Lajme nga vendi
Ministria e Energjisë: Sistemi elektroenergjetik në vend është stabil dhe i sigurt
Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale e ndjek në mënyrë të vazhdueshme gjendjen në rajon dhe në Evropë, si dhe treguesit hidrologjikë në vend.
Nga Ministria thonë se sipas të dhënave të disponueshme, gjendja në Maqedoni është stabile dhe aktualisht nuk ka indikacione se nivelet e ulëta të ujërave në Evropë paraqesin rrezik për sigurinë e prodhimit vendor të energjisë elektrike.
“Ministria, së bashku me SHA EMV, SHA MEPSO dhe institucionet e tjera kompetente, i monitoron rregullisht parametrat hidrologjikë, rezervat në dispozicion dhe parashikimet, me qëllim që të ndërmerren me kohë të gjitha masat e nevojshme në rast se kushtet ndryshojnë”.
“Gjendja e akumulacioneve aktualisht është stabile dhe mundëson menaxhim të sigurt të potencialit hidrik vendas. Potenciali hidrik shënon një nivel të përgjithshëm të mbushjes së akumulacioneve prej rreth 70 për qind. Kjo mundëson përmbushjen e nevojave aktuale në kuadër të prodhimit të planifikuar Akumulacionet vendase menaxhohen me kujdes dhe në përputhje me planet operative, gjë që mundëson prodhim të sigurt të energjisë elektrike dhe funksionim të qëndrueshëm të sistemit elektroenergjetik. Njëkohësisht, hidrocentralet vazhdojnë të ofrojnë edhe shërbime sistemike të nevojshme për ruajtjen e stabilitetit të rrjetit elektroenergjetik”.
“Treguesit për prodhimin vendas janë inkurajues. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në muajin maj të këtij viti në Maqedoni janë prodhuar 462.653 MWh energji elektrike, duke mbuluar 96,5 për qind të konsumit të brendshëm, që paraqet një pjesëmarrje dukshëm më të lartë të prodhimit vendas në përmbushjen e nevojave të shtetit. Në të njëjtën kohë, të dhënat nga SHA EMV tregojnë një rritje të konsiderueshme të prodhimit nga hidrocentralet – prej 76 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, si dhe një rritje prej rreth 10 për qind te centralet e erës”.
“Këto rezultate janë konfirmim se diversifikimi gradual i kapaciteteve prodhuese, menaxhimi i kujdesshëm i akumulacioneve dhe planifikimi i përmirësuar kontribuojnë në një qëndrueshmëri më të madhe të sistemit energjetik të Maqedonisë në kushtet e ndryshimeve gjithnjë e më të shpeshta klimatike”.
“Paralelisht, investohet në kapacitete të reja për prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme, në modernizimin e infrastrukturës elektroenergjetike, në zhvillimin e sistemeve të baterive për ruajtjen e energjisë elektrike, si dhe në projekte që do të mundësojnë fleksibilitet më të madh dhe përshtatje më të shpejtë të sistemit ndaj ndryshimeve klimatike dhe të tregu”.
“Aktualisht është duke u ndërtuar faza e dytë e parkut të erës „Bogdanci“, me ç’rast kapaciteti i tij i instaluar do të arrijë në 50 MW, ndërsa kanë filluar edhe aktivitetet për realizimin e centraleve fotovoltaike „Bitola 1“ dhe „Osllomej 2“, ndërkohë që përgatitjet për „Bitola 2“ dhe „Bitola 3“ janë në fazë të avancuar. Njëkohësisht, po krijohen kushtet për zbatimin më të gjerë të sistemeve për ruajtjen e energjisë elektrike, të cilat do të mundësojnë shfrytëzim më efikas të burimeve të rinovueshme dhe stabilitet më të madh të sistemi”, thonë nga ministria.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

