Connect with us

Lajme nga vendi

Klekovski: Gjithsej 43 raste me ethe të Nilit Perëndimor

Published

on

Gjithsej 43 raste me ethe të Nilit Perëndimor janë regjistruar deri tani në vend – bëri të ditur sot në një konferencë për media ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski. Sipas ministrit, 40 prej tyre janë konfirmuar përfundimisht, ndërsa tre raste janë konfirmuar me një test, transmeton Portalb.mk.

Rastet e para janë evidentuar në komunat e Shkupit, Qendër dhe Çair.

“Që nga konferenca e fundit për media e deri më tani janë regjistruar dy raste të reja në Qendër, një në Çair dhe një në Aerodrom, në kufi me pjesën rurale. Pasqyra klinike është standarde dhe nuk ka ndryshime në këtë aspekt”, deklaroi Klekovski në konferencën e sotme.

Në kuadër të monitorimit të shpendëve, ministri bëri të ditur se është identifikuar shpendi i parë i ngordhur me virusin e Nilit Perëndimor. Bëhet fjalë për një korb që është gjetur në Shkup.

“Shpendët e ngordhur mblidhen nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), pas së cilës bëhet identifikimi i mëtejshëm i zonave me rrezik nga ethet e Nilit Perëndimor”, tha Klekovski, duke falënderuar qytetarët që raportojnë rastet e shpendëve të ngordhur.

Advertisement

Para konferencës së sotme, Klekovski tha se kishte zhvilluar një takim me kryetarët e komunave të Shkupit dhe të Rajonit të Shkupit për identifikimin e zonave me rrezik të lartë për ethet e Nilit Perëndimor.

Qëllimi i takimit, sipas tij, është identifikimi i këtyre zonave, pasi mushkonjat nuk njohin kufijtë administrativë të komunave.

“Në disa komuna, për shembull në Sopishtë, nuk ka zona me rrezik të lartë, por ka raste. Në Çuçer Sandevë nuk ka zona me rrezik të lartë, por ka në kufi me Butelin dhe jemi përpjekur t’i identifikojmë. Aktualisht po punojmë me 34 zona me rrezik, prej të cilave 13 janë me rrezik të lartë. Kjo është e dukshme edhe në imazhet satelitore”, deklaroi ministri.

Ekzistojnë dy kritere kryesore për përcaktimin e rrezikut të një lokacioni: uji i ndenjur dhe niveli i lartë i lëndës organike. Në thelb, sipas Klekovskit, duhet të ketë ujë të ndenjur dhe mbetje organike në të.

Shembuj të zonave me rrezik të lartë janë kanalet e ujitjes në Fushën e Shkupit ose pjesët “e vdekura” të lumenjve.

Advertisement

“Serava është pjesë e problemit në Haraçinë dhe Butel, kanalet në Jurumleri, Stajkovc dhe Singeliq në Gazi Babë, kanali kryesor në Ilinden në Fushën e Shkupit, kanalet në Draçevë, kanalet në Batincë dhe Studeniçan. Ajo që kemi identifikuar janë edhe disa lloje të tjera lokacionesh me rrezik të lartë, të cilat më parë nuk ishin marrë parasysh. Bëhet fjalë për gropat septike. Rrugët dhe vendbanimet me një numër të madh gropash septike hyjnë në kategorinë e rrezikut të lartë”, tha ministri.

Sipas tij, në këtë kategori hyjnë edhe varrezat, për shkak të ujit të ndenjur në vazot e luleve dhe pranisë së lëndës organike, si dhe deponitë e gomave të vjetra. Nëse ato nuk ruhen siç duhet, gomat janë vende ideale për shumimin dhe qëndrimin e mushkonjave.

Një pjesë edhe më e madhe e rrezikut, sipas Klekovskit, vjen nga gjëra të vogla ose të padukshme, si hidrantët e prishur, vazot e luleve që mbahen jashtë, fuçitë e vjetra me ujë shiu dhe, në përgjithësi, uji i ndenjur.

Rrezik të caktuar mund të paraqesin edhe çezmat publike të dëmtuara, por edhe ujitja e parqeve, nëse nuk kryhet siç duhet.

Klekovski siguroi se spërkatja kundër mushkonjave kryhet me preparate të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe se ato nuk paraqesin rrezik për shëndetin e njerëzve.

Advertisement

Lajme nga vendi

Vandalizohen pajisjet e shënjimit dimëror në Kodrën e Diellit, reagon Ambasada e Austrisë

Published

on

Vandalizohen pajisjet e shënjimit dimëror në Kodrën e Diellit, reagon Ambasada e Austrisë

Ambasada e Austrisë ka reaguar pas dëmtimit dhe largimit të një pjese të konsiderueshme të pajisjeve të reja për shënjimin dimëror të shtegut të Majës së Titos në Kodrën e Diellit, në gjatësi prej rreth 11 kilometrash.

Sipas njoftimit, më shumë se 45 nga gjithsej 112 shtylla janë shkatërruar, dëmtuar ose larguar, ndërsa dëmi financiar vlerësohet në të paktën 8 mijë euro, apo rreth 500 mijë denarë

Shënjimi dimëror është realizuar në kuadër të projektit “Slavkov – Shënjimi i shtigjeve malore në Maqedoninë e Veriut”, i mbështetur financiarisht nga Ambasadat e Austrisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë, si dhe nga Birraria e Shkupit. Në realizimin e projektit kanë marrë pjesë më shumë se 25 vullnetarë lokalë dhe biznese të vogla nga Tetova dhe Bogovina.

Nga Ambasada theksojnë se dëmi nuk është vetëm financiar, pasi shkatërrimi i shënjimeve mund të rrezikojë drejtpërdrejt sigurinë e alpinistëve, veçanërisht gjatë kushteve të vështira dimërore me borë, mjegull, erëra të forta dhe dukshmëri të reduktuar.

Rasti është raportuar në Stacionin Policor. Më 19 gusht 2026, një ekip profesional i policisë, në prani të përfaqësuesve të Parkut Kombëtar Mali Sharr, ka kryer inspektim në terren dhe ka dokumentuar lokacionet ku është konstatuar dëmtimi dhe largimi i pajisjeve.

Advertisement

Ambasada pret që institucionet kompetente të zbardhin të gjitha rrethanat dhe të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave përgjegjës.

“Shënjimi i shtigjeve malore nuk është vetëm një shtyllë apo një shenjë. Në kushte me borë, mjegull dhe stuhi, ai mund të bëjë dallimin ndërmjet kthimit të sigurt dhe humbjes në mal”, thuhet në reagim.

Continue Reading

Lajme nga vendi

VLEN: BDI-ja e ka humbur betejën me shqiptarët, zgjedhjet do ta vulosin fundin

Published

on

Mashtruesit e BDI-së, përpara se ta hapin gojën për zgjedhje, duhet të shpjegojnë pse askush në partinë e tyre nuk mori përgjegjësi politike pas humbjes në zgjedhjet lokale. Ali Ahmeti vazhdoi të shiste mjegull me trukun e vjetër të tërheqjes, Bujar Osmani humbi Çairin dhe mbeti nënkryetar dhe lojtar kryesor për fronin e BDI-së, Bajram Rexhepi humbi Tetovën dhe mbeti në kryesinë e partisë, ndërsa Faton Ahmeti u shpërblye për humbjen e tij në zgjedhje me dy poste të reja në parti, nënkryetar dhe shef i kabinetit të Ali Ahmetit.

Në BDI, me sa duket nuk ka përgjegjësi për humbjen, por humbësit shpërblehen.

E njëjta histori përsëritet në Haraçinë, Bogovinë, Tearcë, Strugë, Zhelinë, Saraj dhe Dollnen. Humbën zgjedhjet, por askush nuk lëvizi, askush nuk dha llogari dhe askush nuk e lëshoi karrigen.

Bisedat për legjitimitet dhe kërkesat për zgjedhje të parakohshme janë vetëm për në shtëpi, për t’i mbajtur të njëjtët politikanë në kondicion dhe për t’u shitur shpresë se së shpejti do të kthehen në pushtet për të vjedhur përsëri. Por këto përralla nuk kalojnë më as në Reçicë të Vogël.

BDI-ja e di shumë mirë se më pak se një vit më parë, shqiptarët me votë i larguan nga të gjitha komunat me shumicë shqiptare dhe se çdo përballje e re me qytetarët do të thotë një tjetër shuplakë për ta. Në zgjedhjet e ardhshme, qytetarët do ta përfundojnë punën dhe kjo udhëheqje e pareformuar e cila funksionon si një politbyro, do ta dërgojnë direkt në pension politik.

Advertisement
Continue Reading

Lajme nga vendi

Mickoski për vendimin e Abazit: 14 persona u dogjën të gjallë në spitalin modular në Tetovë, ndërsa Prokuroria nuk konstatoi përgjegjësi, rasti nuk ka përfunduar, gjithmonë mund të dalin detaje të reja

Published

on

Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, sot, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske se si e komenton vendimin e Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, të udhëhequr nga Islam Abazi, për ta ndalur procedurën lidhur me ndërtimin dhe vendosjen e spitaleve modulare, pa ndjekje penale ndaj asnjë personi juridik apo fizik, theksoi:

„Opinioni duhet ta dijë se ky është një proces që zgjat tashmë 5 vjet. Proces i cili gjatë këtyre 5 viteve ka mobilizuar rreth vetes informacione të ndryshme. Por, ajo që është gjithashtu e rëndësishme të theksohet është se në spitalin modular në Tetovë u dogjën të gjallë 14 persona. Do ta përsëris, u dogjën të gjallë 14 persona në spitalin modular në Tetovë.

Për fat të keq, prokurori i cili tashmë është në largim – pasi, sipas informacioneve që kam, është shpallur konkurs për zgjedhjen e një prokurori të ri në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar – supozoj se vendosi t’i përmbushë deri në fund detyrimet e tij ndaj qeverisë së mëparshme dhe nuk i bën përshtypje fakti që 14 persona u dogjën të gjallë. Do ta përsëris, u dogjën të gjallë 14 persona, kjo nuk do të thotë asgjë për të dhe vendos ta ndalë këtë proces.

Por, dua që opinioni ta dijë se kjo nuk është amnisti politike nga ana e këtij prokurori ndaj ish-urdhërdhënësve të tij, sepse gjithmonë mund të dalin detaje të reja që lidhen me këtë proces dhe gjithmonë ky proces mund të bëhet sërish aktual dhe të niset nga fillimi.

Kështu që, shumë herë i kam komentuar ato vendime në kuadër të sistemit tonë gjyqësor dhe për fat të keq një nga ato vendime skandaloze është edhe ky. Ajo që më huton mua dhe që vjen si mesazh nga opozita, është se deri dje ata që kritikonin për qasjen e organeve të drejtësisë, tani i lavdërojnë dhe janë plot lëvdata për punën e tyre dhe të ashtuquajturin objektivitet. Por, do ta përsëris, ky prokuror dhe njerëzit që e kanë udhëhequr këtë rast nuk gjetën prova për kryerjen e një vepre penale në një rast në të cilin njerëzit digjeshin të gjallë.“

Advertisement
Continue Reading

Më të lexuarat