Lajme nga vendi
BE-ja dënon aktivitetet destabilizuese të Rusisë në Ballkanin Perëndimor
Bashkimi Evropian tha se i kundërshton aktivitetet destabilizuese të Rusisë në Ballkanin Perëndimor dhe shtoi se marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të vazhdojnë si zakonisht, përderisa regjimi i Vladimir Putinit vazhdon agresionin ndaj Ukrainës.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet policisë së entitetit të Republikës Sërpska dhe Moskës, Komisioni Evropian i tha Radios Evropa e Lirë se entitetet në Bosnje dhe Hercegovinë kanë të drejtë të zhvillojnë bashkëpunim ndërkombëtar në fushat për të cilat janë përgjegjëse, por se duhet t’i përmbahen plotësisht Kushtetutës së Bosnje dhe Hercegovinës dhe vendimeve të institucioneve shtetërore.
“Politika e jashtme në Bosnje dhe Hercegovinë është kompetencë ekskluzive e shtetit, ndërsa entitetet kanë detyrim kushtetues t’i ndihmojnë institucionet shtetërore në përmbushjen e obligimeve të tyre”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian.
Ministri i Punëve të Brendshme i entitetit të Republikës Sërpska, Zhelko Budimir, nënshkroi më 23 qershor në Moskë një memorandum bashkëpunimi me Oleg Baranovin, shefin e Drejtorisë Kryesore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Federatës Ruse për qytetin e Moskës, i cili është i sanksionuar nga Bashkimi Evropian.
Me këtë, u vazhdua bashkëpunimi i vendosur më shumë se dhjetë vjet më parë, i cili parasheh shkëmbimin e informatave, trajnime profesionale, si dhe bashkëpunim në luftën kundër terrorizmit dhe formave të tjera të kriminalitetit.
Teksti i memorandumit të ri nuk është bërë publik.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës Sërpska i thanë Radios Evropa e Lirë se ai “i konkretizon më tej format e bashkëpunimit në fushën e aftësimit profesional, shkëmbimit të përvojave dhe realizimit të trajnimeve të përbashkëta”.
Parlamenti Evropian miratoi më 17 qershor një rezolutë për Bosnje dhe Hercegovinën, në të cilën dënoi bashkëpunimin e autoriteteve të Republikës Sërpska me zyrtarë rusë që gjenden nën sanksione ndërkombëtare.
Në rezolutë u theksua se marrëdhëniet e tilla përbëjnë rrezik për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje dhe Hercegovinës.
Bosnje dhe Hercegovina u është bashkuar zyrtarisht sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, por zbatimi i tyre kundërshtohet nga politikanët e Republikës Sërpska, të udhëhequr nga Millorad Dodik, president i partisë në pushtet, Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me diell
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me diell me vranësira të lehta deri në mesatare. Pasdite do të ketë kushte për jostabilitet lokal me shira të rrëmbyeshëm dhe bubullima. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga veriperëndimi.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin 8 deri në 19 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë 28 deri në 36 gradë Celsius.
Në Shkup do të ketë gjithashtu mot me diell me vranësira të lehta deri në mesatare, ndërsa pasdite, në pjesë të luginës, do të ketë kushte për shira të rrëmbyeshëm dhe bubullima të herëpashershme. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga perëndimi. Temperatura minimale do të bjerë në 15, ndërsa maksimale do të arrijë 34 gradë Celsius.
Lajme nga vendi
Nga mesnata dizeli shtrenjohet për 2,5 denarë, benzina për 1 denar
Nga mesnata, shoferët do të paguajnë çmime më të larta për derivatet e naftës, pasi Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) ka miratuar vendim për rritje mesatare të çmimeve me pakicë të derivateve të naftës prej 1,47 për qind. Ndryshimi më i madh është te dizeli, i cili shtrenjohet për 2,5 denarë për litër. Benzinat do të jenë më të shtrenjta për 1 denar për litër, ndërsa vaji ekstra i lehtë për amvisëri do të shitet me çmim më të lartë për 2 denarë. I vetmi që lirohet është mazuti – për 0,265 denarë për kilogram.
Nga Komisioni shpjegojnë se korrigjimi i çmimeve është rezultat i lëvizjeve në tregjet botërore. Në periudhën e fundit të llogaritjes, çmimi i benzinës është rritur për 2,576 për qind, dizeli për 5,201 për qind, ndërsa vaji ekstra i lehtë për 4,681 për qind. Në të njëjtën kohë, çmimi i mazutit është ulur për 0,967 për qind.
Përveç kësaj, në llogaritjen përfundimtare ka ndikuar edhe kursi më i lartë i denarit ndaj dollarit amerikan, i cili në periudhën e analizuar është rritur për 1,5132 për qind.
Lajme nga vendi
PARTITË ENDE PA MARRËVESHJE PËR KODIN ZGJEDHOR
Partitë politike ende nuk po arrijnë të gjejnë konsensus për Kodin e ri Zgjedhor, ndërsa dallimet më të mëdha vazhdojnë të jenë rreth mënyrës së votimit të diasporës. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, e mbështeti mundësinë e votimit elektronik, me kusht që të sigurohen identifikimi i besueshëm i votuesve dhe fshehtësia e votës. Ndërkohë, LSDM paralajmëron për keqpërdorime të mundshme, ndërsa VMRO-DPMNE e akuzon opozitën për bllokimin e reformave që lidhen me Kodin Zgjedhor.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, u bëri thirrje koordinatorëve të grupeve parlamentare që të tejkalojnë dallimet dhe të arrijnë kompromis për Kodin Zgjedhor.
Në një takim informues me gazetarët, Gashi theksoi se votimi elektronik ka qenë pjesë edhe e programit të partisë së tij politike, Alternativa.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve, ai theksoi se ky model do të kontribuonte në barazi më të madhe të qytetarëve gjatë votimit.
Ai shtoi se synimi është të sigurohet një Kod Zgjedhor që u mundëson qytetarëve të votojnë lirshëm dhe ta shprehin vullnetin e tyre në mënyrë demokratike përmes zgjedhjeve.
Nga LSDM njoftuan se VMRO-DPMNE, me ndryshimet e propozuara për votimin e diasporës, hap hapësirë për keqpërdorime të mundshme. Nga LSDM-ja thonw se ideja fillestare për votim elektronik të diasporës është zëvendësuar me propozimin për votim me postë, i cili, sipas partisë, nuk garanton mekanizma të mjaftueshëm kontrolli dhe mbrojtjeje të vullnetit zgjedhor.
Kryeministri Hristijan Mickoski ditëve të fundit ka ftuar vazhdimisht opozitën në bisedime për të gjetur një zgjidhje për votimin e diasporës, duke theksuar se ai nuk duhet domosdoshmërisht të jetë elektronik, por mund të realizohet edhe përmes postës. Ai shpreson se pas 15 korrikut partitë do të arrijnë të tejkalojnë mosmarrëveshjet lidhur me Kodin Zgjedhor.
Hulumtimi i Qendrës për Komunikime Qytetare nga viti 2024 tregoi se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), për organizimin e zgjedhjeve të fundit presidenciale dhe parlamentare, ka lidhur 22 kontrata për prokurime publike me vlerë të përgjithshme prej rreth 3,47 milionë euro, deri më 20 maj 2024.
Analiza tregon se shpenzimet për organizimin e votimit të diasporës kanë qenë më të larta se mjetet e shpenzuara për shtypjen e fletëvotimeve për të gjithë votuesit në vend, duke hapur edhe më shumë diskutimin për efikasitetin dhe qëndrueshmërinë e modelit aktual të votimit jashtë shtetit.
-
Lajme nga vendi2 months agoSPB : Kronika e zezë për ditën e djeshme 07 Maj Tetovë dhe Gostivar
-
Lajme nga rajoni2 months agoKQZ ka bërë të ditur se AKR dhe Nisma Socialdemokrate nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoLVV nënshkruan koalicionin parazgjedhor me tri parti

