Lajme nga vendi
VLEN: Me reforma dhe partneritet të fortë avancojmë drejt BE-së
Takimi i përbashkët i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, konfirmoi edhe një herë se integrimi evropian mbetet prioritet strategjik i vendit dhe se reformat po zhvillohen në partneritet të ngushtë me Bashkimin Evropian, thuhet në kumtesën e sotme të VLEN.
“Pjesëmarrja e zv. skryeministrit të Parë dhe Ministrit për Çështje Evropiane, Bekim Sali, në këtë takim dëshmon angazhimin e VLEN-it për ta mbajtur agjendën evropiane në qendër të veprimit institucional dhe për të përshpejtuar proceset reformuese që e afrojnë vendin me Bashkimin Evropian.
VLEN është e bindur se procesi i integrimit evropian kërkon përkushtim të vazhdueshëm, vendimmarrje të përgjegjshme dhe zbatim të reformave që sjellin përfitime konkrete për qytetarët. Prandaj, zbatimi i Agjendës së Reformave dhe i Planit të Rritjes mbetet një ndër prioritetet tona kryesore, me synimin që përfitimet e këtij procesi të ndihen nga çdo qytetar përmes institucioneve më efikase, ekonomisë më të zhvilluar dhe një standardi më të mirë jetese.
Bashkëpunimi me Komisionin Evropian do të vazhdojë të forcohet, ndërsa institucionet do të punojnë me përgjegjësi për realizimin e reformave të nevojshme dhe shfrytëzimin maksimal të mundësive që ofron Plani i Rritjes.
VLEN do të vazhdojë të jetë një forcë shtytëse e procesit të integrimit evropian, duke dëshmuar se me punë, përgjegjësi dhe vizion të qartë, Maqedonia e Veriut ecën me hapa të sigurt drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”, thonë nga VLEN.
Lajme nga vendi
NEPROSHTENI PËRKUJTOI DËSHMORËT BEDRI ALIMI DHE RAMETULLA AMETI
Në mbrëmjen e së mërkurës të gjitha rrugët çonin në fshatin Neproshten të Komunës së Tearcës.
Qytetarët e këtij vendbanimi nën drejtimin e Forumit Rinor organizuan Manifestimin Përkujtimor Jubilar me rastin e 25-vjetorit të rënies heroike të dëshmorëve Bedri Alimi dhe Rametulla Ameti.
Homazhe dhe Ekspozita në Parkun e Dëshmorëve në Neproshten shënuan pasditen e së mërkurës, ku qytetarë të shumtë edhe një herë rikujtuan ditët e lavdisë së këtij fshati por edhe dëmet që pësoi gjatë luftës së vitit 2001 nga granatimet e ushtrisë e policisë maqedonase.
KUSHTRIM ZENDELI – Neproshteni kishte festë krenarie e atdhedashurie. Qëllimi sipas organizatorëve është që të mos harrohen dëshmorët e kombit.
Me intonimi i himnit Kombëtar dhe një minutë heshtje për të nderuar Dëshmorët e Kombit, nisi Manifestimin Përkujtimor Jubilar me rastin e 25-vjetorit të rënies heroike të dëshmorëve Bedri Alimi dhe Rametulla Ameti.
Neproshteni mblodhi shumë ish-luftëtarë të UÇK-së, ish-Komandantë, familje të dëshmorëve, veteranë e invalid të luftës, të cilët përkujtuan ditët e lavdishme të Korrikut 2001 dhe sakrificën e rezistencën e popullatës shqiptare dhe ushtarëve të lirisë duke dhënë betimin se veprat e tyre do të kujtohen përjetësisht.
Për të madhështuar këtë mbrëmje përkujtimore organizatori kishte përgatitur një program dokumentar kurse ishin të ftuar edhe artistët Arian Agushi apo GOLD AG dhe Basri Lushtaku.
/Tv Koha/
Lajme nga vendi
U vjen fundi giveaway-ve pa rregulla në Maqedoni, nga 14 korriku hyn në fuqi ligji për lojërat shpërblyese online Leje e detyrueshme dhe tarifë 18%
Ministria e Financave njofton se me ndryshimet ligjore synohet rritja e transparencës, garantimi i sigurisë juridike dhe mbrojtja më e madhe e pjesëmarrësve në giveaway.
Sipas ligjit të ri, çdo organizator do të duhet të sigurojë leje nga Ministria e Financave, ndërsa kërkesa duhet të dorëzohet të paktën 30 ditë para fillimit të giveaway-t. Bashkë me kërkesën duhet të dorëzohet dokumentacioni i nevojshëm, i cili ndryshon varësisht nëse organizatori është tregtar individual apo shoqëri tregtare.
Një nga risitë kryesore është edhe detyrimi për pagesën e një tarife prej 18 për qind të vlerës së përgjithshme të fondit të shpërblimeve, e cila duhet të paguhet brenda tre ditëve nga marrja e lejes. Në të kundërtën, leja do të revokohet.
Ligji parashikon gjithashtu publikimin e detyrueshëm të rregullave të giveaway-t para nisjes së tij, ndërsa emrat e fituesve duhet të publikohen jo më vonë se tre ditë pas përzgjedhjes. Shpërblimet duhet t’u dorëzohen fituesve brenda afatit të përcaktuar në rregullat e lojës, i cili nuk mund të jetë më i gjatë se 60 ditë nga publikimi i rezultateve.
Rregullat e giveaway-t do të duhet të përmbajnë të gjitha informacionet kryesore, përfshirë organizatorin, produktet ose shërbimet që promovohen, kushtet e pjesëmarrjes, kohëzgjatjen e lojës, mënyrën e përzgjedhjes së fituesve, vlerën e shpërblimeve dhe procedurën për paraqitjen e ankesave. Ligji ndalon pjesëmarrjen e të punësuarve te organizatori dhe të anëtarëve të familjeve të tyre të ngushta, ndërsa një giveaway nuk mund të zgjasë më shumë se një vit.
Për herë të parë, ligji jep edhe një përkufizim zyrtar të giveaway-t, duke e cilësuar si një lojë fati ku pjesëmarrja realizohet përmes aktiviteteve si like, tag, share ose publikimi i përmbajtjeve me qëllim promovimin e produkteve apo shërbimeve.
Me këto ndryshime rregullohen për herë të parë edhe aktivitetet promovuese në internet dhe rrjetet sociale, ndërsa Ministria e Financave vlerëson se korniza e re ligjore do të sjellë rregulla më të qarta për organizatorët, transparencë më të madhe dhe mbrojtje më të mirë për qytetarët që marrin pjesë në giveaway./INA/
Lajme nga vendi
Mjeku Visar Xhaferi ngre alarmin: Kërkon nisjen urgjente të screeningut për kancerin e mushkërive
Mjeku torakal nga Tetova, Visar Xhaferi, ka bërë thirrje publike për nisjen urgjente të programit të screeningut për kancerin e mushkërive në Maqedoninë e Veriut, duke kritikuar institucionet për mosrealizimin e këtij detyrimi, transmeton Zyrtare.
Në një postim në rrjetet sociale, Xhaferi thekson se nga e hëna e kaluar deri të martën, brenda vetëm tetë ditëve, në ambulancën e Kirurgjisë Torakale në Tetovë janë paraqitur katër pacientë me kancer të mushkërive në fazë shumë të avancuar dhe të paoperueshme. Sipas tij, njëri prej tyre është edhe prindi i një miku të tij të ngushtë, i diagnostikuar me metastaza të largëta.
“Edhe sa pacientë duhet të vdesin nga kanceri i mushkërive që Ministria e Shëndetësisë ta nisë screeningun dhe Qeveria të sigurojë fondet për realizimin e tij?”, pyet ai.
Xhaferi thekson se kanceri i mushkërive është sëmundja malinje me shkallën më të lartë të vdekshmërisë në vend, duke shtuar se askush, pavarësisht pozitës apo pasurisë, nuk është i paprekshëm nga pasojat e diagnostikimit të vonshëm.
Sipas tij, gjatë vitit të kaluar në Klinikën e Onkologjisë në Shkup janë regjistruar rreth 1.200 raste me kancer të mushkërive, ndërsa në të gjithë Maqedoninë e Veriut janë operuar vetëm 80 deri në 90 pacientë, gjë që, sipas mjekut, tregon se shumica e rasteve zbulohen në faza të avancuara, kur ndërhyrja kirurgjikale nuk është më e mundur.

