Lajme nga vendi
Alta Banka: Mickoski nxjerr vendimin e 2023, BDI e quan gënjeshtër
Rasti i Alta Bankës ka përplasur ashpër dy partitë kryesore shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Në seancën mbikëqyrëse të së mërkurës në Kuvend, kryeministri Hristijan Mickoski paraqiti një vendim të qeverisë LSDM–BDI të vitit 2023, ndërsa BDI-ja i quajti akuzat gënjeshtër.
Mickoski ishte dëshmitari i parë në debatin mbikëqyrës të Komisionit për Financa dhe Buxhet. Ai paraqiti ekstraktin e procesverbalit të mbledhjes së 194-t të qeverisë Kovaçevski, të mbajtur më 24 tetor 2023. Sipas tij, me propozim të ish-ministrit të Financave Fatmir Besimi, qeveria e atëhershme e autorizoi Avokaturën e Shtetit të hynte në marrëdhënie afariste me Alta Bankën e Beogradit, në pronësi të biznesmenit serb Davor Macura.
Deputeti i VLEN-it Adnan Azizi renditi tri transaksione të kompanisë AS Senjak. Më 24 tetor 2024 ajo bleu aksione në Stopanska Banka të Manastirit. Më 9 qershor 2025 një kompani ku AS Senjak është bashkëpronare mori kredi 5 milionë euro nga Alta Banka. Më 17 shtator 2025 aksionet e AS Senjakut kaluan te Alta. Azizi pretendoi se pronari i kompanisë ka lidhje miqësore ose krushqie me Ali Ahmetin dhe pyeti nëse kryetari i BDI-së ishte në dijeni. Sipas VLEN-it, deputetët e BDI-së nuk morën pjesë në seancë.
BDI-ja reagoi po atë pasdite. Ajo tha se vendimi i vitit 2023 kishte qëllimin e kundërt: të mos lejohej shitja pa autorizim e pronës shtetërore. Partia e Ahmetit akuzoi qeverinë e VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe ZNAM-it se me një vendim të vitit 2025 i vuri institucionet në shërbim të hyrjes së Alta-s në bankën e Manastirit.
Lajme nga vendi
MOTI: ERËRA TË FUQISHME, TEMPERATURA PRANVERE DHE PLUHUR SAHARE!
Mesi i nëntorit sjell mot të pazakontë në Maqedoni. Temperaturat do të arrijnë deri në 24 gradë Celsius, por nuk do të mungojnë as erërat e forta, reshjet lokale dhe pluhuri saharian. Ndërkohë, pjesë të tjera të Ballkanit përballen me reshje të dendura, erëra uraganike dhe rënie të ndjeshme të temperaturave.
Mesi i nëntorit sjell një tablo të pazakontë meteorologjike. Ndërsa në Maqedoni pritet mot i ngrohtë, me temperatura deri në 24 gradë Celsius, erëra të forta dhe pluhur saharian, në pjesët perëndimore të Ballkanit paralajmërohen reshje të dendura shiu, erëra me fuqi uragani dhe rrezik nga përmbytjet e menjëhershme.
Siç pwrcjell Tv Koha, njoftimin e “MeteoAlarm”, cikloni nga Oqeani Atlantik do të ndikojë në motin e rajonit gjatë datave 12 dhe 13 nëntor.
Në Maqedoni, ndikimi më i theksuar do të jetë përmes rrymave ajrore jugore dhe jugperëndimore, temperaturave të larta dhe reshjeve lokale. Në Maqedoni, sic njofton Tv Koha, era në disa vende do të kalojë 80 kilometra në orë.
Pavarësisht ndikimit të ciklonit, në Maqedoni pritet mot jashtëzakonisht i ngrohtë për këtë periudhë të vitit.
Sipas parashikimit të “MeteoAlarm”, temperaturat maksimale ditore do të lëvizin nga 17 deri në 24 gradë Celsius, që është rreth 8 deri në 10 gradë mbi mesataren e zakonshme për muajin nëntor.
Rrymat ajrore jugore dhe jugperëndimore mund të sjellin pluhur dhe rërë nga Sahara edhe në rajonin tonë. Si pasojë, sic njofton Tv Koha, atmosfera mund të duket e mjegulluar, ndërsa në disa zona mund të ketë edhe ulje të dukshmërisë.
Nëse reshjet e shiut përkojnë me praninë e pluhurit në ajër, shiu mund të lërë gjurmë balte në automjete, dritare dhe sipërfaqe të jashtme.
Në pjesën perëndimore të Ballkanit priten reshje të dendura dhe erëra uraganike
Sipas parashikimit, dukuritë më të fuqishme meteorologjike priten përgjatë bregdetit të Adriatikut, në Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi dhe në pjesën veriore të Shqipërisë.
Parashikimi për ciklonin paralajmëron dallime të konsiderueshme mes Maqedonisë dhe pjesës perëndimore të Ballkanit: në vendin tonë do të mbizotërojë moti i ngrohtë, ndërsa në disa pjesë të rajonit priten reshje shumë më intensive, erëra të fuqishme dhe rënie e menjëhershme e temperaturave./Tv Koha/
Lajme nga vendi
Mickoski: S’ka zgjedhje të parakohshme, BDI dhe VLEN ndahen 0,8 pikë
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ai e arsyetoi këtë me detyrimet e mëdha financiare të vendit gjatë dy viteve të ardhshme.
Në një takim me gazetarët, Mickoski tha se vetëm gjatë vitit 2027 duhet të sigurohen 2,3 miliardë euro, ndërsa në vitin 2028 rreth 2,7 miliardë euro. Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme do ta çonin vendin drejt falimentimit.
Në të njëjtin takim, Mickoski prezantoi rezultatet e tri sondazheve të realizuara gjatë tetorit. Sipas tyre, BDI-ja gëzon mbështetje prej 7,9 për qind dhe VLEN-i prej 7,1 për qind, me një diferencë prej vetëm 0,8 pikë përqindjeje.Edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka deklaruar se zgjedhjet parlamentare do të mbahen në afatin e rregullt. Ai shtoi megjithatë se për VLEN-in do të ishte më mirë që zgjedhjet të mbaheshin tani.
Deklaratat vijnë në një moment të tensionuar për koalicionin qeverisës. Partneri ZNAM ka paralajmëruar se do të largohet nga qeveria nëse provimi i jurisprudencës mbahet edhe në gjuhën shqipe. Qeveria ka kërkuar mendim urgjent nga Komisioni i Venecias për këtë çështje. Njëkohësisht, rasti i Alta Bankës ka sjellë përplasje të ashpra mes BDI-së dhe VLEN-it.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 11 Nëntor
Në DPB Gostivar është raportuar se rreth orës 03:00 më 08 Nëntor, në rrugën lokale fshati Çajle – fshati Balindoll, rajoni i Gostivarit, një 23 dhe një 25 vjeçar, të dy nga Gostivari, janë sulmuar fizikisht nga disa persona, të cilët më parë u kishin bllokuar rrugën me automjete udhëtarësh. Ata kanë pësuar lëndime, të cilat janë konfirmuar në Qendrën Mjekësore në Gostivar. Po ndërmerren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit.
……Dje, në orën 14:25, në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, pranë fshatit Neproshten, rajoni i Tetovës, punonjës policorë nga Stacioni Policor për Siguri në Komunikacionin Rrugor Tetovë kanë privuar nga liria një 36-vjeçar nga fshati Sllatinë, rajoni i Tetovës. Gjatë kontrollit të trafikut është konstatuar se ai ka drejtuar një automjet udhëtarësh “Mitsubishi” me targa të Tetovës pa poseduar leje drejtimi (patentë shoferi). Automjeti është sekuestruar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.
……Dje, në orën 17:50, në SPB Tetovë është raportuar se në rrugën “29 Nëntori” në Tetovë, një automjet udhëtarësh “Fiat Punto” me targa të Tetovës, i drejtuar nga një 69-vjeçar nga Tetova, ka goditur një 31-vjeçar nga Tetova. Në aksident këmbësori ka pësuar lëndime të rënda trupore, të konstatuara në Spitalin Klinik të Tetovës. Është kryer inspektim nga ekipi hetimor i SPB Tetovë.
…….Dje, në orën 19:00, në DPB Gostivar, një 33-vjeçar nga fshati Banjicë e Poshtme, rajoni i Gostivarit, ka raportuar se rreth orës 15:30, në oborrin e shkollës fillore në po atë fshat, djali i tij i mitur është sulmuar fizikisht nga një person, i cili ka qenë me disa persona të tjerë, me ç’rast ngjarja është xhiruar me telefon celular, ndërsa xhirimi më vonë është publikuar në një rrjet social. Po ndërmerren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rastit.
……Dje, në orën 21:10, në rrugën “Borçe Jovanovski” në Gostivar, punonjës policorë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria një 49-vjeçar nga fshati Banjicë e Poshtme, rajoni i Gostivarit, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e disa veprave penale “vjedhje” dhe “vjedhje në tentativë” të kryera gjatë muajit të kaluar dhe këtij muaji. Tek ai është gjetur dhe konfiskuar një mjet i mprehtë. Ai është mbajtur në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.
……Dje, në orën 17:40, në DPB Gostivar, një 19-vjeçar nga Gostivari ka raportuar se në një objekt tregtar në Gostivar, një person i gjinisë mashkullore ka prishur rendin dhe qetësinë publike me sjellje agresive dhe duke goditur vitrinat, pas së cilës është larguar nga vendi i ngjarjes. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

