Lajme nga vendi
Abetarja e unifikuar, dëshirë e parealizuar
Përveç mungesës së teksteve shkollore, filloristët shqiptarë në Maqedoni edhe këtë 22 Nëntor nuk kanë mundësi që alfabetin e gjuhës shqipe ta mësojnë nga Abetarja e unifikuar që tashmë gjen zbatim në Shqipëri, Kosovë dhe Luginë të Preshevës. Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri u zotua se kjo Abetare do të vihet në përdorim në këtë vit shkollor 2022/23, por deri më sot thuajse asnjë shkollë nuk e ka siguruar të njëjtën. Profesori Xheladin Murati konsideron se nuk ka asnjë pengesë që Abetarja e unifikuar të përdoret në shkollat shqipe të Maqedonisë përveç fondit të ulët të orëve për këtë lëndë.
“Në gjuhën shqipe, në klasën e parë, sipas planit mësimor ekzistojnë pesë orë mësimore kurse në Shqipëri në klasë të parë ka nëntë orë mësimore në gjuhën shqipe dhe ky tekst me këtë e vështirëson punën e mësuesit sepse mësuesi duhet së paku tre deri në katër orë të punoj me abetare, atëherë nuk I mbetet për aktivitetet tjera mësimore. Prandaj, duhet një arsyetim, një shpjegim se si të përdoret kjo ose si të bëhet racionalizimi I abetares, I përmbajtjeve mësimore”, deklaroi Xheladin Murati, profesor.
Gjuhëtari Mustafa Ibrahimi vlerëson se Abetarja e unifikuar duhet të jetë literaturë parësore për filloristët shqiptarë të Maqedonisë dhe jo libër shtesë.
“Abetarja duhet të jetë si literaturë parësore sepse ne e dimë se fillimi I njohurive të gjuhës, të kulturës dhe të identitetit fillon me abetaren dhe kjo sipas meje duhet të instalohet si lëndë parësore ndërsa si dytësore mund të jenë gazetat e ndryshme që u ndalën Fatosi dhe Gëzimi të cilat mund të jenë si literaturë shtesë por abetarja duhet të jetë ajo që duhet të jetë e unifikuar, do të jetë një, më profesionale dhe me një metodologji moderne, bashkëkohore me të cilën fëmijët duhet të punojnë në këtë drejtim”, tha Mustafa Ibrahimi, gjuhëtar.
Lindita Rugova, dekane e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë thotë se mësimdhënësit duhet të jenë të lirë në përzgjedhjen e teksteve mësimore.
“Gjithmonë kur ke një libër alternativë ke mundësi të përdorësh tekste nga ky libër, nga libri tjetër se jo gjithmonë ato që zgjidhen janë më të mirat. Nuk kam asgjë kundër abetares, është shumë mirë që është bërë. Sa më shumë resurse, sa më shumë materiale që përdorin arsimtarët është mirë. Mirë që janë bërë të përbashkëta në aspektin e afrimit të aspektit kulturor sepse gjuhësor e kemi, një gjuhë e kemi por në aspektin kulturor dallohet jetesa në Tiranë nga jetesa në Shkup dhe jetesa në Prishtinë”, theksoi Lindita Rugova, Dekane e Fakultetit të Filologjisë në UP.
Pavarësisht shënimit të ditës së Abetares dhe pranisë të ministrave shqiptar të arsimit nga radhët e BDI-së Abetarja mbetet shumë larg vënies në zbatim në shkollat tona. Marrëveshja mes Shqipërisë e Maqedonisë e firmosur prej 7 vitesh nuk ka dhënë asnjë rezultat në këtë drejtim. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Mashtrim përmes një faqeje gjermane të shitjes së veturave, 26-vjeçari nga Tetova humb 6.800 euro
Një 26-vjeçar nga një fshat i Tetovës ka denoncuar në polici se është mashtruar nga një 46-vjeçar nga Gjermania, duke humbur 6.800 euro gjatë një marrëveshjeje për blerjen e një automjeti.
Sipas njoftimit të SPB Tetovë, denoncimi është bërë më 10 nëntor 2026, në orën 12:00. I riu kishte kontaktuar me personin përmes një faqeje gjermane të internetit për shitjen e automjeteve dhe, pasi ishin marrë vesh, më 29 tetor 2026 i kishte paguar 6.800 euro përmes llogarisë bankare.
Megjithatë, kur shërbimi i angazhuar i karrotrecit kishte shkuar në adresën e dhënë në Gjermani, ishte konstatuar se personi me të cilin ishte marrë vesh nuk jetonte aty dhe se adresa ishte e rreme.
Policia ka bërë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
Lajme nga vendi
Shasivari në Berlin: Takim me Anette Kramme për reformat në drejtësi dhe standardet evropiane
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, në kuadër të vizitës së punës në Gjermani, zhvilloi një takim me Anette Kramme, Sekretare Parlamentare e Shtetit në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve të Gjermanisë.
Në takim u diskutua për proceset aktuale reformuese në gjyqësor, forcimin e sundimit të ligjit, pavarësinë dhe efikasitetin e institucioneve të drejtësisë, si dhe sfidat në zbatimin e reformave në përputhje me standardet evropiane.
Vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe zbatimin e praktikave të mira nga sistemi gjerman i drejtësisë.
Ministri Shasivari theksoi rëndësinë e Gjermanisë si partnere në procesin e integrimit evropian, duke nënvizuar se reformat duhet të sjellin ndryshime thelbësore në funksionimin e institucioneve.
“Suksesi i reformave në drejtësi nuk matet vetëm me numrin e ligjeve të miratuara, por me zbatimin e tyre në praktikë. Synimi ynë është një sistem drejtësie që garanton siguri juridike, trajtim të barabartë para ligjit dhe besim më të madh të qytetarëve në institucione”, theksoi ministri Shasivari.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm institucional dhe mbështetjes në procesin e harmonizimit të legjislacionit kombëtar me standardet evropiane.
Ministria e Drejtësisë vazhdon aktivitetet për avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, me fokus në rezultate konkrete në procesin e reformave dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Lajme nga vendi
Sekuestrohen 168.7 kilogramë duhan pa pulla akcize në Prilep, gjashtë persona përballen me procedura ligjore
Dogana e Maqedonisë së Veriut ka sekuestruar 168.7 kilogramë duhan të prerë, gjatë një aksioni kontrollues në Tregun e Gjelbër dhe sheshin e qytetit në Prilep. Sipas Drejtorisë së Doganave, me këtë veprim është parandaluar shmangia e pagesës së akcizës në vlerë prej 463.787 denarësh.
Aksioni është realizuar nga doganierët e Doganës së Manastirit, në bashkëpunim me ekipet mobile të Departamentit për Çështje Operative, ndërsa për mbështetje është kërkuar edhe ndihma e policisë.
Nga Drejtoria e Doganave bëjnë të ditur se gjatë kontrolleve janë kapur gjashtë persona duke shitur duhan pa pulla akcize, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Ndaj tyre janë iniciuar procedura përkatëse pranë gjykatës kompetente dhe Komisionit për Kundërvajtje.
„Gjashtë persona u kapën duke shitur duhan pa pulla akcize, duke shkelur rëndë ligjin, duke dëmtuar buxhetin e shtetit dhe duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Ky është aksioni i dytë i këtij lloji i realizuar nga Drejtoria e Doganave brenda një periudhe të shkurtër kohore. Në një kontroll të mëparshëm në tregun e Çairit, autoritetet kishin sekuestruar edhe 135 kilogramë duhan të prerë.
Drejtoria e Doganave njofton se do të vazhdojë intensifikimin e kontrolleve në terren dhe hetimeve për importin e duhanit dhe produkteve të tij, me qëllim luftimin e tregtisë së paligjshme dhe parandalimin e shmangies së detyrimeve doganore dhe akcizore.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

