Lajme nga vendi
Daniela Dimovska zgjidhet kryetare e Gjykatës Themelore Penale në Shkup
Gjyqtarja Daniela Dimovska është zgjedhur kryetare e re e Gjykatës Themelore Penale në Shkup. Vendimi u mor sot nga Këshilli Gjyqësor, pas përfundimit të procedurës së përzgjedhjes për këtë post njofton INA.
Në konkursin publik për pozitën ishin paraqitur dy kandidatë: Daniela Dimovska, gjyqtare dhe ushtruese e deritanishme e detyrës së kryetares së Gjykatës Themelore Penale në Shkup, si dhe Ivica Stefanovski, gjithashtu gjyqtar në të njëjtën gjykatë.
Këshilli Gjyqësor e zgjodhi Dimovskën me 11 vota “pro”, ndërsa ajo mori edhe katër vota “pro” sipas parimit të Badinterit.
Vendimin e bëri të ditur kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski.
“Konstatoj se Këshilli mori vendim me të cilin Daniela Dimovska zgjidhet kryetare e Gjykatës Themelore Penale – Shkup”, deklaroi Kambovski.
Kryetari i Komisionit për Zgjedhje, Ivica Nikollovski, njoftoi se të dy kandidaturat ishin të rregullta dhe se kandidatët kishin kaluar të gjitha fazat e parapara të procedurës, përfshirë testimet dhe intervistat.
Dimovska e ushtronte funksionin e ushtrueses së detyrës së kryetares së gjykatës prej një viti. Para kësaj, ajo ishte gjyqtare në Departamentin për Krim të Organizuar dhe Korrupsion pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup, ku ka trajtuar lëndë që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë./INA/
Lajme nga vendi
VLEN: Me reforma dhe partneritet të fortë avancojmë drejt BE-së
Takimi i përbashkët i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, konfirmoi edhe një herë se integrimi evropian mbetet prioritet strategjik i vendit dhe se reformat po zhvillohen në partneritet të ngushtë me Bashkimin Evropian, thuhet në kumtesën e sotme të VLEN.
“Pjesëmarrja e zv. skryeministrit të Parë dhe Ministrit për Çështje Evropiane, Bekim Sali, në këtë takim dëshmon angazhimin e VLEN-it për ta mbajtur agjendën evropiane në qendër të veprimit institucional dhe për të përshpejtuar proceset reformuese që e afrojnë vendin me Bashkimin Evropian.
VLEN është e bindur se procesi i integrimit evropian kërkon përkushtim të vazhdueshëm, vendimmarrje të përgjegjshme dhe zbatim të reformave që sjellin përfitime konkrete për qytetarët. Prandaj, zbatimi i Agjendës së Reformave dhe i Planit të Rritjes mbetet një ndër prioritetet tona kryesore, me synimin që përfitimet e këtij procesi të ndihen nga çdo qytetar përmes institucioneve më efikase, ekonomisë më të zhvilluar dhe një standardi më të mirë jetese.
Bashkëpunimi me Komisionin Evropian do të vazhdojë të forcohet, ndërsa institucionet do të punojnë me përgjegjësi për realizimin e reformave të nevojshme dhe shfrytëzimin maksimal të mundësive që ofron Plani i Rritjes.
VLEN do të vazhdojë të jetë një forcë shtytëse e procesit të integrimit evropian, duke dëshmuar se me punë, përgjegjësi dhe vizion të qartë, Maqedonia e Veriut ecën me hapa të sigurt drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”, thonë nga VLEN.
Lajme nga vendi
Nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi
Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë njofton se trafiku në vend po zhvillohet pa pengesa dhe në rrugë me lagështi.
Trafiku jashtë mjediseve urbane po zhvillohet me intensitet të moderuar.
“Në vendkalimet kufitare nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi”, thonë nga LAMM.
Nga atje u bëjnë thirrje shoferëve që të kenë kujdes me shpejtësinë e automjeteve, veçanërisht nëpër luginat e vendit ku mund të ketë rrëshqitje të dheut.
Lajme nga vendi
Salmonela shkaktoi helmimin masiv me ushqim te punonjësit e “Mikrosam”
Bakteria salmonela është shkaktari i helmimit masiv me ushqim të punonjësve të kompanisë së Prilepit “Mikrosam”, sipas analizave epidemiologjike të Qendrës për Shëndet Publik në Prilep.
Problemet shëndetësore te punonjësit janë shfaqur pasi ata kanë konsumuar një vakt të furnizuar nga një kompani kateringu me të cilën bashkëpunonin më 29 qershor. Në atë ditë, punonjësve u janë shërbyer makarona me vezë dhe gjizë.
Nga gjithsej 58 punonjësit që kanë konsumuar këtë ushqim, te 44 persona janë shfaqur simptoma të helmimit. Gjashtë prej tyre janë shtruar në Spitalin e Përgjithshëm të Prilepit, ndërsa të tjerët kanë kaluar me pasqyrë klinike më të lehtë ose mesatarisht të rëndë.
Dihet se ky lloj helmimi bakterial zakonisht lidhet me konsumimin e ushqimeve të pagatuara mirë ose të përpunuara në mënyrë jo të mjaftueshme termikisht me origjinë shtazore, si mishi, vezët, qumështi dhe produktet e tyre.
“Fillimi i menjëhershëm, arritja e shpejtë e numrit maksimal të të sëmurëve dhe më pas rënia e menjëhershme e numrit tregojnë se bëhet fjalë për një ekspozim të vetëm ndaj ushqimit të kontaminuar. Nga 23 mostrat e marra nga personat e sëmurë, te 11 persona tashmë është konfirmuar prania e bakteries salmonela. Edhe pse ende priten konfirmimet përfundimtare, pavarësisht rezultateve, ushqimi mbetet dyshimi kryesor për shfaqjen e helmimit”, njoftuan nga Qendra për Shëndet Publik në Prilep.
Menjëherë janë marrë mostra edhe nga ushqimi i përgatitur. Rezultatet e analizave në laboratorin mikrobiologjik të Institutit për Shëndet Publik në Shkup duhet të tregojnë nëse ushqimi ka përmbajtur drejtpërdrejt bakterien.
Pas raportimit të rastit, është kryer një kontroll i jashtëzakonshëm inspektues në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor dhe Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari.
Ndërkohë, kuzhina e kompanisë së kateringut dhe mensa e kompanisë “Mikrosam” mbeten të mbyllura dhe jashtë funksionit derisa Qendra për Shëndet Publik të dorëzojë analizat përfundimtare laboratorike.
Pas përfundimit të raporteve, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor do të ndërmarrë masat përkatëse ligjore dhe kundërvajtëse ndaj subjekteve përgjegjëse.

