Lajme nga vendi
VLEN: STUDENTI NË QENDËR TË REFORMËS NË ARSIMIN E LARTË!
Ligji për arsim të lartë duhet parë si nevojë e kohës dhe si hap për ta rregulluar një fushë që lidhet drejtpërdrejt me fatin e rinisë – thonë nga koalicioni VLEN. Në një konferencë për media, VLEN përmend se është krijuar ndjenjë pasigurie te të rinjtë, bindje se studimet jo gjithmonë të japin atë vlerë që duhet dhe se rruga drejt suksesit shumë shpesh kërkohet jashtë vendit, e jo këtu. Sipas VLEN-it, thelbi i këtij ligji është STUDENTI.
XHAN DIKA – Student në ciklin e dytë
Studenti duhet të jetë në qendër, jo vetëm në fjalë, por edhe në vendimmarrje. Prandaj, me Ligjin për arsim të lartë, për herë të parë studenti bëhet pjesë e Këshillit nacional për arsimin e lartë. Kjo do të thotë se studenti nuk do të jetë më vetëm ai që pret vendime nga të tjerët, por do të ketë zërin e vet aty ku vendoset për arsimin e lartë.
Ky ligj është i rëndësishëm pasi që synon edhe rritjen e cilësisë. Vendit tonë nuk i duhen diploma pa peshë, por universitete serioze, standarde dhe arsim që i përgatit të rinjtë për jetën dhe për tregun e punës.
Sa më shumë cilësi dhe perspektivë të ndërtojmë këtu, aq më shumë arsye do të kenë të rinjtë të qëndrojnë këtu.
Prandaj, ne e mbështesim këtë ligj si hap të domosdoshëm drejt një sistemi më cilësor, ku studenti dëgjohet, cilësia rritet dhe rinia fiton më shumë shpresë për të ardhmen.
Ajo që e bën VLEN-in të dallueshëm është puna, ndërsa arsimi shqip për ne është prioritet kombëtar – thotë studenti i ciklit të dytë, Xhan Dika.
Lajme nga vendi
SHOK TEMPERATURASH NË MAQEDONI: Pas të ftohtit të pazakontë dhe borës, këtë javë deri në 38°C
Pas valës së pazakontë të të ftohtit që solli reshje bore në Malin Sharr dhe në Pelister të premten, më 24 korrik, si dhe pas mëngjesit të sotëm jashtëzakonisht të freskët për muajin korrik, Maqedoninë e pret një tjetër ndryshim i fortë i motit.
Meteorologu Sllavço Poposki njofton se nga fillimi i javës vendi do të përfshihet nga një masë shumë më e ngrohtë ajrore që vjen nga jugu, përkatësisht nga Afrika.
“Që nga e hëna dhe gjatë ditëve në vijim, temperaturat do të shënojnë rritje të shpejtë. Në pjesën më të madhe të Maqedonisë ato do të kalojnë 30 deri në 35 gradë Celsius, ndërsa në rajonin e Povardarisë dhe në pjesën juglindore të vendit do të arrijnë deri në 38 gradë Celsius”, thekson Poposki.
Sipas tij, vetëm gjatë ditës së hënë, më 27 korrik, priten dukuri lokale të paqëndrueshme të motit, të shoqëruara me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të përforcuar.
Nga e marta, më 28 korrik, moti do të stabilizohet plotësisht dhe do të mbizotërojë mot me diell, i qëndrueshëm dhe me vranësira të pakta lokale.
Poposki paralajmëron se këto ndryshime të menjëhershme dhe të mëdha të temperaturave mund të kenë ndikim negativ, veçanërisht te personat e ndjeshëm ndaj ndryshimeve të motit.
Lajme nga vendi
Sërish shtrenjtohen karburantet nga mesnata
Çmimet e shitjes me pakicë të benzinave EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 rriten për 3,00 denarë për litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i EURODIZELIT (D-Е V) rritet për 4,50 denarë për litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i Vajit Ekstra të Lehtë për Amvisëri (ЕL-1) rritet për 5,00 denarë për litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i Мazutit М-1 SU rritet për 2,726 denarë për kilogram.
Nga data 28.7.2026, nga ora 00:01, çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:
Benzinë motori EUROSUPER BS – 95 93,00 (denarë/litër)
Benzinë motori EUROSUPER BS – 98 95,00 (denarë/litër)
Naftë motori EURODIZEL BS (D-E V) 98,50 (denarë/litër)
Vaj për Djegie Ekstra i Lehtë 1 (EL-1) 98,00 (denarë/litër)
Mazut М-1 SU 48,099 (denarë/kilogram)
Lajme nga vendi
“TETOVA N`FESTË”: “KREJT E THIRRIN REXHËN” NË ATMOSFERË VERORE!
Nën qiellin e hapur të Banjës së Tetovës, qytetarët patën mundësinë të ndjekin shfaqjen e filmit “Krejt e Thirrin Rexhën”, në kuadër të manifestimit Vera Tetovare, Tetova n’Festë.
Një mbrëmje e bukur kinematografike, e mbushur me emocione, humor dhe atmosferë të veçantë, që bëri bashkë qytetarë të të gjitha moshave.
Tv Koha takoi edhe Artistin e ri nga Tetova, Ledion Mulaku, i cili hapat e parë në aktrim i ka bërë që në moshë të hershme, duke qenë pjesë e disa projekteve filmike dhe serialeve të rëndësishme në rajon, duke përfshirë filmat “Dashuria s’mjafton” dhe “Shkëmbimi”, serialin ndërkombëtar Sunrise, si dhe projektin e fundit “Krejt e thirrin Rexhen”, ku ai interpreton një nga rolet protagoniste dhe është vlerësuar me çmimin Best Young Actor.
Suksesi i tij është një shembull frymëzues për të rinjtë e Tetovës dhe një dëshmi e potencialit të madh që ka rinia jonë.
Vera tetovare riktheu në Tetovë filmin “Krejt e Thirrin Rexhën” me një mbrëmje të veçantë kushtuar artit dhe kinematografisë shqiptare.
Ambienti I hapur në Banjë të Tetovës u bë arenë e gërshetimit të brezave dhe interesimit të jashtëzakonshëm të publikut tetovar.
U shijua së bashku një film I jashtëzakonshëm në një atmosferë të bukur verore, ku sipas organizatorëve, “Tetova N`Festë” vazhdon të sjellë kulturë, art dhe argëtim në çdo cep të qytetit.
/Tv Koha/

