Connect with us

Lajme nga bota

200 viktima në Liban, Teherani: Sulmet izraelite, shkelje e rëndë e armëpushimit SHBA-Iran

Published

on

Sulmet izraelite ndaj Libanit të mërkurën përbëjnë një shkelje të rëndë të armëpushimit SHBA-Iran, deklaroi Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Saeed Khatibzadeh, në një intervistë ekskluzive për programin Today të BBC-së.

Shtetet e Bashkuara “duhet të zgjedhin” nëse duan luftë apo paqe. Nuk mund të kesh të dyja gjërat njëkohësisht. Ato përjashtojnë njëra-tjetrën, është mjaft e qartë,” u shpreh ai. “ Teherani kërkon “nga të gjithë në Lindjen e Mesme të respektojnë këtë marrëveshje… dhe presim që amerikanët të bëjnë të njëjtën gjë me aleatët e tyre,” shtoi Khatibzadeh.

“Nuk mund të kërkosh një armëpushim dhe pastaj të pranosh termat dhe kushtet e tij, të pranosh të gjitha zonat ku aplikohet armëpushimi, duke përmendur veçanërisht Libanin, dhe pastaj të lejojë që aleati yt të nisë një masakër”, vazhdoi ai.

Numri dy i diplomacisë iraniane shkoi deri aty sa t’i përshkruante sulmet izraelite si një “lloj gjenocidi”. Izraeli ndërmori mbrëmjen e djeshme më shumë se 100 sulme ajrore ndaj atyre që i përshkroi si objektiva të Hezbollahut.

BBC thotë se u goditën zona me dendësi të madhe popullsie, dhe Izraeli sipas gjigandit mediatik, e dinte se kjo do të sillte patjetër një numër të lartë viktimash. Sipas ministrisë libaneze të shëndetësisë , të paktën 182 persona u vranë, bilanc ky që ka të ngjarë të rritet edhe më tej. Të plagosurit janë gati 900. Është e vështirë të kuptohet se cili është strategjia afatgjatë izraelite, vazhdon BBC, që citon edhe zyrtarë ushtarakë izraelitë të pohojnë se është e vështirë në fakt, që Hezbollahu të çarmatoset me forcë.

Advertisement

Ndërkohë, më shumë se një ditë pas shpalljes së armëpushimit SHBA-Iran, ngushtica e Hormuzit në fakt mbetet ende e mbyllur: televizioni iranian Press TV raporton për një mbyllje totale, me anije që kthehen mbrapsht nga autoritetet iraniane. Këtë e konfirmon edhe agjencia kineze Xinhua, sipas të cilës shumë grupe anijesh janë ende ankoruar në Gjirin Persik.

Në rajon ndodhen aktualisht mbi 400 cisterna nafte, 34 anije që transportojnë gaz të lëngshëm dhe 19 të tjera me gaz metan. Para luftës, sipas të dhënave të revistës detare Lloyd’s List, një mesatare prej 107 anijesh tregtare kalonte çdo ditë në ngushticën e Hormuzit.

Lajme nga bota

Franca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize

Published

on

Presidenti francez Emmanuel Macron do të mbledhë këtë të hënë kabinetin në një takim krize, ndërsa zjarret masive që kanë përfshirë jugperëndimin e Francës po i afrohen qytetit të Bordeaux.
Flakët ndodhen rreth 15 kilometra nga qyteti me afro 850 mijë banorë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se vala e re e të nxehtit, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius, mund ta përkeqësojë më tej situatën.
Deri më tani, mbi 220 mijë persona janë evakuuar nga zonat përreth Bordeaux. Ministri i Brendshëm francez deklaroi se zjarri po lëviz në mënyrë të paparashikueshme dhe situata mbetet “shumë e pafavorshme”. Megjithatë, autoritetet nuk kanë urdhëruar ende evakuimin e qytetit.
Sipas Federatës Kombëtare të Zjarrfikësve, zjarri në rajonin e Girondës ka krijuar një fenomen të rrallë të njohur si “pyrocumulonimbus”, një stuhi gjigante e krijuar nga vetë flakët, që gjeneron erëra dhe vetëtima, duke e bërë shumë të vështirë kontrollin e tij. “Fronti i zjarrit ndryshon vazhdimisht. Nuk mund ta luftojmë drejtpërdrejt. Është si beteja e Davidit kundër Goliathit“, u shpreh zëdhënësi i zjarrfikësve, Eric Brocardi.
Që nga fillimi i vitit, në Francë janë djegur rreth 98 mijë hektarë sipërfaqe, ndërsa vetëm në rajonin jugperëndimor janë shkrumbuar mbi 42 mijë hektarë, në një nga zjarret më të mëdha pyjore që ka përjetuar vendi që nga Lufta e Dytë Botërore.
Situata mbetet kritike edhe në Spanjë, ku një zjarr i ri pranë Valencias ka detyruar evakuimin e rreth 15 mijë banorëve. Në total, mbi 90 mijë persona janë larguar nga zonat përreth Madridit dhe Ávilës.
Sipas autoriteteve spanjolle, rreth 77 mijë hektarë tokë janë përfshirë nga flakët këtë vit, ndërsa kryeministri Pedro Sanchez paralajmëroi se vendin e presin “orë të vështira” dhe bëri thirrje për një angazhim më të madh në përballimin e emergjencës klimatike.
Continue Reading

Lajme nga bota

Festivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori

Published

on

Një festival i madh ushqimi në Seattle u kthye në skenë tragjedie mbrëmjen e së dielës, pasi të shtënat me armë zjarri lanë dy persona të vdekur dhe disa të tjerë të plagosur, mes tyre edhe një fëmijë 2-vjeçar.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 në Qendrën e Seattle-it, ku po zhvillohej festivali tradicional tre-ditor “Bite of Seattle”, që çdo vit mbledh qindra mijëra vizitorë.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve, dy persona humbën jetën në vendngjarje, ndërsa katër të plagosur u dërguan në spital. Një grua mori ndihmë mjekësore në vend, por refuzoi transportimin në spital.
Qendra Mjekësore Harborview bëri të ditur se të gjithë të plagosurit kishin marrë plagë nga armët e zjarrit. Një grua ndodhet në gjendje kritike, ndërsa të tjerët kanë pësuar lëndime në krah, këmbë, bark dhe pjesën e poshtme të këmbës.
Policia e Seattle-it arrestoi një të dyshuar për ngjarjen. Kryebashkiakja Katie Wilson konfirmoi se një person është në paraburgim, ndërsa hetimet për motivin e sulmit vijojnë.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur vizitorët vrapojnë të tmerruar për t’u larguar nga zona sapo dëgjohen të shtënat. Dëshmitarët thanë se dëgjuan disa breshëri armësh, ndërsa në vendngjarje mbërritën menjëherë policia, ambulancat, agjentë të FBI-së dhe forca të tjera të sigurisë.
Kryebashkiakja Wilson e cilësoi ngjarjen si “një akt të tmerrshëm dhune”, duke shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave.
Për shkak të ngjarjes, linja e Monorail-it të Seattle-it pezulloi shërbimin për pjesën e mbetur të ditës, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonën deri në përfundimin e hetimeve.
Sipas të dhënave të Arkivit të Dhunës me Armë, kjo është një nga të paktën 271 ngjarjet me të shtëna masive të regjistruara në Shtetet e Bashkuara gjatë këtij viti.
Continue Reading

Lajme nga bota

Spanja shpall emergjencën kombëtare për shkak të zjarreve masive, mbi 10 mijë persona evakuohen

Published

on

Qeveria spanjolle ka shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare pas një serie zjarresh të mëdha pyjore që kanë përfshirë zona pranë Madridit dhe provincën fqinje të Avilës.

Sipas autoriteteve, më shumë se 10 mijë persona janë detyruar të largohen nga banesat e tyre për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve, ndërsa ekipet e emergjencës po përballen me vështirësi për të vënë situatën nën kontroll.

Ministria e Brendshme spanjolle bëri të ditur se vendimi për shpalljen e emergjencës kombëtare u mor për shkak të shpërthimit të njëkohshëm të disa vatrave zjarri, kushteve të pafavorshme atmosferike dhe nevojës për mobilizimin e burimeve nga institucione të ndryshme publike.

Temperaturat e larta, erërat e forta dhe thatësira e zgjatur kanë favorizuar përhapjen e zjarreve, duke rrezikuar zona të banuara dhe sipërfaqe të mëdha pyjore.

Autoritetet kanë urdhëruar evakuime në disa lokalitete, ndërsa banorët janë strehuar në qendra të përkohshme. Në operacionet e shuarjes janë angazhuar qindra zjarrfikës, trupa të specializuara ushtarake, si dhe mjete ajrore, përfshirë avionë dhe helikopterë.

Advertisement

Për shkak të situatës kritike, disa rrugë kryesore janë mbyllur përkohësisht, me qëllim lehtësimin e ndërhyrjeve të ekipeve të shpëtimit dhe garantimin e sigurisë së banorëve.

Shpallja e emergjencës kombëtare i mundëson qeverisë spanjolle një koordinim më të shpejtë të burimeve shtetërore dhe rajonale, si dhe hap mundësinë për kërkimin e mbështetjes shtesë nëse situata përkeqësohet.

 

Continue Reading

Më të lexuarat