Lajme nga vendi
TV KOHA NË ZEMËR TË “TETOVA N’FESTË” – EMOCIONE PËRTEJ SKENËS
Dritat e skenës u fikën. Tingujt e fundit u shuan mes duartrokitjeve, por emocionet e “Tetova n’Festë” vazhdojnë të jetojnë.
Për 25 net me radhë, Tetova nuk ishte vetëm një qytet. Ishte zemra që rrihte në ritmin e muzikës shqiptare. Sheshi u mbush me mijëra njerëz, me mërgimtarë që shijuan pushimet me plotë kuptimin e fjalës si një ftesë që sërish të kthehen në vendlindje dhe me zëra që këndonin në një frymë dhe me artistë që dhuruan më shumë se një koncert – dhuruan kujtime.
Por çdo spektakël ka një histori që publiku nuk e sheh. Pas perdes së madhe, larg reflektorëve, lindin emocionet më të bukura. Aty ku artistët marrin frymën e fundit para se të ngjiten në skenë. Aty ku një përqafim, një buzëqeshje apo një fjalë inkurajuese vlejnë sa mijëra duartrokitje.
TV Koha ishte dëshmitare e çdo momenti. Kamera jonë nuk ndoqi vetëm koncertet, por edhe zemrën e festivalit. Ishim pranë artistëve në çastet e tyre më njerëzore, regjistruam emocionet, pritjet, gëzimin dhe rrëfimet ekskluzive të emrave që sot shkëlqejnë në skenën shqiptare.
Pas çdo fotografie që emocionoi, pas çdo interviste që preku zemrat dhe pas çdo transmetimi që solli atmosferën e “Tetova n’Festë” në shtëpitë e mijëra teleshikuesve, qëndronte një ekip që punoi me përkushtim, pasion dhe zemër.
Arbeni ishte zëri që rrëfeu historitë e festivalit. Agoni, Fisniku dhe Enesi kapën me kamerat e tyre çdo emocion, çdo buzëqeshje dhe çdo duartrokitje. Bujari me kamerën Ronin ishte gjithmonë aty ku ndodhte momenti më i rëndësishëm. Bleroni, me pamjet spektakolare nga krani dhe Okani, me fluturimet e dronit mbi Tetovë, i dhanë festivalit një dimension tjetër, duke e shndërruar çdo natë në një kujtim të paharrueshëm.
Në prapavijë, Veroni punoi pa u ndalur në montazh, duke i kthyer qindra orë material në histori që prekën publikun. Ndërsa në regji, Amiri dhe Besiani koordinuan çdo detaj me profesionalizëm, duke bërë që çdo transmetim të mbërrinte te teleshikuesit me të njëjtin emocion që përjetohej në shesh.
Ata nuk ishin në skenë. Nuk morën duartrokitje nga publiku. Por ishin njerëzit që bënë të mundur që çdo emocion, çdo tingull dhe çdo çast i “Tetova n’Festë” të jetonte përtej sheshit, në ekranet e mijëra familjeve.
Sepse spektakli nuk ndërtohet vetëm nga artistët. Ai ndërtohet edhe nga ata që punojnë në heshtje, pas kamerës, me një mision të vetëm: ta sjellin emocionin sa më afër zemrës së çdo teleshikuesi.
Çdo intervistë ishte një histori. Çdo prapaskenë një kujtim. Çdo buzëqeshje një emocion që nuk mund të shkruhet, por vetëm të përjetohet.
Qindra mijëra shikime në platformat e TV Koha dëshmuan se publiku nuk kërkon vetëm të shohë një koncert. Ai dëshiron të ndiejë emocionin, të njohë njeriun pas artistit dhe të jetojë çdo çast që nuk shihet nga skena.
“Tetova n’Festë” mbylli siparin e një vere të paharrueshme, por jo historinë e saj. Sepse përmes objektivit të TV Koha, këto çaste do të mbeten të gjalla, si dëshmi e një vere që bashkoi breza, zëra dhe zemra.
Ky përkushtim nuk është i rastësishëm; Tv Koha ka qenë është dhe do të mbetet televizioni që sjell pranë teleshikuesve çdo ngjarje që ndodh në Rajonin e Pollogut. Tashmë 33 vite Tv Koha është familjarizuar me publikun duke sjellë në çdo shtëpi ngjarje, lajme, kronika e storje, andaj ky përkushtim në Verën Tetovare përbën një mozaik që është ndërtuar me vite duke fituar besimin dhe dashurinë e opinionit.
Disa net mbarojnë me duartrokitje. Të tjerat jetojnë përgjithmonë në kujtesë. Kjo ishte vera e Tetovës. Kjo ishte historia që pati privilegjin ta rrëfente TV Koha.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

