Sport
CHAMPIONS: GJYSMËFINALE SPEKTAKOLARE ME 9 GOLA NË PARIS!
Ndeshja e parë gjysmëfinale e Ligës së Kampioneve mes PSG dhe Bajern Mynih në “Parc des Princes” në Paris, ka dhuruar një shfaqje spektakolare të rrallë për futbolldashësit, në një ndeshje të pabesueshme që u mbyll me rezultatin 5-4.
Me plot 9 gola të shënuar në total, kjo sfidë regjistrohet zyrtarisht si ndeshja gjysmëfinale me më shumë gola në historinë e formatit modern të Ligës së Kampionëve që nga viti 1992.
Deri më sot, asnjë gjysmëfinale e këtij kompeticioni nuk kishte prodhuar një festival të tillë ofensivë, duke lënë pas ndeshje si fitorja 5-2 e Liverpulit ndaj Romës në vitin 2018, fitorja e Ajaksit 5-2 ndaj Bajernit në vitin 1995, apo suksesi 4-3 i Mançester Siti-t kundër Real Madridit në vitin 2022.
Për të gjetur një sasi kaq të madhe golash në këtë fazë, duhet të kthehemi 66 vite pas në epokën e vjetër të Ligës së Kampioneve, atëherë kur gjermanët e Eintracht Frankfurt mposhtnin skocezët e Renxhers me shifrat 6-3 në vitin e largët 1960.
Kjo përballje në historinë e Ligës së Kampionëve zë një vend nderi mes ndeshjeve më “të çmendura”.
Kur analizojmë fazën me eliminim direkt, aty ku tensioni është maksimal dhe skuadrat janë gjigante, kjo betejë e “Parc des Princes” rreshtohet mes më të mëdhave, duke qëndruar shumë afër rekordit absolut nokaut që mbahet nga vetë Bayern Munih, me atë fitore historike dhe poshtëruese 8-2 kundër Barcelonës në çerekfinalen e vitit 2020.
Shënimi i nëntë golave mes dy pretendentëve kryesorë për titullin, duke përfshirë pesë gola vetëm në pjesën e parë, thyen çdo lloj logjike dhe rregulli të pashkruar të futbollit të këtij dekade.
Është ky lloj i rrallë i kaosit total ofensiv dhe dëshirës për të luajtur hapur nga të dyja anët, që e bën këtë takim të fund-prillit një material klasik që do të citohet për dekada me radhë.
Në këtë përballje çdo gjë mbetet e hapur, kurse na pret edhe ndeshja e kthimit më 6 maj në Munih.
Lajme nga vendi
BURAK HYDA: GABIMIN PËR INCIDENTIN TANI PO E PAGUAJMË SHTRENJTË!
Komisioni i disiplinës në kuadër të FFM-së pas incidentit në ndeshjen e xhiros së 28-të mes Bashkimit dhe Struga Trim Lum, ka pezulluar terrenin në Kumanovë. Ndeshjen e radhës kundër Vardarit ekipi Bashkimi do ta zhvillon në stadiumin e Gostivarit
Incidenti që ndodhi në ndeshjen e javës së 28-të në Kumanovë mes Bashkimit dhe Struga Trim Lum, për skuadrën vendase ndodhi që të jetë fatale, pasi organet e FFM-së, kanë pezulluar stadiumin e Bashkimit për katër ndeshje si vendas.
Kjo do të thotë se Bashkimi dy ndeshjet si vendas deri në fund të këtij kampionati dhe dy të tjera në kampionatin e ardhshëm duhet t`i zhvillojë jashtë Kumanovës.
Pikërisht në javën e 30-të Bashkimi, është nikoqire e Vardarit.
Kryetari i Bashkimit, Burak Hyda, në një prononcim për Tv Koha, lidhur me ndeshjet që do t`i zhvillojnë si nikoqir jashtë Kumanovës, thotë se preferojnë Gostivarin.
“Ndeshjen me Vardarin dhe ndeshjet që do t`i kemi pas dënimit që morëm, katër ndeshje jashtë fushës, 90% do t`i luajmë në Gostivar. Sipas gjitha gjasave, vendimi u mor pak si shpejt, por s’kemi çka të bëjmë. Ne ishim mllefosur me rezultatin, ishim nervoz, kishim pak muhabet mes kryesisë së dy palëve. Po s’kemi çka të bëjmë, tani po e paguajmë shtrenjtë’’ deklaroi Burak Hyda
Duke u ndalur për raportet mes KF Bashkimi dhe organeve të FFM-së Burak Hyda thotë se ato janë të mira, duke pranuar dënimin e shqiptuar nga FFM-ja për incidentin në Kumanovë.
‘’Me organet e Federatës i kemi punët mirë, por s’kemi çfarë të bëjmë se ishte faji te na. A duheshe me e bë këtë gjest, nuk u deshtë me bë se e kishim një ndeshje me Vardarin, që vendos për neve me mbet në ligë që ti iknim balotazhit‘’ tha Hyda.
Klubi i futbollit Bashkimi pas javës së 29-të pozicionohet në vendin e gjashtë me 40 pikë dhe pothuajse e ka të sigurt mbijetesën, por katër sfidat e fundit kundër Vardarit, Arsimit, Makedonija Gj.P dhe Pelisterit i luan jashtë Kumanovës.
Sport
FIFA RRIT SHPËRBLIMETPËR BOTËRORIN 2026 PAS ANKESAVE TË FEDERATAVE
FIFA ka arritur një marrëveshje për një ndryshim të madh që prek të gjitha 48 kombëtaret pjesëmarrëse në Botërorin 2026, pak para fillimit të turneut.
Vetëm 45 ditë para fillimit të Kampionatit Botëror 2026, FIFA ka njoftuar një rritje të konsiderueshme të fondeve për 48 kombëtaret pjesëmarrëse.
Ky vendim vjen pas shqetësimeve të shumta të shfaqura nga federatat kombëtare lidhur me kostot e larta të udhëtimit, logjistikës dhe barrës së rëndë tatimore në SHBA, ku shumë shtete rrezikonin të humbnin para pavarësisht progresit në turne. Sipas planeve të reja, fondi rekord prej 727 milionë dollarësh do të rritet edhe më tej, duke garantuar përfitime më të mëdha për të gjithë pjesëmarrësit.
Në deklaratën zyrtare të lëshuar nga shtëpia e futbollit botëror thuhet:
“FIFA mund të konfirmojë se është në diskutime me shoqatat në mbarë botën për të rritur të ardhurat e disponueshme. Kjo përfshin një rritje të propozuar të kontributeve financiare për të gjitha ekipet e kualifikuara për Kupën e Botës FIFA 2026.”
Organizata theksoi se ky turne do të jetë historik për nga ndikimi financiar:
“Kupa e Botës 2026 do të jetë novatore në aspektin e kontributit financiar për komunitetin global të futbollit,” duke shtuar se detajet përfundimtare do të zyrtarizohen pas mbledhjes së Këshillit të FIFA-s në Vankouver.
Sport
KAOS NË SPANJË: PORTIERI GRUSHTON FUTBOLLISTIN!
Për ndeshjen e divizionit të dytë spanjoll mes Hueskës dhe Zaragozës flet e gjithë bota, pasi portieri i ekipit mysafir goditi me grusht në kokë një futbollist të vendasve. Gjatë gjithë takimit pati tensione të mëdha në fushë, duke qenë se të dyja skuadrat luftojnë për mbijetesë, ndërsa gjithçka kulmoi në minutat shtesë.
Në ndeshjen e Divizionit të Dytë të Spanjës në futboll, të zhvilluar dje midis Hueskës dhe Saragosës, futbolli kaloi në plan të dytë për shkak të një incidenti që shkaktoi kaos të vërtetë në fushë.
Në qendër të vëmendjes ishte portieri i Zaragozës, Esteban Andrada. Fillimisht ai shtyu një lojtar kundërshtar, për çka mori kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua automatikisht.
Por nuk u ndal me kaq – i revoltuar nga vendimi, u kthye dhe e goditi në kokë të njëjtin futbollist, duke e rrëzuar në tokë.
Situata eskaloi me shpejtësi. Edhe pse bashkëlojtarët e tij u përpoqën ta qetësonin, nuk arritën ta ndalonin. Në fushë shpërtheu kaos i vërtetë, u përfshinë disa lojtarë dhe në rrëmujë ishte e vështirë të kuptohej se kush kë po sulmonte dhe çfarë po ndodhte saktësisht.
Nuk ka dilema se portierin Andrada e pret një dënim i ashpër, ndërsa kërkohet madje edhe pezullim disa vjeçar për portierin e Zaragozës.
-
Lajme nga bota1 month ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni1 month agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Sport1 month agoBARDHI: NËNVLERËSIMI VETËM SE NA MOTIVON KUNDËR DANIMARKËS!

