimit.”
“Mbikëqyrja e intensifikuar mbulon tregjet, objektet e hotelerisë, dyqanet e specializuara të vezëve, prodhuesit dhe tregtarët e ngjyrave të vezëve dhe importuesit e tyre, si dhe kasapët dhe tregjet e gjelbra. Me këto aktivitete, AUV vepron në mënyrë parandaluese dhe siguron që qytetarët të kenë qasje të besueshme në produkte të sigurta dhe cilësore për tryezën festive. Si institucion përgjegjës, u bëjmë apel qytetarëve të jenë konsumatorë të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm dhe të blejnë ushqim ekskluzivisht nga operatorë të miratuar dhe të regjistruar që janë nën kontrollin e Agjencisë.”
Lajme nga vendi
INTEGRIMI NË BE: DEKLARATA E MICKOSKIT – REAGIME!
Qeveria nuk do të pranojë ndryshime kushtetuese nën kushte që prekin drejtpërdrejt identitetin maqedonas, pa një parashikueshmëri të qartë dhe një përfundim të sigurt të procesit.
Këtë e përsëriti edhe një herë kryeministri Mickoski, duke iu përgjigjur dje një pyetjeje të gazetarëve dhe duke theksuar nevojën për një proces të parashikueshëm.
“Ne nuk mund të hyjmë në një aventurë. Nuk e injorojmë elefantin në dhomë – ai është aty dhe është sjellë nga ata para nesh. Nëse duhet, do të presim edhe me dekada. Por politika që ndikojnë drejtpërdrejt në identitetin tonë, ndërkohë që nga ana tjetër nuk ofrojnë parashikueshmëri dhe një fund të qartë të procesit, nuk kam ndërmend, për sa kohë që jam kryeministër, të hyj në një aventurë të tillë me çdo kusht”
Për këtë çështje foli edhe ambasadori francez në Maqedoni, Kristof Le Rigoler, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, por ai e lidh parashikueshmërinë me miratimin e ndryshimeve kushtetuese si faza e parë e procesit, pas së cilës vendi do të vendoste një ritëm të qartë në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian.
“Ne priremi të konsiderojmë se korniza negociuese e vitit 2022 e ofron këtë parashikueshmëri, duke përcaktuar etapat që duhet të ndiqen. Një nga këto etapa është miratimi i amendamenteve kushtetuese. Qëndrimi ynë është se, nëse nesër këto ndryshime miratohen – gjë që në parim duket e mundur duke parë përbërjen e Kuvendit dhe shumicën e gjerë të Qeverisë – nuk mendojmë se partitë opozitare do ta kundërshtonin këtë hap të rëndësishëm në rrugën drejt BE-së”
Qëndrimet e Kryeministrit janë kritikuar nga LSDM-Ja. Sipas tyre, deklarata e këtillë e Mickoskit paraqet “tradhëti ndaj interesave kombëtare” dhe se me vetëdije hiqet dorë nga e ardhmja evropiane.
“Kjo do të thotë dekada varfëri të garantuar, breza të humburt për shkak të migrimit të të rinjve, biletë në një drejtim për rininë maqedonase. Do të thotë dekada krim dhe korrupsion dhe zhytje në baltën e Mickoskit dhe bandës së tij kriminale”
Pse VMRO-DPMNE po e minon procesin e integrimit në BE? Ish-Ministri i Jashtëm nga radhët e BDI-së, Bujar Osmani, përmend tre arsye që veprojnë njëkohësisht dhe e bëjnë këtë kurs të qëndrueshëm.
Sponsorizimi i jashtëm, Mungesa e kundërpeshës së brendshme dhe Elektorati pa presion
“Në këtë kombinim,shtytje nga jashtë, boshllëk nga brenda dhe mungesë presioni nga poshtë, bllokimi i integrimit nuk është aksident.
Është rezultat i një ekuilibri të ri politik” – shkruan Osmani në Facebook.
Por, pavarësisht bllokadës në të cilën është gjendur vendi, në Maqedoni nuk po rritet euroskepticizmi. Përkundrazi, një shumicë e madhe e qytetarëve mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, një përqindje edhe më e lartë është kundër ndryshimeve kushtetuese.
Sipas hulumtimit të fundit të Institutit për Demokraci “Societas Civilis” – Shkup, të publikuar në fund të janarit të këtij viti, 71% e qytetarëve mbështesin anëtarësimin në BE, që paraqet një rritje prej gati 10% krahasuar me vitin e kaluar.
Por vetëm 24% mbështesin ndryshimet kushtetuese.
Ndërkohë, ekziston një dallim i madh mes qëndrimeve të grupeve etnike: 57% e shqiptarëve janë pro ndryshimeve kushtetuese, ndërsa vetëm 11% e maqedonasve janë në favor të tyre.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Lajme nga bota4 days ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni4 days agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni

