Lajme nga vendi
ÇARSHIA E SHKUPIT NIS TË FRYMOJË ME TINGUJT E FESTIVALIT NDËRKOMBËTAR TË MUZIKËS
Sonte në Çarshinë e Shkupit, fillon edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar i Muzikës “Çarshia”. Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti tha se festivali do të ketë program të larmishëm duke filluar nga muzika klasike, opera, flamengo po edhe zhanre të tjera.
Mexhiti zbuloi se qëllimi i Komunës është që ky festival të bëhet tradicional dhe të organizohet për çdo vit.
Çarshia e Vjetër ka qenë gjithmonë një vend takimi i kulturave, njerëzve dhe historisë. Pikërisht për këtë arsye besojmë se është vendi i duhur që edhe arti të marrë një rol më të madh në jetën publike dhe të krijojë një lidhje të natyrshme mes trashëgimisë sonë dhe krijimtarisë bashkëkohore. Ne besojmë se investimi në kulturë është po aq i rëndësishëm sa investimi në çdo fushë tjetër të zhvillimit të qytetit.
Ministri i Kulturës, Sedat Sulejmani tha se mbështet dhe do të vazhdojë të mbështesë nisma të këtilla. Sipas Sulejmanit, pas Verës Tetovare, Festivali Çarshia bën që vendbanimet shqiptare të frymojnë në ritmin e kulturës, artit dhe trashëgimisë tonë kombëtare.
Kjo ka një domethënije të veçantë për arsye se do të jetë edhe si urë lidhëse mes kulturës sonë tradicionale dhe asaj bashkëkohore. Unë si ministër i Kulturës dhe Turizmit do të jemë gjithmonë në përkrahje të iniciativave të kësaj natyre dhe shpresoj që gjithmonë bashkarisht kështu do të korrim suksese të mëdhaja.
Në organizimin e Festivalit “Çarshia” ka ndihmuar edhe Inva Mula, njëra nga sopranot shqiptare me famë ndërkombëtare e cila tha se me këtë festival hapet një rrugë e re e artit, dijes dhe bashkëpunimit të paqes. Njoftoi se në këtë festival do të ketë artistë shqiptarë dhe jo vetëm, sipas saj, do të ketë artist nga Spasnja, Franca dhe jo vetëm.
Kjo them se është edhe do të thoja se është gjëja më e bukur që mund të ndodhi sot në Çarshi. Në këtë vënd që ju e thatë shum bukur, që flet me traditë, flet me një histori të lashtë dhe ne po përjetojmë, emocione dhe do të përjetojmë me artistët, e këto emocione të cilat janë të trashëguara dhe ne duhet t’i mbajmë të ndezura.
Festivali do të zhvillohet në dy prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Çarshisë edhe atë në Suli Han dhe Kurshumli Han dhe nga sonte, i njejti do të zgjasë deri më 26 korrik. Tv Koha
Lajme nga vendi
Arrestohet për drogë dhe përleshje në Qendër të Tetovës
Pas mesnate në orën 02:55, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 23 vjeçar nga fshati Nerasht dhe një 27-vjeçar nga fshati Bozovcë. Ata janë zënë në kryqëzimin mes rrugës “Boris Kidriç” dhe rrugës “Bllagoja Toska” në Tetovë duke prishur rendin dhe qetësinë publike me përleshje fizike mes vete. Gjatë kontrollit te njëri prej tyre janë gjetur katër paketime me marijuanë dhe ai është ndaluar në stacionin policor për procedurë të mëtejshme. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj të dyve do të dorëzohen parashtresat përkatëse.
Lajme nga vendi
RDM kërkon një zgjidhje për deponinë e Jugohromit në mënyrë që Shkupi të mos pësojë një katastrofë si ajo në Gostivar
Pas rastit të ujit të ndotur në Gostivar, partia Ripërtitja Demokratike e Maqedonisë (RDM) apelon se një skenar i ngjashëm katastrofik na kërcënon vetëm një hap larg Shkupit. Partia kërkon një zgjidhje urgjente për rrezikun nga deponia “Jugohrom” në Jegunovcë.
“Sistemi duhet të veprojë më në fund në mënyrë parandaluese, sepse kërcënimi i kromit gjashtëvalent për burimin Rashçe është një rrezik i drejtpërdrejtë për furnizimin me ujë të kryeqytetit. “Jugohromi” gjashtëvalent është një substancë kimike jashtëzakonisht toksike dhe kancerogjene. Burimi Rashçe është burimi kryesor i ujit të pijshëm për të gjithë Shkupin. Një reagim “post-festum” këtu do të thoshte një katastrofë për qindra mijëra qytetarë”, thonë nga RDM.
Ata kërkojnë që institucionet të marrin të gjitha masat e nevojshme, sepse uji i pijshëm është interesi strategjik numër një.
“Kur bëhet fjalë për mbrojtjen e burimeve tona, zëri i qytetarëve dhe veprimi politik duhet të shkojnë dorë për dore”, thuhet në deklaratën e RDM-së.
Epidemiologët janë të vendosur, uji nga ujësjellësi i qytetit në Gostivar nuk duhet të përdoret për të pirë ose për të përgatitur ushqim derisa autoritetet të konfirmojnë se është i sigurt për përdorim. përcjell Zhurnal.mk .
Lajme nga vendi
MPB fillon me gjoba për drejtuesit e skuterëve elektrik
Policia ka filluar të sanksionojë shoferët e skuterëve elektrikë që nuk i përmbahen rregullave të reja ligjore. Ndryshimet në Ligjin për Sigurinë në Trafikun Rrugor hynë në fuqi më 14 korrik dhe deri më tani janë lëshuar gjithsej 12 gjoba.
Sipas informacionit nga Ministria e Punëve të Brendshme, deri më tani janë lëshuar tre gjoba për drejtimin e një skuteri elektrik pa helmetë mbrojtëse, për të cilën parashikohet gjobë prej 50 euro.
Përveç kësaj, policia ka lëshuar nëntë gjoba për drejtimin e një skuteri në zonat ku lëvizja e këtij lloji automjeti nuk lejohet, me një gjobë prej 80 euro.
Është regjistruar edhe një gjobë prej 100 euro për përdorimin e telefonit celular gjatë drejtimit të një skuteri elektrik.
MPB informon se të gjitha sanksionet e lëshuara deri më tani kanë të bëjnë me të rriturit dhe deri më tani nuk është konfiskuar asnjë skuter elektrik.

