Lajme nga vendi
INCIDENTI PARA AMBASADËS BULLGARE – 8 DITË PARABURGIM PËR SHKUPJANIN!
Tetë ditë paraburgim i janë caktuar shkupjanit që dogji dy automjete diplomatike para Ambasadës së Bullgarisë. Shkupjani 44-vjeçar, siç raportuan disa media, e ka pranuar veprën në polici. I gjithë akti është regjistruar nga kamerat e sigurisë, ndërsa autori është identifikuar dhe arrestuar po atë ditë kur e kreu veprën. Incidenti u dënua si nga autoritetet maqedonase, ashtu edhe nga ato bullgare.
Gjykata Themelore Penale në Shkup, me kërkesë të prokurorit kompetent, i caktoi masën e paraburgimit prej 8 ditësh 44-vjeçarit nga Shkupi, i cili pardje bleu benzinë, spërkati dhe dogji dy automjete diplomatike në pronësi të Ambasadës së Bullgarisë në Shkup.
Autori i zjarrvënies, i cili është filmuar nga kamerat e sigurisë, në kuadër të hetimit dyshohet për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, sipas nenit 288 të Kodit Penal.
Incidenti në fjalë tensionoi raportet Shkup – Sofje.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut që në të njëjtën ditë e dënoi ashpër “aktin vandal dhe të papranueshëm të djegies së automjeteve me status diplomatik” në afërsi të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Shkup.
Incidentin e dënoi edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, duke e cilësuar si “rezultat të gjuhës agresive politike dhe nxitjes së urrejtjes”, ndërsa kritikoi reagimin e pamjaftueshëm institucional në raste të mëparshme.
Ndërkaq, Fondacioni bullgar “Maqedonia” ka paralajmëruar se të dielën do t’i bllokojë tre pikat kufitare ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Bllokada, siç njoftuan nga Fondacioni, është koordinuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Bullgarisë dhe do të zgjasë dy orë, nga ora 11:00 deri në 13:00.
Kjo vjen pasi para dy ditësh u dogjën dy automjete diplomatike të Ambasadës së Bullgarisë në Shkup – një veprim që nga fondacioni u vlerësua si një formë terrorizmi.
Qëllimi i bllokadës, siç shtojnë nga Fondacioni bullgar “Maqedonia”, nuk është pengimi i qytetarëve për të kaluar kufirin, por t’i dërgohet një mesazh kryeministrit Hristijan Mickoski se pushteti në Shkup nuk mund të vazhdojë me, siç thonë ata, represionin./Tv Koha/
Lajme nga vendi
TETË VITE NGA NËNSHKRIMI I MARRËVESHJES SË PRESPËS
Më 17 qershor 2018, në fshatin Nivici, në brigjet e Liqenit të Prespës në Greqi, Shkupi dhe Athina nënshkruan marrëveshjen historike me të cilën u tejkalua kontesti shumëvjeçar për emrin. Me këtë u hap rruga për integrimin euroatlantik dhe shteti, me emrin e ri Republika e Maqedonisë së Veriut, u bë anëtari i 30-të i NATO-s. Tetë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë karakterizohen nga përparime, por edhe nga sfida në zbatimin e obligimeve të marra.
Në këtë ditë, tetë vjet më parë, në brigjet e Liqenit të Prespës, Maqedonia dhe Greqia nënshkruan marrëveshjen që i dha fund kontestit tredekadësh për emrin dhe hapi një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.
Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, mbetet një nga marrëveshjet diplomatike më të rëndësishme në historinë e re të Ballkanit. Edhe pse nuk i përmbushi të gjitha pritshmëritë që lidhen me integrimin evropian dhe nuk arriti t’i tejkalojë ndarjet e brendshme politike, ajo i mundësoi vendit anëtarësimin në NATO dhe i dha fund një mosmarrëveshjeje që për dekada kishte bllokuar përparimin e tij ndërkombëtar.
Mbështetësit e marrëveshjes e konsiderojnë atë si shembull të guximit politik dhe diplomacisë së suksesshme, ndërsa kritikët vazhdojnë ta kundërshtojnë edhe sot. Megjithatë, mbetet fakt se Prespa u bë një model i njohur ndërkombëtarisht për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të ndërlikuara përmes dialogut dhe kompromisit.
Tetë vjet më vonë, marrëveshja vazhdon të nxisë debate në shoqërinë në Maqedoninë e Veriut, por edhe të kujtojë se çështjet më të vështira politike mund të zgjidhen kur ekziston vullneti për marrëveshje dhe vizion për të ardhmen./Tv Koha/
Lajme nga vendi
Jurisprudenca, Sela kritikon Krenar Llogën: Gaboi që dorëzoi ligj në Kuvend
Kreu i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, në intervistën në Alsat, këmbënguli se studentët shqiptarë duhet ta japin provimin e jurisprudencës në shqip, pa pasur nevojë për një ligj të ri. I pyetur përse tani ky qëndrim, ndërkohë që në vitin 2024, në kohën kur Sela ishte në Qeveri, Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga kishte kërkuar një ligj për jurisprudencën, Sela tha se qasja e Llogës ishte gabim.
“- Pra po thoni se nuk ka nevojë për ligj të ri?
– Nuk ka nevojë, duhet të zbatohet, duhet vendim të sjell ministri i drejtësisë.
– Dua të ju pyes, në kohën kur ju ishit në Qeveri, ministri i drejtësisë Lloga kishte kërkuar në janar të vitit 2024 një ligj për jurisprudencën, pse atëherë kishte nevojë tani s’ka ?
-Unë mendoj se ajo qasje ka qenë gabim, natyrisht që në atë periudhë unë akoma nuk kam qenë kryetar i partisë, ka qenë tjetër kryetar partie, nisën turbulencat që i ndodhën ASH-së dhe thjeshtë nuk jam konsultuar. “- deklaroi Sela. / Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 16 Qershor
Dje në ora 10:35, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 51-vjeçar nga fshati Poroj i Tetovës. Ai kërkohej me urdhëresë gjyqësore për vuajtje të dënimit me burg për vepër penale të kryer sipas nenit 284-a të Kodit Penal. Personi është dërguar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Burgu i Tetovës për vuajtje të dënimit.
……Dje në ora 11:30 në SPB Tetovë është denoncuar se më 15 Qershor rreth orës 16:30, para hyrjes së kishës “Shën Atanasie” në fshatin Bërvenicë të Tetovës, është vjedhur një arkë me para. Po merren masa për gjetjen e autorit dhe për zbardhjen e plotë të rastit.
……Dje në ora 17:00 në DPB Gostivar, një 43-vjeçar nga Gostivari ka denoncuar se një person nga fshati Negotinë i Gostivarit, i ka drejtuar kërcënime përmes telefonit. Sipas denoncimit, ai edhe më parë ka shkuar në vendin e tij të punës, në zyrën e tij në Komunën e Gostivarit, dhe i ka drejtuar kërcënime për shkak të masave të ndërmarra më parë lidhur me detyrat e tij zyrtare në komunë, përkatësisht për shkak të një procedure të iniciuar më parë për mbindërtim pa leje të një objekti, e cila ishte denoncuar nga fqinjtë. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
……Dje në ora 14:20 në DPB gostivar, një 53-vjeçar nga fshati Çegran i Gostivarit, ka denoncuar se në një rrjet social janë publikuar fotografi të djalit të tij të mitur me tekste me kërcënime për jetën dhe sigurinë e familjes së tij. Është njoftuar prokurori publik dhe po merren masa për zbardhjen e rastit

