Lajme nga bota
Mungesa e karburantit për avionë kërcënon fluturimet verore në Evropë
Ndërprerjet në furnizimin me karburant për avionë mund të çojnë së shpejti në ulje të ndjeshme të ofertës së fluturimeve, paralajmëroi sot një shoqatë kryesore gjermane, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme po ushtrojnë presion mbi tregjet globale të energjisë.
“Sezoni veror i udhëtimeve është afër dhe ekosistemi i turizmit varet nga transporti ajror për hyrje dhe dalje të turistëve gjatë periudhës kulmore të udhëtimeve dhe biznesit”, tha Joachim Lang, drejtor i përgjithshëm i Shoqatës Gjermane të Aviacionit (BDL).
Sipas shoqatës, zhvillimi i situatës do të varet kryesisht nga kohëzgjatja e konfliktit që përfshin Iranin. Edhe nëse lufta përfundon shpejt, tregjet e energjisë pritet të rikuperohen vetëm gradualisht.
Duke iu referuar ekspertëve të energjisë, BDL theksoi se më shumë se 80 objekte në Lindjen e Mesme janë dëmtuar pjesërisht ose rëndë, duke e bërë të pamundur një rikthim të shpejtë në nivelet e prodhimit para krizës.
Industria e naftës pret që rreth 20% e kapacitetit global të mbetet i papërdorshëm për një periudhë të zgjatur.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë paralajmëroi dje se pjesë të Evropës mund të përballen me mungesa të karburantit për avionë brenda gjashtë javëve të ardhshme për shkak të ndërprerjeve në Ngushticën e Hormuzit.
Rreth 75% e importeve neto të këtij karburanti në Evropë vijnë nga Lindja e Mesme.
BDL bëri të ditur se furnizimet zëvendësuese po vijnë kryesisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por deri tani ato mbulojnë vetëm rreth gjysmën e mungesës, duke rritur rrezikun e rezervave të ulëta dhe një tregu të tensionuar që mund të zgjasë përtej verës.
Kompanitë ajrore kanë nisur tashmë të reagojnë.
Operatorë si KLM dhe SAS kanë hequr nga oraret linjat jofitimprurëse.
Grupi “Lufthansa” ka nxjerrë jashtë përdorimit 27 avionë të filialit të tij rajonal “Lufthansa CityLine” dhe planifikon të tërheqë edhe avionë të tjerë me konsum të lartë karburanti duke filluar nga orari dimëror në fund të tetorit.
Si masa të mundshme, shoqata gjermane kërkoi monitorim më të afërt nga qeveritë të furnizimeve me karburant për avionë dhe përdorimin e rezervave kombëtare dhe evropiane.
Ajo sugjeroi gjithashtu dhënien e aksesit shtesë në rrjetin e tubacioneve të NATO-s për të përmirësuar furnizimin e aeroporteve gjermane në Frankfurt, Mynih, Këln dhe Zyrih.
Industria kërkon gjithashtu lehtësime fiskale gjatë krizës.
Një nga propozimet parashikon që barra të kalojë te pasagjerët, duke argumentuar se anulimet ose vonesat për shkak të mungesës së karburantit duhet të konsiderohen “rrethana të jashtëzakonshme”, duke përjashtuar kompanitë ajrore nga detyrimet për kompensim sipas rregullave të BE-së për të drejtat e pasagjerëve.
Lajme nga bota
Irani “mban fjalën” pas marrëveshjes, hap plotësisht Ngushticën e Hormuzit
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha të premten se Ngushtica e Hormuzit është e hapur për të gjitha anijet tregtare për periudhën e mbetur të armëpushimit.
Ai shtoi se kjo është në përputhje me armëpushimin Izrael-Liban.
“Në përputhje me armëpushimin në Liban, kalimi për të gjitha anijet tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit shpallet plotësisht i hapur për periudhën e mbetur të armëpushimit, në rrugën e koordinuar siç është njoftuar tashmë nga Portet dhe Organizata Detare e Republikës Islamike të Iranit”, postoi Aragchi në X.
Lajme nga bota
Të Gjelbrit Evropianë thonë se rruga e Serbisë drejt BE-së rrezikohet për shkak të regjimit të Vuçiçit
Partia e Gjelbër Evropiane (EGP) tha se rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian po dëmtohet nga Presidenti Aleksandar Vuçiç dhe qeveria që ai kontrollon, ndërsa në të njëjtën kohë akuzoi Partinë Popullore Evropiane (PPE) – ku Partia Progresive (SNS) e Vuçiçit është anëtare – se po e mbron udhëheqësin autoritar serb, raporton dtt-net.com.
EGP tha në një deklaratë për shtyp dje përpara vizitës në Beograd se rruga evropiane e vendit po “minohet në mënyrë aktive” nga Vuçiç dhe qeveria e tij dhe bëri thirrje për “mbrojtje dhe llogaridhënie urgjente demokratike”, ndërsa riafirmoi angazhimin e saj për të punuar me partinë anëtare Frontin e Gjelbër-Majtas (ZLF) dhe partnerë të tjerë serbë për të “mbrojtur demokracinë dhe për ta mbajtur Serbinë në një rrugë të besueshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”. “Serbia i përket Evropës. Presidenti Vuçiç mund të kërkojë mbështetje nga regjimet autoritare diku tjetër, por ne jemi të vendosur të shohim ditën kur ta mirëpresim Serbinë si anëtare të Bashkimit Evropian”, tha Ciarán Cuffe, bashkëkryetare e EGP-së përpara vizitës, shkruan Zhurnal.mk.
Ajo shprehu mbështetje për thirrjet në rritje të studentëve të Serbisë dhe partive opozitare për zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat Vuçiç që nga viti i kaluar vazhdon të thotë se do të zhvillohen këtë vit, por megjithatë refuzon të caktojë një datë.
“Ne pamë fundjavën e kaluar se kur u është dhënë mundësia, hungarezët që jetojnë nën ‘autokracinë zgjedhore’ të Orbanit, zgjodhën Evropën. Serbët që jetojnë nën regjimin e Vuçiçit meritojnë mundësinë për të vendosur të njëjtën gjë. Kjo është arsyeja pse ne mbështesim thirrjet e opozitës dhe studentëve që zgjedhjet të mbahen pa vonesë. Dhe kur të ndodhin, ne do të jemi këtu për të ndihmuar që ato të jenë të lira dhe të ndershme”, tha Cuffe.
Në të njëjtën kohë, Vula Tsetsi, bashkëkryetare e EGP-së i bëri thirrje BE-së të ndalojë ndihmën financiare për Serbinë ndërsa sundohet nga Vuçiç.
“Bashkimi Evropian duhet të ndalojë financimin e një qeverie që po çmonton demokracinë. Paratë e BE-së kanë për qëllim forcimin e institucioneve demokratike, jo të mundësojnë një regjim që i minon ato”, tha ajo, sipas njoftimit.
“Duhet të ketë pasoja. Presidenti Aleksandar Vuçiç po sulmon protestuesit paqësorë, po minon pavarësinë e gjyqësorit, po kufizon lirinë e medias dhe po dobëson institucionet demokratike. Evropa nuk mund të heshtë. Bashkimi Evropian duhet të qëndrojë pranë qytetarëve serbë dhe shoqërisë civile në mbrojtje të demokracisë. Duke vazhduar të mbrojë Partinë e tij Progresive Serbe, Partia Popullore Evropiane është bashkëpunëtore në çmontimin e demokracisë në Serbi. Kjo duhet të marrë fund tani”, vazhdoi Tsetsi.
Ajo gjithashtu akuzoi PPE-në se nuk ka marrë masa ndaj Vuçiçit dhe partisë së tij në pushtet SNS.
“Presidenti Vuçiç duhet të kuptojë se ka pasoja për sulmin ndaj protestuesve paqësorë dhe minimin e demokracisë serbe me dhunë të ngjashme. Konservatorët evropianë në Partinë Popullore Evropiane po e lejojnë atë të shpëtojë pa u ndëshkuar. PPE duhet të përjashtojë urgjentisht partinë e tij SNS dhe të ndalojë së zvarrituri”, thirri ajo.
Komisioni Evropian (KE) muajin e kaluar njoftoi se tashmë po pezullon disbursimin e mëtejshëm – këstin e dytë – të kredive dhe granteve për Serbinë nga fondi i ri i BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, për shkak të disa ligjeve kontroverse për gjyqësorin të miratuara nga parlamenti i kontrolluar nga partia në pushtet e Presidentit autoritar Aleksandar Vuçiç në janar.
Zëdhënësi i KE-së, Guillaume Mercier, i tha dtt-net.com se organi ekzekutiv i BE-së, përveç “vlerësimit të vet nëse Serbia ende i plotëson kushtet për pagesat sipas instrumenteve financiare të BE-së”, siç u njoftua nga Komisionerja Marta Kos më herét né muajin mars, po pret gjithashtu mendimin e Komisionit të Venedikut të Këshillit të Evropës mbi ligjet e kontestuara dhe më pas që parlamenti i Serbisë të bëjë ndryshime në ligje, siç do të sugjerohej nga ky i fundit, përpara se të mund të rifillojë dërgimin e parave për qeverinë e Serbisë nga fondi i Planit të Rritjes.
“Nuk ka një afat kohor”, tha Mercier për dtt-net.com kur u pyet se kur do të përfundojë vlerësimi i KE-së për përmbushjen ose jo të parakushteve të reformës nga Serbia për të marrë paratë nga fondi i BE-së për Zhvillimin Ekonomik.
“Por momentalisht, ne nuk po japim para në kuadër të Programit për Reformë dhe Rritje. Gjithashtu, po presim mendimin e Komisionit të Venecias dhe që Serbia të bëjë ndryshimet në ligjet e saj në përputhje me rrethanat”, shpjegoi Mercier në një përgjigje me email.
Zëdhënësi shpjegoi se mosdisbursimi ka të bëjë me kërkesën e dytë për pagesë në kuadër të Programit të Zhvillimit Financiar nga qeveria serbe.
“Po flasim për kërkesën e dytë për pagesë në kuadër të Programit të Zhvillimit”, shpjegoi ai.
Në janar të vitit të kaluar, KE transferoi 51,7 milionë euro në kredi koncesionare në buxhetin kombëtar të Serbisë, që korrespondon me një pjesë të parafinancimit të parashikuar sipas Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Pastaj, në korrik të vitit të kaluar, KE miratoi 40,8 milionë euro për Serbinë për projekte në sektorin e energjisë, por shuma nuk është shpërndarë ende.
Serbia ka nisur negociatat e pranimit në BE në vitin 2015 dhe ka hapur 18 kapituj negociues, nga të cilët 2 janë mbyllur tashmë përkohësisht.
Në dhjetor 2021, Serbia hapi një Grup 4 prej katër kapitujsh – tashmë të hapur dhe që duhet të mbyllen – në bisedimet e pranimit. Që atëherë, ajo nuk ka hapur dhe as mbyllur asnjë kapitull/grup në procesin e negociatave për anëtarësim në bllokun evropian. Negociatat e Serbisë janë bllokuar kryesisht për shkak të refuzimit për t’u bashkuar me sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe mungesës së vazhdueshme të përparimit në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja me Kosovën, përveç reformave të pamjaftueshme.
Lajme nga bota
11 shtete nënshkruajnë deklaratë të përbashkët për Luftën në Lindjen e Mesme: Të gjendet sa më shpejt zgjidhje ose pesha do rëndojë mbi ekonominë globale
Ministrat e financave nga 11 vende, përfshirë Britaninë, Japoninë dhe Australinë, paralajmëruan të martën se lufta në Lindjen e Mesme do të peshonte mbi rritjen globale, inflacionin dhe tregjet financiare, edhe nëse kriza zgjidhet.
Nënshkruesit e tekstit përveç tre vendeve të përmendura më sipër janë Suedia, Holanda, Finlanda, Spanja, Norvegjia, Irlanda, Polonia dhe Zelanda e Re, mirëpritën në deklaratën e tyre të përbashkët armëpushimin “i cili është thelbësor për mbrojtjen e popullsisë civile dhe sigurinë e rajonit”.
Ata gjithashtu bënë thirrje për “një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme” përmes negociatave, duke vënë në dukje se “rigjallërimi i armiqësive, zgjerimi i konfliktit ose përçarja e vazhdueshme në Ngushticën e Hormuzit do të paraqiste rreziqe serioze shtesë për sigurinë globale të energjisë, zinxhirët e furnizimit dhe stabilitetin ekonomik dhe financiar”.
Ministrat gjithashtu konsiderojnë se “edhe me një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit, efektet në rritje, inflacion dhe tregje do të vazhdojnë”.
Siç thuhet në deklaratën e lëshuar nga qeveria britanike, 11 vendet “angazhohen të shmangin dhe u bëjnë thirrje të gjitha vendeve të tjera të shmangin taktikat proteksioniste”, të tilla si kontrollet e pajustifikuara të eksportit, grumbullimi i stoqeve dhe zbatimi i barrierave tregtare për hidrokarburet dhe zinxhirët e tjerë të furnizimit të prekur nga kriza.
-
Lajme nga bota3 weeks ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni3 weeks agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Sport3 weeks agoBARDHI: NËNVLERËSIMI VETËM SE NA MOTIVON KUNDËR DANIMARKËS!

