Lajme nga vendi
Qeveria e RMV-së do të mundësojë blerjen e deri në dy viteve stazh për pension, paralajmëroi ministri Vellkovski
Në përputhje me një ligj që tashmë është duke u shqyrtuar në Qeveri, qytetarët që i kanë plotësuar kushtet e moshës për pensionim, por u mungojnë deri në dy vite stazh pune për minimumin ligjor prej 15 vitesh, do të mund t’i paguajnë vetë kontributet për këtë periudhë dhe të fitojnë të drejtën për pension – njoftoi ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Vellkovski, në një intervistë për “360 Gradë” në RTM 1. Ai thotë se, sipas zgjidhjes së propozuar ligjore, të drejtën për blerjen e stazhit do ta kenë vetëm personat që kanë të paktën 13 vite stazh pune dhe që tashmë nuk janë më të siguruar aktivë në tregun e punës, transmeton Portalb.mk.
“Blerja e stazhit u referohet dhe do t’u referohet vetëm atyre që tashmë nuk janë të siguruar, që kanë mbushur 62-64 vjeç, pra gra dhe burra. Të drejtë do të kenë ata që kanë deri në 13 vite stazh pune të realizuar në momentin kur kanë mbushur moshën për pension, pra 24 muaj mund ta blejnë stazhin e tyre, përkatësisht ta paguajnë atë”, tha Vellkovski.
Ai thotë se për muajt që u mungojnë deri në minimumin ligjor prej 15 vitesh, qytetarët do të duhet ta mbulojnë kontributin për sigurimin pensional, ndërsa baza për përllogaritje nuk do të jetë e plotë, por gjysma e pagës mesatare të vitit të kaluar.
“Pra, nga viti kur është larguar, përkatësisht në rastin konkret viti 2025, kontributi do të paguhet mbi atë pagë, po. Pra, kontributi paguhet mbi atë pagë. Përafërsisht, tani të mos i them shifrat, por varësisht se sa muaj i kanë mbetur secilit për të dalë në pension, do të ketë një shumë të caktuar që duhet ta paguajnë vetë qytetarët, e më pas do ta marrin pensionin e përllogaritur me të gjithë parametrat në përputhje me ligjin”, tha ministri.
Në praktikë, siç thotë ai, nëse bëhet fjalë për një vit në të cilin paga mesatare ka qenë 45.000 denarë neto, kontributi prej 19,9 përqind do të përllogaritet mbi 22.500 denarë, shumëzuar me numrin e muajve që u mungojnë, por më së shumti 24 muaj.
Pasi të kryhet pagesa për stazhin që mungon, lartësia e pensionit do të përcaktohet sipas formulës standarde ligjore, përkatësisht në bazë të të ardhurave që i siguruari i ka pasur gjatë viteve kur ka qenë i punësuar.
“Varësisht se sa kanë pasur gjatë 13 viteve, formula që do të rezultojë – pra, nga 13 vitet, sa kanë kursyer, me çfarë page kanë qenë të deklaruar e kështu me radhë, vetë formula do të përcaktohet më tej. Kështu, nëse ka qenë në pagë minimale, atëherë do të jetë në disa nga kategoritë minimale, të cilat janë gjithsej nëntë në sistem. Nëse kanë marrë, përkatësisht kanë qenë të deklaruar me pagë më të lartë, në atë mënyrë do të përllogaritet”, përfundoi Vellkovski.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

