Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me diell dhe vranësira. Pasdite pritet të ketë reshje të shiut.
Në vend do të fryjë një erë e lehtë nga drejtimi veriperëndimor.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 9 deri 20, ndërsa temperatura maksimale do të lëvizin nga 29 deri 36 gradë celsius.
Në ditët në vijim moti do të jetë i qëndrueshëm.
Lajme nga vendi
GASHI: PRES SQARIM TË PLOTË DHE TRANSPARENT NGA AUTORITETET SHQIPTARE!
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka reaguar pas raportimeve për ndalimin e deputetëve të Kuvendit të RMV-së në pikën kufitare të Qafë Thanës.
Gashi kërkon sqarim të plotë dhe transparent nga autoritetet shqiptare, duke theksuar se deputetët janë përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve dhe se çdo trajtim ndaj tyre duhet të jetë në përputhje me dinjitetin dhe funksionin që ushtrojnë.
“Si Kryetar i Kuvendit, shpreh shqetësimin për informacionet lidhur me trajtimin e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në pikën kufitare të Qafë Thanës. Deputetët janë përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve dhe bartës të mandatit kushtetues. Për këtë arsye, çdo veprim që prek autoritetin dhe funksionin e tyre duhet të jetë në përputhje me standardet më të larta të respektit dhe dinjitetit që u takon përfaqësuesve të zgjedhur të popullit” – thuhet në reagimin e Kryeparlamentarit Afrim Gashi.
Ai shtoi se pret që rasti të sqarohet, në funksion të ruajtjes së besimit reciprok dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe vllazërore mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
“Duke vlerësuar marrëdhëniet tradicionale fqinjësore, por mbi të gjitha ato vëllazërore, ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, besoj dhe pres për një sqarim të plotë dhe transparent” – thotë Gashi.
Jo vetëm reagimin e Kuvendit, ndalesa e deputetëve shqiptarë në Kufirin me Shqipërinë ka provokuar edhe reagimin e deputetëve opozitarë në Shqipëri të cilët e kanë vlerësuar si të ulët dhe të panevojshëm gjestin e shtetit shqiptar.
Lajme nga vendi
VLEN: DO TA NDJEKIM NGA AFËR REALIZIMIN E AUTOSTRADËS SHKUP – BLLACË!
Autostrada Shkup–Bllacë është një nga ato projekte për të cilat qytetarët kanë dëgjuar shumë. Është premtuar në gjashtë palë zgjedhje, por ajo që panë për 16 vite ishte fjalë dhe vetëm fjalë, thanë gjatë një press-konference nga VLEN. Sipas tyre, me VLEN-in në institucione, autostrada Shkup–Bllacë ka kaluar nga premtimi në realizim. Gjatë press-konferencës, në pika të shkurtra, u sqarua çfarë është bërë që ky projekt më në fund të jetësohet.
Segmenti i dytë i kësaj autostrade, me gjatësi rreth 10.5 kilometra, është një investim prej rreth 200 milionë eurosh. Financimi është siguruar përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me mbështetje të Bashkimit Evropian përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor.
Ky nuk është një projekt i zakonshëm rrugor. Trasa kalon në terren të vështirë malor dhe kërkon zgjidhje serioze inxhinierike. Në këtë segment parashihen pesë tunele të dyfishta, me gjatësi totale prej rreth 5 kilometrash, 9 ura, galeri mbrojtëse dhe objekte të tjera mbështetëse, që do ta bëjnë këtë aks më të sigurt, të shpejtë dhe sigurisht më funksional.
Të nderuar,
Propaganda e mbajti autostradën Shkup–Bllacë zvarrë që nga viti 2008, por puna jonë e solli deri te financimi, kontrata dhe fillimi i realizimit.
Ashtu siç kemi thënë, për ne patriotizmi matet me punë, me projekte, me rrugë që ndërtohen dhe me qytetarë që fitojnë kushte më të mira për jetë.
Ne do ta ndjekim nga afër realizimin e këtij projekti, me përgjegjësi dhe përkushtim të plotë, që punimet të zhvillohen sipas standardeve më të larta dhe brenda afateve të parapara.
E dimë se qytetarët janë lodhur duke dëgjuar për këtë autostradë. Tani është koha ta shohin duke u ndërtuar, u tha në press-konferencën e VLEN-it.
Lajme nga vendi
RRUGA E BUTIQEVE NË TETOVË PRET ARDHJEN E MËRGIMTARËVE
Rruga e butiqeve, dikur një nga pjesët më të frekuentuara të qytetit gjatë muajve të verës, sot, duket ndryshe. Pronarët e bizneseve thonë se kriza ekonomike ka ndikuar dhe dukshëm ka rënë numri i klientëve. Megjithatë, kanë një shpresë se me ardhjen e mërgimtarëve, do të rritet puna. Madje në shenjë mirënjohje për mërgimtarët, ata kishin vendosur edhe në mbishkrim mirëseardhje.Shitësit në këtë zonë thonë se puna ka rënë nga viti në vit.
Por ka edhe biznese që thonë se puna e tyre nuk është e lidhur drejtpërdrejtë me sezonin e verës dhe dasmat por se puna e tyre është konstante. Megjithatë, ata thonë se fluksi i njërëzve është më i ulët krahasuar me vitet e kaluara.
Në këtë rrugë mund të shihje shumë letra se lokalet jepen me qera dhe gjithashtu letra të ngjitura ku kërkoheshin punëtorë. Por si duket Tetova ka krizë për të dy këto sende kyqe, biznese të sukseshme dhe punëtorë./Tv Koha/

