Lajme nga bota
Irani refuzon negociatat me SHBA pas sekuestrimit të anijes së mallrave
Irani ka deklaruar se nuk ka asnjë plan për të marrë pjesë në një raund të ri negociatash me Shtetet e Bashkuara, duke rritur ndjeshëm tensionet në Lindjen e Mesme.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, theksoi se nuk është marrë asnjë vendim për bisedime të reja, duke akuzuar SHBA-në për mungesë serioziteti në procesin diplomatik.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ka dërguar negociatorë në Pakistan për të diskutuar përfundimin e konfliktit, ndërsa paralajmëroi sërish Iranin me sulme ndaj infrastrukturës energjetike nëse nuk arrihet një marrëveshje.
Situata u përkeqësua edhe më tej pasi SHBA sekuestroi një anije mallrash iraniane, duke pretenduar se po tentonte të shmangte bllokadën detare. Teherani e ka cilësuar këtë veprim si shkelje të armëpushimit dhe ka kërcënuar me kundërpërgjigje.
Të dyja palët po akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes, ndërsa tensioni është përqendruar veçanërisht në Ngushtica e Hormuzit, një pikë kyçe për tregtinë globale të naftës, të cilën Irani thuhet se e ka mbyllur pothuajse plotësisht.
Konflikti, që nisi pas sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit më 28 shkurt, ka tronditur tregjet globale dhe ka rritur ndjeshëm çmimet e naftës.
Ndërkohë, edhe përpjekjet për armëpushim në Liban mbeten të brishta, me Izraelin që ka paralajmëruar përdorimin e “forcës së plotë” ndaj çdo kërcënimi nga Hezbollah.
Pavarësisht përpjekjeve për negociata, zhvillimet e fundit tregojnë se situata mbetet tepër e tensionuar dhe larg një zgjidhjeje diplomatike.
Lajme nga bota
Ari bie në minimum njëjavor/ Tensionet SHBA-Iran forcojnë dollarin dhe nxisin rritjen e naftës me 5%
Çmimet e arit kanë rënë në nivelin më të ulët të një jave, përpara se të rikuperohen lehtë gjatë ditës së hënë, në një treg të ndikuar nga tensionet e reja mes SHBA-së dhe Iranit.
Ari në tregun spot zbriti me rreth 0.5%, duke arritur në 4,804 dollarë për ons, niveli më i ulët që nga 13 prilli. Edhe kontratat e ardhshme në SHBA për dorëzim në qershor shënuan rënie, duke u ulur me mbi 1%.
Lëvizja lidhet me forcimin e dollarit amerikan dhe rritjen e rendimenteve të obligacioneve, që e bëjnë arin më pak tërheqës për investitorët.
Tensionet në Lindjen e Mesme, pas marrjes nën kontroll të një anijeje iraniane nga SHBA-të, kanë shtuar pasigurinë në tregje dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në këto zhvillime.
Në të njëjtën kohë, çmimet e naftës janë rritur me rreth 5%, për shkak të frikës se situata mund të përshkallëzohet dhe të ndikojë në furnizimet globale, sidomos përmes Ngushticës së Hormuzit.
Rritja e naftës mund të shtojë presionin inflacionist dhe të mbajë normat e interesit të larta për më gjatë. Në një situatë të tillë, ari zakonisht humbet interes nga investitorët, pasi nuk gjeneron të ardhura si asetet e tjera financiare.
Lajme nga bota
Irani “mban fjalën” pas marrëveshjes, hap plotësisht Ngushticën e Hormuzit
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha të premten se Ngushtica e Hormuzit është e hapur për të gjitha anijet tregtare për periudhën e mbetur të armëpushimit.
Ai shtoi se kjo është në përputhje me armëpushimin Izrael-Liban.
“Në përputhje me armëpushimin në Liban, kalimi për të gjitha anijet tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit shpallet plotësisht i hapur për periudhën e mbetur të armëpushimit, në rrugën e koordinuar siç është njoftuar tashmë nga Portet dhe Organizata Detare e Republikës Islamike të Iranit”, postoi Aragchi në X.
Lajme nga bota
Mungesa e karburantit për avionë kërcënon fluturimet verore në Evropë
Ndërprerjet në furnizimin me karburant për avionë mund të çojnë së shpejti në ulje të ndjeshme të ofertës së fluturimeve, paralajmëroi sot një shoqatë kryesore gjermane, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme po ushtrojnë presion mbi tregjet globale të energjisë.
“Sezoni veror i udhëtimeve është afër dhe ekosistemi i turizmit varet nga transporti ajror për hyrje dhe dalje të turistëve gjatë periudhës kulmore të udhëtimeve dhe biznesit”, tha Joachim Lang, drejtor i përgjithshëm i Shoqatës Gjermane të Aviacionit (BDL).
Sipas shoqatës, zhvillimi i situatës do të varet kryesisht nga kohëzgjatja e konfliktit që përfshin Iranin. Edhe nëse lufta përfundon shpejt, tregjet e energjisë pritet të rikuperohen vetëm gradualisht.
Duke iu referuar ekspertëve të energjisë, BDL theksoi se më shumë se 80 objekte në Lindjen e Mesme janë dëmtuar pjesërisht ose rëndë, duke e bërë të pamundur një rikthim të shpejtë në nivelet e prodhimit para krizës.
Industria e naftës pret që rreth 20% e kapacitetit global të mbetet i papërdorshëm për një periudhë të zgjatur.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë paralajmëroi dje se pjesë të Evropës mund të përballen me mungesa të karburantit për avionë brenda gjashtë javëve të ardhshme për shkak të ndërprerjeve në Ngushticën e Hormuzit.
Rreth 75% e importeve neto të këtij karburanti në Evropë vijnë nga Lindja e Mesme.
BDL bëri të ditur se furnizimet zëvendësuese po vijnë kryesisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por deri tani ato mbulojnë vetëm rreth gjysmën e mungesës, duke rritur rrezikun e rezervave të ulëta dhe një tregu të tensionuar që mund të zgjasë përtej verës.
Kompanitë ajrore kanë nisur tashmë të reagojnë.
Operatorë si KLM dhe SAS kanë hequr nga oraret linjat jofitimprurëse.
Grupi “Lufthansa” ka nxjerrë jashtë përdorimit 27 avionë të filialit të tij rajonal “Lufthansa CityLine” dhe planifikon të tërheqë edhe avionë të tjerë me konsum të lartë karburanti duke filluar nga orari dimëror në fund të tetorit.
Si masa të mundshme, shoqata gjermane kërkoi monitorim më të afërt nga qeveritë të furnizimeve me karburant për avionë dhe përdorimin e rezervave kombëtare dhe evropiane.
Ajo sugjeroi gjithashtu dhënien e aksesit shtesë në rrjetin e tubacioneve të NATO-s për të përmirësuar furnizimin e aeroporteve gjermane në Frankfurt, Mynih, Këln dhe Zyrih.
Industria kërkon gjithashtu lehtësime fiskale gjatë krizës.
Një nga propozimet parashikon që barra të kalojë te pasagjerët, duke argumentuar se anulimet ose vonesat për shkak të mungesës së karburantit duhet të konsiderohen “rrethana të jashtëzakonshme”, duke përjashtuar kompanitë ajrore nga detyrimet për kompensim sipas rregullave të BE-së për të drejtat e pasagjerëve.
-
Lajme nga bota4 weeks ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni4 weeks agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Sport4 weeks agoBARDHI: NËNVLERËSIMI VETËM SE NA MOTIVON KUNDËR DANIMARKËS!

