Lajme nga vendi
Tetova do të pret 1025 nxënës në klasë të parë! Migrimi lë në dyshim shifrat zyrtare
Në komunën e Tetovës pritet që 1025 nxënës të regjistrohen në shkollat fillore. Nëse bëjmë një krahasim me vitin e kaluar, ky numër është rritur për rreth 90 nxënës, por mbetet për t’u parë se sa nga këta fëmijë ndodhen aktualisht në Maqedoni dhe nuk janë shpërngulur. Nga sektori për arsim në Komunën e Tetovës thonë se sot ka filluar regjistrimi dhe të dhënat nga librat amë tregojnë se ka një rritje të numrit të nxënësve. Problematikë edhe këtë vit mbeten prindërit që duan t’i regjistrojnë fëmijët në shkolla që nuk i përkasin rajonit të tyre.
“Të dhënat që kemi marrë nga Drejtoria e Librave Amë në Komunën e Tetovës tregojnë se gjithsej pritet të regjistrohen 1025 fëmijë për vitin akademik 2026/2027, në 12 shkollat fillore të rajonit tonë. Sipas informacioneve që kemi marrë sot në mëngjes, nuk kemi hasur ndonjë problematikë, përveç rasteve kur disa prindër kanë tentuar që përmes dokumenteve të noterizuara t’i regjistrojnë fëmijët në shkolla jashtë rajonit ku jetojnë. Përndryshe, gjithçka po shkon mirë. Vitin e kaluar kishim 939 nxënës të regjistruar të përkatësisë shqiptare, maqedonase dhe turke, ndërsa këtë vit presim fëmijët e lindur në vitin 2020 dhe janar të 2021-shit”, tha Valdin Ademi nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës.
Nga shkolla fillore “Liria” thonë se këtë vit do të ketë gjashtë paralele, katër në gjuhën shqipe dhe dy në gjuhën maqedonase. Sipas drejtoreshës, pritet që numri i nxënësve të jetë i njëjtë me vitin e kaluar.
“Si çdo vit, edhe këtë vit fillon regjistrimi i nxënësve në klasë të parë. Kemi gjashtë paralele, dy në gjuhën maqedonase dhe katër në gjuhën shqipe. Si institucion jemi përgatitur plotësisht për këtë proces. Sipas listave që na kanë ardhur nga komuna, nuk kemi ulje të numrit të nxënësve, shifrat mbeten të qëndrueshme si vitin e kaluar”, u shpreh Farije Kasami – drejtoreshë e Shkollës “Liria”.
Procesi i regjistrimit të nxënësve në klasë të parë në Tetovë për vitin akademik 2026/2027 reflekton një paradoks midis statistikave zyrtare dhe realitetit demografik. Edhe pse të dhënat nga librat amë flasin për një rritje prej rreth 10% të numrit të nxënësve krahasuar me vitin paraprak , autoritetet mbeten skeptike për shkak të trendit të vazhdueshëm të migrimit të familjeve drejt jashtë shtetit. Përveç sfidës së shpërnguljes, komuna po përballet edhe me presionin administrativ të prindërve që tentojnë të anashkalojnë ndarjen rajonale të shkollave përmes dokumenteve të noterizuara, në kërkim të institucioneve të caktuara arsimore./TV21
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

