Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 29 Qershor
Dje në ora 15:00 në SPB Tetovë, një grua 51-vjeçare nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 12:00 në shtëpinë familjare, bashkëshorti i saj ka kërcënuar atë dhe vajzën e saj, pas së cilës ka tentuar t’i vërë flakën shtëpisë.
……
Dje në ora 20:00, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor i Tearcës kanë privuar nga liria një 34 vjeçar nga fshati Sllatinë e Tetovës, duke vepruar pas një denoncimi të mëparshëm se rreth orës 15:30 në objektin e tij hotelier në fshat, ai e ka shantazhuar atë dhe djalin e tij duke u kërkuar para, ndërsa më vonë e ka kërcënuar djalin e tij me një mjet të mprehtë. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë kallëzimi përkatës.
……
Dje në ora 19:30, zyrtarë policorë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria një 51-vjeçar nga Gostivari, duke vepruar pas një denoncimi të mëparshëm nga bashkëshortja e tij 46-vjeçare se rreth orës 19:00 e ka sulmuar fizikisht në shtëpinë familjare. 51-vjeçari është ndaluar në Stacionin Policor të Gostivarit dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
……
Sot në ora 05:30 të mëngjesit në Gostivar, zyrtarë policorë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria një person duke vepruar pas një denoncimi të mëparshëm nga bashkëshortja e tij 42-vjeçare se rreth orës 04:00 me një automjet udhëtarësh ka thyer derën e hyrjes së shtëpisë së prindërve të saj, me një send të fortë ka thyer xhamin e shtëpisë dhe e ka sulmuar fizikisht. Gjatë kontrolleve të kryera është konstatuar se ai ishte nën efektin e alkoolit, respektivisht i janë matur 1.70 promilë alkool në gjak.
……
Dje në ora 12:05, pas informacioneve të marra paraprakisht, zyrtarët policorë kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes në një objekt në ndërtim e sipër pranë rrugës rajonale Tetovë – Jazinçë, afër fshatit Dobrosht. Me këtë rast është konstatuar se në objektin në pronësi të një 44-vjeçari nga fshati Dobrosht, një 31-vjeçar poashtu nga Dobroshti, gjatë kryerjes së detyrave të punës ka rënë dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore. Ai është dërguar në Spitalin Klinik të Tetovës, nga ku është përcjellë për në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza”, ku u ka nënshtruar lëndimeve. Këqyrjen e vendit të ngjarjes e kanë kryer ekipet e SPB Tetovë, Inspektorati i Punës dhe Prokurori Publik, me urdhër të të cilit trupi i të ndjerit është dërguar në Mjekësinë Ligjore për obduksion.
……
Dje në ora 23:00 në SPB Tetovë është denoncuar se në rrugën “29 Nëntori” në Tetovë, pas një grindjeje të mëparshme, është prishur rendi dhe qetësia publike me një përleshje fizike ndërmjet një 21 vjeçari dhe 30-vjeçari. Ata janë shoqëruar në stacionin policor dhe gjatë kontrolleve të kryera është konstatuar se njëri ishte nën efektin e alkoolit, gjegjësisht kishte 1.14 promilë alkool në gjak.
……
Dje në ora 22:30 në SPB Tetovë, një 21-vjeçar nga fshati Sellcë e Tetovës, ka denoncuar se rreth orës 22:00 në Sheshin e Qytetit në Tetovë është sulmuar fizikisht nga një person nga Tetova. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
…..
Dje në ora 20:30 në udhëkryqin e rrugës “Boris Kidriç” dhe rrugës “Bllagoja Toska” në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 23 vjeçar nga fshati Leshkë e Tetovës. Gjatë kontrollit të automjetit të tij të udhëtarëve, në sediljen e pasme janë gjetur dhe sekuestruar marihuanë, një mulli (grirës), një shkop bejsbolli dhe një boks metalik. Pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
……
Dje në ora 18:50 në rrugën magjistrale Gostivar-Kërçovë, zyrtarë policorë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria një 21-vjeçar nga fshati Raven i Gostivarit. Gjatë një kontrolli në trafik, zyrtarët policorë kanë ndaluar një automjet udhëtarësh “Volksvagen Passat” me targa të Gostivarit, të cilin ai e drejtonte, dhe pas masave të ndërmarra është konstatuar se ai e drejtonte automjetin pa patentë shofer. Automjeti është sekuestruar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të ngrihet kallëzimi përkatës.
……
Pas mesnate në ora 01:40 në fshatin Negotinë të Gostivarit, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor i Gallatës kanë privuar nga liria një 19-vjeçar nga fshati Gorjan. Gjatë një kontrolli në trafik, zyrtarët policorë kanë ndaluar një automjet udhëtarësh “Audi” me targa të Gostivarit, të cilin ai e drejtonte, dhe pas masave të ndërmarra është konstatuar se ai e drejtonte automjetin pa patentë shofer. Automjeti është sekuestruar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të ngrihet kallëzimi përkatës.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

