Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 25 Gusht
Dje, në ora 14:30, në SPB Tetovë, një 24-vjeçarnga Tetova ka raportuar se rreth orës 12:30, në rrugën “Jashtë Vardarit” në Tetovë, është sulmuar fizikisht nga disa persona meshkuj. Po të njëjtën ditë, në lidhje me ngjarjen, në ambientet e SPB Tetovë është paraqitur vetë një 41 vjeçar nga Tetova. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit, pas së cilës do të vijojë kallëzim përkatës.
Dje, në ora 19:20, në SPB Tetovë, një 60 vjeçar nga fshati Novakë ka raportuar se, për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëparshme, është sulmuar fizikisht nga një 55-vjeçae. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
Dje, në ora 13:20, në DPB Gostivar, një 63-vjeçar nga Gostivari ka raportuar se, për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëparshme, është sulmuar fizikisht nga një 46-vjeçar nga fshati Çajle. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
Në mesnatë, në ora 00:00, zyrtarët policorë të DPB Gostivar e kanë privuar nga liria një 30 vjeçar nga Gostivari, pas një denoncimi paraprak nga një 47-vjeçar nga Gostivari se kishte prishur rendin dhe qetësinë publike me grindje, bërtitje, sjellje të vrazhdë dhe të pahijshme. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë kallëzim përkatës.
Dje, në ora 03:50, zyrtarët policorë të DPB Gostivar kanë privuar nga liria dy 18 vjeçarë, të dy nga Gostivari, si dhe një 18 vjeçar tjetër nga fshati Merovë, Gostivar, pas një denoncimi paraprak nga një 55 vjeçar nga fshati Srmnovë, Gostivar, se një grup të rinjsh për një periudhë më të gjatë kohore kishin prishur rendin dhe qetësinë publike me bërtitje, sjellje të vrazhdë dhe të pahijshme. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë kallëzim përkatës.
Dje, në ora 12:45, në SPB Tetovë, një 59-vjeçarnga fshati Volkovijë, Tetovë, ka raportuar se kafshës së tij shtëpiake, një dem, i ishin shkaktuar lëndime me pushkë ajrore. Këqyrje në vendin e ngjarjes ka kryer një ekip i SPB Tetovë dhe po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
Dje, në ora 02:00, zyrtarët policorë të DPB Gostivar kanë privuar nga liria një 17-vjeçar nga fshati Zdunjë, Gostivar. Gjatë kontrollit të komunikacionit rrugor në rrugën “JNA” në Gostivar, policia ka ndaluar një automjet të tipit “Mercedes” me targa të Gostivarit, të cilin i mituri e drejtonte pa e dhënë më parë provimin për patentë shofer, përkatësisht pa patentë shoferi. Automjeti është konfiskuar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të vijojë kallëzim përkatës.
Sot në mëngjes, në ora 06:30, zyrtarët policorë të SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 53, një 22 dhe një 34 vjeçar, të gjithë nga Tetova, pas një denoncimi paraprak se, pas një zënke të shkurtër në rrugën “Mirçe Acev”, kishin prishur rendin dhe qetësinë publike duke u përleshur fizikisht. Gjatë përleshjes, njëri ka përdorur një mjet të mprehtë dhe ka lënduar dy të tjerë. Këqyrje në vendin e ngjarjes ka kryer një ekip i SPB Tetovë. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit, pas së cilës do të vijojë kallëzim përkatës.
Sot, në ora 01:00, në Departamentin Policor Grupçin, një 47-vjeçar nga fshati Zhelinë, Tetovë, ka raportuar se më 24.08.2025, rreth orës 11:00, vajza e tij 17 vjeçare ishte larguar nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer. Sipas denoncimit, ajo për herë të fundit kishte komunikuar me nënën e saj dhe kishte thënë se ndodhej në Strugë, ndërsa që nga atëherë nuk ishte e qasshme. Po ndërmerren masa për gjetjen e personit.
Lajme nga vendi
MICKOSKI: AVIONËT E SHBA-së SHFRYTËZOJNË AEROPORTET E RMV-së!
Avionët ushtarakë amerikanë, të angazhuar në operacionet që lidhen me luftën me Iranin, çdo ditë ulen dhe ngrihen nga aeroportet maqedonase, ndërsa një pjesë e tyre qëndrojnë këtu para se të nisen sërish drejt Gjirit Persik.
Këtë e ka bërë të ditur kryeministri Hristijan Mickoski në një intervistë për mediumin amerikan „Breitbart Neës“, pjesa e parë e së cilës u publikua pardje. Bëhet fjalë për pjesën e intervistës ku kryeministri flet për mbështetjen konkrete që Maqedonia e Veriut u jep Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
„Breitbart“ e vendos përdorimin e aeroporteve maqedonase drejtpërdrejt në kontekstin e luftës me Iranin, duke theksuar se Forcat Ajrore të SHBA-së i përdorin ato si lokacion strategjik pranë Lindjes së Mesme.
„Forcat Ajrore amerikane i përdorin aeroportet tona, kështu që çdo ditë avionë të Forcave Ajrore amerikane ulen dhe ngrihen nga aeroportet tona. Disa prej tyre i përdorin aeroportet tona për parkim, për pak pushim, dhe më pas nisen sërish drejt Gjirit.Kemi qiell të hapur për avionët amerikanë, për avionët ushtarakë, dhe jemi krenarë dhe të gatshëm të ofrojmë një mbështetje të tillë për Forcat Ajrore amerikane“
Në intervistë nuk bëhet e ditur se për cilat lloje të avionëve ushtarakë amerikanë bëhet fjalë, dhe as në cilat aeroporte maqedonase ulen. Gjithashtu, nuk sqarohet nëse gjatë qëndrimit në vend kryhet furnizim me karburant apo ndonjë lloj tjetër furnizimi logjistik. Mickoski konkretisht flet për „parkim“ dhe „pushim“, pas së cilave, sipas tij, avionët vazhdojnë sërish drejt Gjirit Persik.
Mickoski këtë bashkëpunim e vendos në një kontekst më të gjerë të partneritetit strategjik mes Shkupit dhe Uashingtonit. Në intervistë ai thotë se kur SHBA-ja kishte nevojë për mbështetjen e aleatëve, Maqedonia e Veriut „nuk u fsheh në turmë“, por qëndroi në anën e Amerikës, edhe kur kjo sillte kosto politike.
Lajme nga vendi
MEXHITI: NUK U IKIM, POR ZGJEDHJET NUK JANË ZGJIDHJE!
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, thotë se për momentin nuk ka arsye për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ai akuzoi BDI-në se vazhdimisht e mban këtë temë për të mos humbur elektoratin, ndërsa tha se Qeveria ka shumicë absolute në Kuvend dhe proceset nuk janë të bllokuara.
“Mendoj që BDI-ja, për të mos t’i ikur elektorati, e ka mbajtur vazhdimisht këtë temë. “Mbas tre muajve, mbas gjashtë muajve”, kaluan dy vite. Opozita, edhe kur nuk ka çfarë ofron, pra ka kërkesë për zgjedhje të parakohshme. Qeveria është e fokusuar te programi, te premtimet, te vendimet e mjekëve, te investimet në spitale, investimet në arsim, tek ajo të cilën e kemi marrë përsipër për ta realizuar. Pra, Parlamenti ka mjaftueshëm numra, shumicë absolute dhe nuk ka asnjë arsyeje për të eksperimentuar dhe për të shkuar në zgjedhje, që nënkupton bllokim të proceseve, bllokim të punimeve, bllokim të prokurimeve, të punësimeve, të vendimeve. Pra, nuk është në interes të qytetarëve të kemi, në fund të fundit, është një harxhim shtesë për qytetarët e Maqedonisë. Po kjo nuk do të thotë që VLEN-i, i cili është favorit tek shqiptarët, partia kryesore tek shqiptarët në anketat e fundit, i ik zgjedhjeve. Po mendoj që për momentin punojmë për zgjidhje, jo për zgjedhje”, tha Mexhiti.
Lajme nga vendi
DEZINSEKTIME KUNDËR MUSHKONJAVE NËPËR KOMUNA!
Komuna e Bogovinës njofton qytetarët se sonte dhe nesër, duke filluar nga ora 21:00, në të gjithë territorin e Komunës së Bogovinës do të realizohet dezinsektimi kundër mushkonjave.
Me këtë rast njoftohen të gjithë bletarët që të ndërmarrin me kohë masat e nevojshme për mbrojtjen e bletëve gjatë kohës së realizimit të dezinsektimit.
Procesi do të zhvillohet vetëm në kushte të përshtatshme atmosferike. Në rast të reshjeve të shiut ose erërave të forta, dezinsektimi do të shtyhet për ditën e ardhshme ose për një ditë tjetër, kur kushtet atmosferike të jenë të përshtatshme.
Ndryshe, mbrëmë u realizua dezinsektimi në të gjithë territorin e Komunës së Tetovës, me qëllim të parandalimit të përhapjes së insekteve dhe krijimit të një ambienti më të pastër dhe të sigurt për qytetarët.
Dezinsektimi është realizuar nga toka në bashkëpunim me Kompaninë PRONTTO në territorin e qytetit të Tetovës, me qëllim zhdukjen e mushkonjave të rritura dhe dëmtuesve të tjerë.
Sipas planit të përgatitur paraprakisht, ekipet kanë përfshirë të gjitha lokacionet e parapara në specifikacionin teknik.

