Lajme nga vendi
Klekovski: 71 raste të reja në Gostivar, shifër brenda incidencës para shpalljes së epidemisë
Janë regjistruar 71 raste të reja në kontaktin e parë, shifër që është brenda incidencës së regjistruar para shpalljes së epidemisë, përkatësisht mes 50 dhe 100 rasteve në ditë, theksoi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, duke folur për gjendjen epidemiologjike në Gostivar gjatë 24 orëve të fundit, transmeton Portalb.mk.
“Vlerësojmë se epidemia po qetësohet. Përfundimi formal i epidemisë mund të shpallet vetëm kur, në bazë të anketave epidemiologjike, do të konstatohet se nuk ka më raste të lidhura me ujësjellësin e qytetit në Gostivar. Mendoj se ky përmirësim është rezultat i përmirësimit të cilësisë së ujit në ujësjellësin e qytetit, pasi prej disa ditësh ai klorifikohet në mënyrë adekuate. Natyrisht, presim që kjo shifër të ulet sapo të arrihet niveli i duhur i klorit rezidual në të gjitha pikat matëse”, tha Klekovski.
Më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e ndaloi përdorimin e ujit për pije në Gostivar, pasi u zbulua një pompë që fuste drejtpërdrejt ujëra të ndotura në sistemin e ujësjellësit. Inspektorët e Agjencisë dolën në terren së bashku me policinë pas shtimit të raportimeve të qytetarëve për probleme me stomakun.
Disa ditë më vonë, drejtoresha e NP “Komunalec” në Gostivar dhe edhe dy të punësuar u arrestuan, ndërsa ndaj tyre u hap hetim për ndotjen e ujit në Gostivar. Ata dyshohen se, me lëndë të dëmshme, e kanë bërë të papërdorshëm ujin për pije në dhomën e tejmbushjes së sistemit që furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth. Sipas hetimit, më 25 qershor të dyshuarit kishin urdhëruar punonjësit të vendosnin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë dhomës së tejmbushjes së ujit të pijshëm për të testuar presionin e ujit.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mori mostra të ujit, por edhe pse rezultatet e analizave ishin gati, Qeveria dhe Prokuroria nuk i publikuan menjëherë. Pas insistimit të gazetarëve, më 20 korrik Prokuroria Publike publikoi rezultatet, sipas të cilave uji në Gostivar ishte jashtëzakonisht i ndotur dhe nuk duhej të përdorej për asnjë qëllim.
Në ujë u zbuluan 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml. Në mostrat e marra nga burimi i ujit u konstatua gjithashtu numër i rritur i kolonive bakteriale aerobe mezofile dhe prani e baktereve koliforme, ku sipas standardeve duhet të ketë 0 cfu/100 ml, ndërsa në ujë u gjetën 39 cfu/100 ml. Bëhet fjalë për një ndotje jashtëzakonisht të lartë fekale të ujit të pijshëm.
Lajme nga vendi
Ulet çmimi i dizelit, shtrenjtohet çmimi i benzinës
Çmimet e karburanteve në Maqedoni shënojnë pësojnë ndryshime. Eurosuper BS-95 do të shitet për 100,50 denarë për litër, ndërsa BS-98 për 102,50 denarë, të dyja me rritje prej 3,50 denarësh.
Dizeli lirohet për 2 denarë dhe çmimi i ri do të jetë 99 denarë për litër. Ulja vjen si rezultat i vendimit për uljen e përkohshme të TVSH-së për dizelin nga 18 në 10 për qind dhe vazhdimin e akcizës së reduktuar.
Vaji ekstra i lehtë për amvisëri rritet në 109,50 denarë për litër.
Lajme nga vendi
MINISTRI SHASIVARI: DEKLARATA IME U SHTREMBËRUA PËR PËRFITIME POLITIKE!
Kur ditët kanë filluar të numërohen mbrapsht dhe kur të gjithë presin vendimin e gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për ish krerët e UÇK-së, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari ka deklaruar se duhet të respektohet standardi evropian i prezumimit të pafajsisë.
Ai thotë se ky ka qenë edhe mesazhi i tij i publikuar ditë më parë në rrjetet sociale, të cilin, sipas tij, u përpoqën ta shtrembërojnë me dashje për përfitime politike.
“Nuk ka aboslutisht diçka që thuhet se kam prejudikuar ose kam marrë anë. Mesazhi im ka qenë thjeshtë për shtetin e Kosovës për popullin e Kosovës për sakrificën dhe atë qëndrim e kam, prandaj më vjen keq që për manipulime politike shtrembërohen disa pjesë nga qëndrimi im”
Shasivari ka folur edhe për sistemin e drejtësisë në RMV.
“Jo absolutisht, unë e përmenda pikërisht të kundërtën e kësaj. Sundimi i të drejtës është një nga parimet themelore kushtetuese dhe qytetarët duhet të jenë të bindur në respektimin e këtij parimi”.
Ndryshe, ditë më parë ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari përmes një postimi në rrjetet sociale ka publikuar një mesazh në prag të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, e cila u votua vite më parë në Kuvendin e Kosovës.
Lajme nga vendi
Pushimet mjekësore shkurtohen në 5 ditë, kontrolle edhe në shtëpi
Fondi për Sigurim Shëndetësor paralajmëron ndryshime në rregullat për pushimet mjekësore, me qëllim parandalimin e keqpërdorimeve dhe forcimin e kontrolleve.
Drejtori i Fondit, Zlatko Perinski, tha se mjekët amë së shpejti do të mund të japin pushim mjekësor deri në 5 ditë, në vend të 7 ditëve sa është aktualisht. Sipas tij, qëllimi nuk është kufizimi i të drejtës për pushim mjekësor, por krijimi i një sistemi më të drejtë dhe parandalimi i abuzimeve.
Kontrollet do të kryhen si pas denoncimeve nga punëdhënësit, ashtu edhe në mënyrë të rastësishme. Nëse kontrollori nuk e gjen personin në adresën e deklaruar gjatë pushimit mjekësor, do t’i lihet njoftim që të paraqitet para komisionit mjekësor dhe të japë shpjegim. Për rastin do të njoftohet edhe punëdhënësi.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu më shumë raste kur pushimi mjekësor mund të përcaktohet pa praninë fizike të pacientit, si dhe digjitalizimin e evidencave dhe dokumentacionit.
Sipas Perinskit, gjatë kontrolleve të kryera në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë konstatuar parregullsi në rreth 30 për qind të rasteve të shqyrtuara, ndërsa kontrollet dhe analizat do të vazhdojnë edhe në institucione të tjera dhe në sektorin privat.
Fondi ka parashikuar për vitin 2026 rreth 6.45 miliardë denarë për pushimet mjekësore dhe lejet e lindjes, çka, sipas drejtuesve të institucionit, kërkon mekanizma më të fortë kontrolli.
Ndërkohë, Fondi paralajmëron edhe ndryshime të tjera që lidhen me pacientët. Recetat e lëshuara nga shërbimet kujdestare pritet të mund të realizohen brenda 24 orëve, në vend të afatit aktual deri në mesnatën e së njëjtës ditë.
-
Lajme nga vendi2 months agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize

