Lajme nga vendi
Maqedonia e Veriut paguan miliona euro dëmshpërblim për aktgjykimet e Strazburgut, nën mbikëqyrje për 31 lëndë
Nesër, më 21 prill në një seancë të komisionit parlamentar deputetët do ta shqyrtojnë Raportin Vjetor për punën e Komisionit ndër-resorial për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) për vitin 2024, raporton SDK. Raporti për vitin 2025 është në fazën e përgatitjes, transmeton Portalb.mk.
Në përputhje me nenin 46 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), Komiteti i Ministrave mbikëqyr ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut me seli në Strasburg, Francë.
Numri i lëndëve në ekzekutim në Maqedoni nën mbikëqyrjen e Komitetit të Ministrave në fund të vitit 2024 është 31. Numri i lëndëve të reja që janë vënë nën mbikëqyrjen e Komitetit në vitin 2024 është 16, në krahasim me 20 lëndët në vitin 2023 dhe 10 lëndët në vitin 2022.
Nga “lëndët e reja” të vendosura nën mbikëqyrjen e Komitetit të Ministrave gjatë vitit 2024, 7 kanë qenë kryesuese (që tregojnë për anomali dhe parregullsi serioze në sistem), ndërsa 4 janë klasifikuar si lëndë që përsëriten.
Nga lëndët kryesore nën mbikëqyrje të shtuar, dy janë në proces ekzekutimi nën mbikëqyrjen e Komitetit të Ministrave për 5 ose më shumë vjet. Bëhet fjalë për rastin “Kitanovski”, i cili kryeson në raport me një grup prej 7 aktgjykimesh të tjera me të cilat është konstatuar shkelje e nenit 2, gjegjësisht nenit 3 të KEDNJ-së, sidomos për shkak të mungesës së një hetimi efektiv mbi pretendimet për trajtim çnjerëzor nga policia.
Rasti tjetër është rasti “X”, në të cilin mungesa e rregullimit ligjor mbi procedurën dhe kushtet për ndryshimin e përcaktimit të gjinisë në evidencën amë të personave transgjinorë është pengesë për ekzekutimin e masave të përgjithshme.
Ngjashëm me këtë, dy nga rastet kryesuese nën mbikëqyrje standarde të Komitetit të Ministrave janë në proces ekzekutimi për 5 ose më shumë vjet. Bëhet fjalë për rastin “Vasillkovski, dhe të tjerë”, i cili është një rast kryesues në një grup lëndësh gjithnjë e në rritje , e që kanë të bëjnë me nenin 5 të KEDNJ-së, i cili garanton të drejtën e lirisë dhe sigurisë (rastet e paraburgimit).
Rasti tjetër, rasti “Mitovi”, supozon ndryshime në legjislacionin vendas, kryesisht në fushën e së drejtës familjare, veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me zbatimin e vendimeve për vizita me fëmijët.
Zbatimi i vendimeve në raste të tilla kryesuese varet nga ndryshimet legjislative, proces me të cilin kjo përbërje parlamentare po përballet me vështirësi në dy vitet e fundit.
Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet edhe Raporti Vjetor mbi punën e Byrosë për Përfaqësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për vitin 2024.
Gjatë vitit 2024 në Byronë për përfaqësim janë dorëzuar gjithsej 44 kërkesa për përgjigje. Në mesin e tyre janë lëndët e: kryetarit të shkarkuar dhe të dënuar të Gjykatës Penale, Vlladimir Pançevski (neni 5 – E drejta për liri dhe siguri); ish-kryetares së shkarkuar të Gjykatës Supreme, Lidija Nedellkova (neni 6 – E drejta për një gjykim të drejtë); gjykatëses Snezhana Gerovska-Popçevska (E drejta për një gjykim të drejtë); si dhe Nikolla Gruevski, Mile Janakieski dhe Vlladimir Talevski, të cilët ngritën padi kundër Maqedonisë për të drejtën për një gjykim të drejtë.
Gjatë vitit kundër Republikës së Maqedonisë së Veriut janë sjellë gjithsej 10 aktgjykime. Njëri prej tyre, pas një padie nga aplikantja Mitrevska, duhet të shërbejë si shembull për institucionet dhe gjykatat se si t’i evitojnë të njëjtat gabime në të ardhmen.
Bëhet fjalë për shkeljen e të drejtës për jetë private të aplikantes Mitrevska (A. nr. 20949/21), e cila si fëmijë është birësuar në një procedurë të plotë birësimi. Autoritetet vendase nuk kanë arritur të gjenin një ekuilibër midis interesave kontradiktore në procedurën për qasje në informacion në lidhje me origjinën e saj biologjike dhe të dhënat mjekësore të prindërve të saj biologjikë.
Konkretisht, në prill të vitit 2017 aplikantja Mitrevska ka kërkuar informacion në lidhje me birësimin e saj nga Qendra për Punë Sociale në Shkup. Ajo ka shënuar se në vitin 2014 i është diagnostikuar çrregullim depresiv i ankthit dhe problemet me të folurit, kështu që mjekët e saj i kanë kërkuar informacion në lidhje me historinë mjekësore të familjes së saj me qëllim përcaktimin e një sëmundjeje të mundshme të trashëguar. Në qershor të vitit 2017 ajo ka dorëzuar një kërkesë shtesë në komisionin kompetent për birësim.
Edhe Komisioni edhe Qendra e kanë informuar se, në përputhje me nenin 123-a të Ligjit për Familjen, të dhënat mbi birësimet janë sekret zyrtar dhe për këtë arsye ata nuk mund të japin ndonjë informacion, e as të marrin një vendim formal. Pas kësaj, aplikantja ka ngritur padi për “heshtje të administratës”. Padia është refuzuar nga të dy gjykatat administrative në vitin 2020 me arsyetimin se autoritetet kanë vepruar drejtë, pasi informacioni i kërkuar është sekret zyrtar.
Pretendimet e aplikantes u shqyrtuan nga GJEDNJ nga perspektiva e detyrimit të Shtetit për të siguruar respektim efektiv të të drejtave të saj të mbrojtura nga neni 8 (E drejta për jetë private dhe familjare). Gjykata e Strasburgut vuri në dukje se, edhe pse institucionet ishin thirrur në parimin e proporcionalitetit, ato nuk i kishin identifikuar interesat kundërvënëse, as nuk kishin bërë balancimin e tyre, ndërsa aspak nuk i kishin trajtuar arsyet mjekësore për të cilat aplikantja i kishte kërkuar të dhënat.
Në raport me nenin 123-a të Ligjit për Familjen, GJEDNJ vendosi se ai nuk parashikonte mundësinë e marrjes së informacionit jo-identifikues (që nuk e zbulojnë identitetin), si dhe nuk parashikonte një përjashtim nga konfidencialiteti për arsye mjekësore. Sipas GJEDNJ-së, kjo ka qenë një pengesë për vlerësimin e argumenteve të aplikantes nga institucionet.
Gjykata vuri në dukje edhe se Gjykata Kushtetuese në vitin 2019 nuk e ka marrë parasysh interesin e një të adoptuari të rritur në marrjen e informacionit në lidhje me historinë mjekësore. GJEDNJ arriti në përfundimin se institucionet vendase nuk kishin gjetur një ekuilibër adekuat, duke vërtetuar kështu një shkelje të nenit 8 të KEDNJ.
Krahas këtyre aktgjykimeve në vitin 2024 Gjykata e Strasburgut ka lëshuar gjithsej 18 vendime kundër Maqedonisë së Veriut. Shuma e fondeve të dhëna mbi të gjitha bazat (aktgjykime, marrëveshje dhe deklarata të njëanshme) arriti në gjithsej 2.191.889 euro. Kjo është një shumë rekord në 10 vitet e fundit. Në një rast është vënë re edhe një vonesë e pagesës.
Pas këtij raporti vijon përgatitja e raportit për vitin 2025. Shuma e përgjithshme e dhënë për vitin e kaluar ende nuk është publikuar zyrtarisht.
Lajme nga vendi
Lirohen çmimet e naftës dhe benzinës në Maqedoni!
Çmimet e derivateve të naftës do të pësojnë ndryshime nga mesnata, me ulje për benzinën dhe naftën, ndërsa vaji ekstra i lehtë do të shtrenjtohet lehtë.
Sipas vendimit të Komisioni Rregullator për Energjetikë, benzina dhe nafta do të lirohen për 1,5 denarë për litër. Në të njëjtën kohë, çmimi i vajit ekstra të lehtë rritet për 0,5 denarë për litër.
Ndërkohë, në fuqi mbetet edhe ulja shtesë që ofron OKTA, prej 3 denarësh për naftën dhe 2 denarësh për benzinën.
Pas përfshirjes së të gjitha këtyre ndryshimeve, çmimet e reja të karburanteve janë:
Benzina BS-98 – 80,5 den/l
Benzina BS-95 – 78,5 den/l
Nafta – 91 den/l
Vaji ekstra i lehtë – 97,0 den/l
Vendimi hyn në fuqi nga mesnata dhe pritet të reflektohet menjëherë në pikat e shitjes së karburanteve në vend.
Lajme nga vendi
Anaizë/ Me Radevin vazhdojnë lajmet e këqija nga Bulgaria për Maqedoninë e Veriut
Qëndrimet e pushteteve bullgare për kushtëzimin ndaj Maqedonisë së Veriut për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian pritet që të vazhdojnë edhe me pushtetin e ardhshëm në Sofje.
Fitorja e partisë së ish-kryetarit bullgar pro-Rus Rumen Radev në zgjedhjet e djeshme nuk sjell gjë të re të mirë për Shkupin në rrugën e premtuar për hyrje në BE.
Shtatë pushtetet e deritashme në Bullgari kanë patur të njëjtin qëndrim, pra kushtëzim nga Shkupit, se pa futjen e bashkësisë bullgare në kushtetutën e vendit nuk mund të ketë fillim të bisedimeve për hyrje në BE.
Radev, si edhe krejt pushtetet e deritashme atje i ka të njëjtat qëndrime, kushtëzime ndaj Shkupit.
Zgjedhjet e së dielës janë zgjedhjet e teta me radhë në këto pesë vite në vendin i cili e ka bllokuar Maqedoninë e Veriut në procesin drejt bllokut evropian.
Edhe kur ishte në postin më të lartë në Bullgari, Radev kishte të njëjtat qëndrime me ato të qeverive që ndërroheshin ndaj Maqedonisë së Veriut.
“Përfshirja e bullgarëve në kushtetutën e RMV-së do ta përshpejtojë ndjeshëm rrugën e vendit drejt BE-së dhe shpresoj që fqinji ynë jugperëndimor do ta bëjë këtë sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që të hapë derën e negociatave për anëtarësim të plotë”, pat thënë Radev gjatë një takimi me 4 Dhjetor 2025 përfqësuesit e bashkësisë bullgare në Maqedoninë e Veriut, nga qytetet e Manastirit, Ohrit, Shkupit, Prilepit, Kavadarit dhe Koçanit.
“Ne të gjithë shpresojmë që integrimi i RMV-së të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur, por kjo nuk mund të jetë në kurriz të të drejtave të bashkësisë bullgare në vend”, pa thënë Radev para pesë muajve.
Shkoi Orbani, erdhi Radevi
Përdërisa në Hungari Viktor Orban pro-rus po largohet nga pushteti pas humbjesë së madhe në zgjedhjet, në në krye të pushtetit në bullgari pritet qët ë jetë një pro-rus poashtu.
Radevi pat thirrur për rivendosjen e marrëdhenieve me Rusinë e Putinit dhe e ka kritikuar BE-në për ndihmën me armë Ukrainës në luftën e saj ndaj okupimit rus.
Sapo vendet e tjera të BE-së morën frymë se problemi Orban iku, tash BE-së i njëjti problem i lind përsëri, por kësaj herë në Bullgari.
Ardhja në pushtet e një kryeministri pro-rus nuk është në të mirë të unitetit brenda BE-së dhe politikës së jashtme të saj. Bllokadat që i bënte Orban tash pritet që t’i bëjë Radev, përmes fuqisë së vetos.
Do të ishte “mrekulli” nëse Radev do të ndryshonte e të zbuste qëndrimin ndaj Maqedonisë së Veriut, për të përmbushur kërkesat e Hristijan Mickoskit për bashkësinë maqedonase në Bullgari dhe kërkesën për garanci nga BE e Bullgaria se nuk do të ketë kërkesa e bllokada të tjerë që ndërlidhen me identitetin dhe gjuhën maqedonase. / Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
Nis ndërtimi i rrugës Strugë–Morovisht, Qyra: “Struga nuk pret më, Struga punon, Struga fiton”
Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka njoftuar nisjen zyrtare të punimeve për një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në qytet – rrugën Strugë–Morovisht, e njohur si “Kolektori”.
Sipas tij, projekti që kishte mbetur pezull për më shumë se 20 vite, tashmë po realizohet brenda vetëm pesë muajve të qeverisjes së re. Ai theksoi se ky aks rrugor pritet të zgjidhë problemet e kahershme të trafikut dhe të sjellë një standard të ri infrastrukture, me katër korsi, trotuare dhe hapësira të gjelbra.
“Struga nuk pret më. Struga punon. Dhe Struga fiton”, deklaroi Qyra.
Projekti po realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Transportit dhe, sipas autoriteteve, përmes një procesi transparent, kostoja është ulur nga 2.2 milionë euro në 1.2 milionë euro. Mjetet e kursyera, sipas njoftimit, do të ridrejtohen për investime të tjera në interes të qytetarëve.
Rruga do të shtrihet nga rrethrrotullimi te Foni drejt rrugës Turistike (ish-Apolonia), duke u lidhur më tej me Morovishtin.
-
Lajme nga bota4 weeks ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni4 weeks agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Sport4 weeks agoBARDHI: NËNVLERËSIMI VETËM SE NA MOTIVON KUNDËR DANIMARKËS!

