Lajme nga vendi
Mosndëshkimi i krimit dhe korrupsionit, Selmani: Po vazhdoi, do të mbesim pa qytetarë
Vendet e Ballkanit Perëndimor, akoma janë të zhytura thellë në korrupsion, këtë e tregojnë edhe raportet evropiane. Ky ishte vlerësimi i profesorëve panelistë në “ARGUMENT” në TVM2. Fakti që sa herë ndryshohen qeveritë, ndryshohen edhe ligjet, që sipas tyre nënkupton se ligjet sillen për qeveritarët dhe jo për qytetarët. E fakt për këtë sjellin faljen e të korruptuarve nga radhët e politikës teksa burgjet janë plot me njerëz të pafajshëm.
“Në asnjë vend të botës nuk ka ndodhur që korrupsioni ta gëlltisë Prokurorinë Speciale, fatkeqësisht një strategji e përbashkët serioze se si të luftohet krimi dhe kriminaliteti, sepse nëse do të vazhdojë ky trend që të minimizohet çështja e korrupsionit, krimit dhe kriminalitetit ne do të mbesim pa qytetarë. Maqedonia është e paaftë për ta luftuar korrupsionin dhe kjo i ka kapilarët e zëna dhe ka nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale, prandaj propozoj që të formohet një institucion i veçantë ndërkombëtar ku nga jashtë do të luftohet krimi dhe korrupsioni. Kështu ka bërë BE me Bullgarinë, Rumaninë, Hungarinë.”, – u shpreh profesori universitar, Bashkim Selmani.
Beqiri: I burgosin para kamerave, i falin në heshtje
“I nisim aksionet policore në mënyrë pompoze ku burgoset edhe ministri i MPB me kamera, bëhet film, kur pritet rezultati s’ka epilog. Kapet ish-drejtori i Sigurimit shtetëror tani i falet gjykimi. 22 vite merren me krimet, me burgjet, me organet ekzekutive, dhe a e dini sa njerëz të pafajshëm janë në burgje dhe sa njerëz fajtorë që kanë kryer krime janë në liri, pse nuk burgosen këto, pse nuk gjykohen këto, por edhe kur të nisen të gjykohen në fund s’ka epilog.”, – deklaroi profesori universitar, Mitasin Beqiri.
Rameti: S’duhet të bëjmë gabime në rrugën drejt BE-së
“Duhet sa më shumë të mendojmë dhe qeveritë duhet të mendojnë dhe të japin mundësi që të jemi në përputhje me kërkesat që i jep Evropa dhe ato të jenë të realizueshme dhe mos të bëjmë gabime në këtë drejtim.”, – theksoi profesori universitar, Besnik Rameti.
Sipas tyre, nuk mund të flasin për gjyqësor të pavarur, përderisa buxheti i këtij gjyqësori është i varur nga buxheti i shtetit. Pranuan, megjithatë se korrupsioni është i pranishëm edhe në Bashkimin Evropian por ky nuk është arsyetim që ai duhet të lulëzojë në RMV.
Lajme nga vendi
UT – pjesë thelbësore e Forumit të Parë Vjetor për Cilësinë në Arsimin e Lartë
Në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, u mbajt Forumi i Parë Vjetor për Cilësinë në Arsimin e Lartë, në të cilin mori pjesë Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Ky forum kishte për qëllim shpërndarjen e përvojave dhe arritjeve të deritanishme në zbatimin e sistemit të ri për ndjekjen dhe përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë, në përputhje me standardet kombëtare dhe ato të Shoqatës Evropiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.
Gjatë punimeve u prezantuan praktikat më të mira të njësive universitare, si dhe hapat e ardhshëm për zhvillimin e arsimit të lartë dhe rritjen e cilësisë.
Një nga pikat më të rëndësishme të forumit ishte thellimi i bashkëpunimit ndërmjet komunitetit akademik dhe sektorit të biznesit, me qëllim krijimin e një sistemi arsimor më të përshtatur dhe më relevant për nevojat e tregut të punës.
Forumi përfundoi me diskutime të frytshme dhe me qëllime të përbashkëta për forcimin e standardeve akademike dhe bashkëpunimit institucional në fushën e arsimit të lartë.
Lajme nga vendi
Wizz Air nisi pesë linja të reja nga aeroportet e Shkupit dhe Ohrit
Wizz Air, prej sot dhe nesër fillon fluturime në pesë destinacione të reja – Bari, Stokholm, Madrid, Larnaka dhe Bazel, të cilat do të operojnë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe Aeroporti Shën Pali Apostull në Ohër, njoftoi TAV Macedonia, transmeton Portalb.mk.
Fluturimi i parë në linjën e re Shkup-Stokholm u nis nga Aeroporti i Shkupit këtë mëngjes në orën 6:05 të mëngjesit, dhe destinacioni i tij është aeroporti kryesor në kryeqytetin suedez – Arlanda.
Fluturimi i Wizz Air nga Shkupi për në qytetin e Barit në bregdetin italian është planifikuar për sot pasdite në orën 14:40, ndërsa aeroplani për në Bazel, Zvicër, është planifikuar të niset nga Aeroporti i Ohrit saktësisht në mesditë.
Linja e re Shkup-Madrid do të fillojë gjithashtu nesër (28 tetor), me fluturimin e parë në orën 16:05. Kthimi i linjës Shkup-Larnaka do të fillojë me një fluturim që mbërrin nga Larnaka në Shkup nesër në orën 7:15.
Fluturimet që fillojnë sot, 27 tetor, nga Shkupi për në Stokholm dhe për në Bari, si dhe nga Ohri për në Bazel, do të operohen dy herë në javë, pra çdo të hënë dhe të premte.
Linjat që do të fillojnë nesër – nga Shkupi për në Madrid, do të zhvillohen çdo të martë, të premte dhe të shtunë, ndërsa nga Shkupi për në Larnaka – të martën dhe të shtunën.
TAV Macedonia thotë se presin një vëllim të madh të trafikut të pasagjerëve në të pesë linjat e reja të Wizz Air, duke marrë parasysh faktin se të gjitha këto qytete janë destinacione tërheqëse turistike që ishin të kërkuara nga pasagjerët.
Nga pesë linjat e reja që fillojnë sot dhe nesër, Madridi dhe Bari janë destinacione krejtësisht të reja për tregun maqedonas, pra kryeqyteti i Maqedonisë do të lidhet për herë të parë me kryeqytetin spanjoll dhe qytetin bregdetar italian.
Larnaka dhe Bazeli janë linja të rivendosura, ndërsa Shkupi – Stokholmi është e re sepse Wizz Air tani do të fluturojë për në aeroportin kryesor në metropolin suedez – “Arlanda”.
“ Besoj se do t’i shijoni destinacionet e reja, dhe ne nuk po ndalemi këtu, jemi të përkushtuar të ofrojmë sa më shumë destinacione të jetë e mundur nga të dy aeroportet dhe jam i sigurt se gjëra edhe më emocionuese na presin”, tha drejtori i përgjithshëm i TAV Macedonia, Nexhat Kurt, në një deklaratë me shkrim.
Përveç pesë linjave të reja që fillojnë sot dhe nesër, Nikolloski njoftoi se më 3 nëntor do të fillojnë edhe fluturimet për në Gjenevë, e cila, sipas tij, është një destinacion jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse përveç turistëve, pritet të sjellë biznesmenë në Shkup. Fluturime direkte për në Pragë dhe Këln duhet të futen gjithashtu nga 15 dhjetori.
Lajme nga vendi
Nga mesnata shtrenjtohen derivatet e naftës
Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) solli vendimin, me të cilin bëhet rritja e çmimeve të shitjes me pakicë të derivateve të naftës mesatarisht 0,88 % në raport me vendimin e datës 20.10.2025.
Nga data 28.10.2025, ora 00:01 çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:
EUROSUPER BS – 95 73,50 (denarë/litër)
EUROSUPER BS – 98 75,50 (denarë/litër)
EURODIZEL BS (D-E V) 68,00 (denarë/litër)
Vaj për Djegie Ekstra i Lehtë 1 (EL-1) 67,50 (denarë/litër)
Mazut М-1 SU 36,057 (denarë/kilogram)
Çmimet e shitjes me pakicë të benzinës EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 rriten për 0,50 den/l.
Çmimet e shitjes me pakicë të EURODIZELIT (D-Е V) dhe të Vajit Ekstra të Lehtë për Amvisëri (ЕL-1) rriten për 1,00 denarë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i Мazutit М-1 SU rritet për 0,010 den/kg dhe do të jetë 36,057 den/kg.
Theksojmë se këto janë çmimet maksimale të derivateve të naftës nga ora 00:01 e datës 28.10.2025.

