Lajme nga vendi
KF SHKËNDIJA NESËR NIS RRUGËTIMIN NË GARAT EUROPIANE!
Klubi i futbollit Shkëndija edhe këtë vit do ta përfaqësojë Maqedoninë e Veriut në garat e UEFA Konferencë Liga. Nesër me fillim në ora 19:30 kuqezinjtë tetovar do të përballen në transfertë me ekipin Europa FC në Gjibraltar. Për ekipin e Shkëndijës është kjo ndeshja e 68-të europiane.
Klubi I futbollit Shkëndija nga dita e djeshme është në Gjibraltar për duelin që do ta luajnë ndaj Europa FC në kuadër të raundit të parë eliminator në UEFA Konferencë Liga.
Tetovarët në këtë ndeshje konsiderohen favorit dhe realisht pritet që ta kalojnë këtë pengesë për t`u kualifikuar në raundin e radhës.
Shkëndija nis një një epokë të re nën drejtimin e Artim Pollozhanit, ku synimi mbetet që sërish të sigurojnë grupet e këtij kompeticioni si vitin e kaluar.
Shkëndija sot në mbrëmje pritet që të zhvillojë seancën zyrtare stërvitore para ndeshjes së nesërme kur edhe trajneri Pollozhani do të përcaktohet për formacionin që do të zbres në fushë. Ndeshja Europa FC dhe Shkëndija do të zhvillohet nesër me fillim në ora 19:30.
Ndryshe për klubin e futbollit Shkëndija është kjo ndeshja e 68 në garat evropian ku ka 16 ndeshje në ligën e kampionëve, 31 në Europa Liga dhe 18 në Konferencë Liga.
Ka të regjistruara 24 fitore, 12 barazime dhe 31 disfata, ka shënuar 68 gola dhe ka pranuar 89. Suksesin më të madh e shënoi në sezonin 2025/26 duke kaluar fazën e grupit dhe u kualifikua në eliminatoret e UEFA Konferencë Liga.
Lajme nga vendi
Gostivari sot përkujton 29 vjetorin e ngritjes së flamurit shqiptar në komunë dhe dhunën barbare
Gostivari sot përkujton 29 vjetorin e ngritjes së flamurit shqiptar në komunë dhe dhunën barbare të aparatit shtetëror të Maqedonisë kundër këtij vendimi të asaj kohe kur në krye të komunës ishte Rufi Osmani, përcjell INA.
Në mëngjesin e hershëm të datës 9 korrik të vitit 1997, makineria policore maqedonase ia mësyen Gostivarit, për shkak të ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar pranë komunës, si një e drejt që e kishte miratuar unanimisht pushteti lokal.
Eskortat policore ishin nisur pasi që natën e 8 korrikut, Parlamenti kishte sjellë një vendim kundër valvitjes së flamurit shqiptar.
Në mëngjesin e kobshëm, eskortat policore arrestojnë Rufi Osmanin si kryetar komune, si dhe kryetarin e Këshillit komunal, Refik Dauti. Po atë ditë pasoi edhe revolta dhe protesta e qytetarëve, ashtu që policia ushtroi dhunë barbare, duke lënë qindra të plagosur, por edhe të vrarë.
Në këto ngjarje tragjike në mbrotje të flamurit ranë tri dëshmorë, Shpend Iseini, Nazmi Saliu dhe Milaim Dauti, dhe u maltretuan me qindra dhe mijëra qytetarë të Gostivarit që kishin dalë në protestë në mbrotje të flamurit kombëtarë që ishte larguar nga godina e Komunës së Gostivarit.
Rufi Osmani tani i përkushtuar si profesor universitar gjithmonë përkujton këtë ditë të kobshme për Gostivarit dhe shqiptarët anembanë.
“Kur u zgjodha unë kryetar i Komunës së Gostivarit menjëherë morrën vendim që te përdoret edhe flamuri shqiptar në Maqedoni. Kërkesa erdhi edhe pse Shqipëria ndodhej në një krizë të thellë e njohur si kriza e 97, Kosova po ashtu. Ne e ndjemë se diçka po përgatitet, prandaj së bashku me Arbër Xhaferin dhe Alajdin Demirin realizuam një takim me kryeministrin e asaj kohe Branko Cërvenkovski.
Në këtë takim unë i ofrova kompromis, Cërvenkovskit, për të dalë prej situate. Kompromisi ishte që unë vullnetarisht të shkoj në burg për mos respektim të vendimit të gjykatës kushtetutare, ndërsa qeveria, gjegjësisht parlamenti të sjell ligjin për zyrtarizimin e flamurit kombëtar. Qëllimi im ishte të mos e pëson populli. Dhe në parim u ra dakord, këtë mund ta dëshmoj edhe Alajdin Demiri, i cili është gjallë.
Më 8 korrik, Parlamenti i Maqedonisë në ora 22:00 të natës miratoi ligjin dhe sjellja e ligjit politikisht neve na dha të drejtë, sepse me këtë ligj u abrogua vendimi i gjykatës kushtetutare, por për fat të keq ora 24:00, Branko Cërvenkovski që për mua vazhdon të jetë një kriminel ordiner, nga pozicioni i kryeministrit solli në Gostivar mbi 5000 mijë policë. Në ora 3 të mëngjesit burgosem unë, burgoset kryetari i Këshillit, dhe më 9 korrik ndodhi masakra e Gostivarit. U vranë tre qytetar të pafajshëm, u maltretuan me mijëra qytetar”, rrëfen Osmani.
Gjykata themelore e Gostivarit shpalli fajtor kryetarin e komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, duku ia shqiptuar 14 vite burg, gjegjësisht 7 vite burg në instancën e dytë gjyqësore. U dënua edhe kryesuesi i këshillit Komunal, Refik Dauti, ndërsa ndëshkime pati edhe për kryetarin e atëhershëm të Tetovës, Alajdin Demiri si dhe kryesuesin e këshillit komunal Vebi Bexheti.
Ngjarjet e 9 korrikut të vitit 1997 edhe sot e kësaj dite, vazhdojnë të sjellin kujtesën e ngjarjeve më tragjike në mbrotje të flamurit kombëtarë që valvitej para godinës së Komunës së Gostivarit. (INA)
Lajme nga vendi
SHKËNDIJA NGA GJIBRALTARI NIS SFIDAT EVROPIANE
Shkëndija sonte zhvillon ndeshjen e xhiros së parë në UEFA Konferencë Liga kundër ekipit Europa FC në Gjibraltar duke kërkuar përkushtim maksimal dhe fitore për të lehtësuar ndeshjen e kthimit.
Sonte me fillim në ora 19:30 klubi I futbollit Shkëndija zhvillon ndeshjen e xhiros së parë të UEFA Konferencë Liga kundër skuadrës Europa FC të Gjibraltarit.
Ekipi mbrëmë ka zhvilluar séancën zyrtare stërvitore në terrenin ku edhe do të zhvillohet ndeshja.
Në press konferencën zyrtare pritshmëritë për ndeshjen e sotme i shpalosën trajneri Pollozhani dhe kapiteni Besart Ibraimi.
Trajneri Artim Pollozhani i cili zyrtarisht debuton si trajner i kuqezinjve në një ndeshje zyrtare siç është UEFA Konferencë Liga u shpreh optimist se edhe këtë vit ekipi do të ketë suksese.
“Fillon një cikël i ri për ne, fillojmë Kupat e Europës, një cikël i rëndësishëm. Siç e përmendët edhe ju, vjet klubi bëri një sukses të jashtëzakonshëm në Europë. Por, ai sukses tashmë i përket së kaluarës dhe sigurisht që ne do të tentojmë të shkojmë goxha larg këtë vit, sepse potenciali ekziston. Mendoj që me një qasje dhe angazhim maksimal, nga i pari deri te i fundit, mund ta arrijmë larg. Sa i përket fazës përgatitore, është mjaft e rëndësishme që ajo kaloi me sukses dhe i gjithë grupi është i plotë, kështu që do të konkurrojnë të gjithë ata që janë gati për ndeshjen e sotme” deklaroi trajneri Artim Pollozhani
Kapiteni Besart Ibraimi theksoi se kuqezinjtë janë favorit por do të luajnë me përkushtimin më lartë duke e respektuar kundërshtarin.
“Të them të drejtën, në ndeshjen e nesërme Normal që ne jemi favoritë, por me të vërtetë përkushtimi ynë do të jetë maksimal. Duhet të qasemi me seriozitetin më të madh, sepse në ditët e sotme nuk ka ndeshje të lehta. Jemi përgatitur, e kemi analizuar kundërshtarin dhe shpresojmë që nesër ta fitojmë ndeshjen, në mënyrë që në ndeshjen e kthimit ta kemi më lehtë” deklaroi kapiteni Besart Ibraimi
Ndeshja Europa FC – Shkëndija luhet sonte me fillim në ora 19:30.
Sonte me fillim në ora 19:00 skuadra tjetër nga Maqedonia e Veriut, Sileksi është mysafire e Dinamo Minsk.
Lajme nga vendi
Kapen lloje të ndryshme droge në një bodrum të braktisur në Shkup
Policia ka njoftuar se më 8 korrik, kanë gjetur një sasi të madhe të llojeve të ndryshme të drogës në një hapësirë të braktisur të bodrumit të një ndërtese në Komunën e Aerodromit, përcjell TV21. Nga policia bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit, pas së cilës do të dorëzohet kallëzim përkatës.
“Më 08.07.2026, nga ana e zyrtarëve policorë të Njësisë për Tregti të Paligjshme pranë SPB Shkup, pas masave të ndërmarra paraprakisht, në hapësira të braktisura të bodrumeve në një ndërtesë në territorin e Komunës së Aerodromit është gjetur një sasi më e madhe e llojeve të ndryshme të drogës narkotike: lëndë e bardhë në formë gungash, kërpudha halucinogjene, një qese me një sasi më të madhe tabletash – ekstazi, marihuanë dhe tre peshore digjitale. Po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit, pas së cilës do të dorëzohet kallëzim përkatës”, thonë nga MPB.

