Lajme nga vendi
RMV, nuk ka shumicë për votimin e ndryshimeve kushtetuese
Për momentin nuk ka shumicë për votimin e ndryshimeve kushtetuese, tha kreu i Parlamentit Talat Xhaferri, i cili në nj takim me gazetarët, shtoi se ai si kryetar i Komisionit për kështje kushtetuese është i gatshëm sapo të marrë një propozimin për fillimin e kësaj procedure. Për zgjedhje të mundshme të parakohshme në pranverë në favor të ndryshimeve kushtetuese, Xhaferi konsideron se duhet parë interesi i procesit, transmeton Portalb.mk.
Sipas tij, nuk ka nevojë për një takim të drejtpërdrejtë mes kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit për të diskutuar një çështje për të cilën kryeministri dhe palët e tjera të interesit kanë komentuar publikisht. Për momentin nuk ka shumicë adekuate për ndryshimet kushtetuese dhe të gjithë po diskutohen, theksoi kryeparlamentari.
“Në momentin kur do të konsiderojnë se i kanë kushtet për të nisur një iniciativë, unë jam i gatshëm si kryetar i Komisionit dhe i Kuvendit të veproj sipas procedurës, pasi të merret iniciativa më tutje”, tha Xhaferi.
Ai tha se nuk mund të thotë se deri ku kanë shkuar negociatat me deputetët për këtë çështje pasi nuk i udhëheq të njëjtat.
“Nuk është përgjegjësia ime t’i bëj ato biseda me deputetët”, tha Xhaferi.
Lidhur me çështjen e zgjedhjeve të parakohshme për votat e ndryshimeve kushtetuese, kryetari i Kuvendit thekson se vlerësimi i parë i kësaj duhet bërë nga këndvështrimi se a është në favor të procesit të shtetit drejt BE-së dhe nëse është në favor të interesave të qytetarëve.
“Nga konteksti im, ajo që shtë në interes të procesit. Interesi i procesit është që ndryshimet të ndodhin, të hapet rruga dhe të punohet brenda një afati të caktuar kohor për të përmbushur sa më shpejt atë që duhet të përmbushim për t’u bërë anëtare e plotë e BE-së. Nuk na duhet shembull tjetër, mjafton shembulli ynë me anëtarësimin në NATO. Të gjithë i dimë perceptimet para dhe pas anëtarësimit në NATO në kontekstin e zhvillimeve gjeopolitike. Në atë kontekst duhet të kemi parasysh që ai proces të përfundojë sa më shpejt, e kam fjalën të gjithë neve dhe shtetit dhe qytetarëve”, thotë Xhaferi.
Nga VMRO-DPMNE theksuan dje se mbeten të qëndrimit se nuk i përkrahin ndryshimet kushtetuese. Ata në një konferencë për media theksuan se si parti mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe se nëse do të ketë zgjedhje, në programin e tyre parazgjedhor do të deklarojnë në mënyrë të detajuar se si do të vazhdojë vendi në atë rrugë, i cili do t’i prezantohet në mënyrë transparente me votuesit të cilët nëse do të ketë zgjedhje do të vendosin nëse do ta mbështesin politikën e ofruar nga kjo parti.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski para pak kohësh deklaroi se për të është e qartë se vendimi i deputetëve në Kuvend për ndryshimet kushtetuese nuk do të jetë i lehtë, por nga ta pret që të tregojnë sjellje burrshtetasish. Ajo që është e qartë, theksoi kryeministri, është se deputetët kanë zgjedhjen ta lënë vendin në stagnim ose të marrin një vendim për një të ardhme më të mirë.
Kreu i Besës, Bilal Kasami, i ka dhënë ultimatum kryeministrit këtë javë, nëse dëshiron ndryshime kushtetuese, të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sipas tij, përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë është në korrelacion të drejtpërdrejtë me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Kovaçevski e hodhi poshtë menjëherë një ultimatum të tillë, duke theksuar se ai nuk funksionon nën shantazh.
“Do ta përsëris edhe një herë se nuk funksionoj nën shantazh dhe presion. Zgjedhjet do të jenë në vitin 2024 dhe kjo tashmë është një përfundim i paramenduar. Çështja e ndryshimeve kushtetuese është serioze, është çështje shtetërore sepse nënkupton përfundimin e procesit për hapjen e klasterave në procesin e nisur të negociatave me BE-në. Kemi filluar negociatat me Bashkimin Evropian, procesi i skriningut është duke u zhvilluar dhe tani gjithçka varet nga ne. Prandaj, kjo çështje është parimore, nëse dikush e mbështet apo jo rrugën evropiane. Kushtet për një çështje ,,të tillë janë vërtet të papranueshme”, i është përgjigjur Kovaçevski Kasamit.
Lajme nga vendi
TETOVA NË VAPËN AFRIKANE – SI FRYMON QYTETI NË 40 GRADË?
Tetova këto ditë po përballet me temperaturat e larta të vapës afrikane. Termometri i afrohet 40 gradëve Celsius, ndërsa qyteti duket sikur ngadalëson ritmin dhe kërkon hije, freski dhe pak ajër.
Tetova në këto temperatura është një qytet që vazhdon të jetojë, por me një ritëm tjetër. Një tabelë e Drejtorisë për Punë Hidrometelereologjike tregon se në orën 14.00 në Tetovë janë matur 34.1 gradë Celsius. Por, në qytet vapa afrikane dhe netët tropikale tashmë janë bërë përditshmëri.
Rrugët në orët më të nxehta janë më të zbrazëta. Qytetarët shmangin daljet gjatë mesditës dhe, kur është e domosdoshme të dalin, kërkojnë rrugët me hije, freskojnë veten me ujë dhe përpiqen të kryejnë punët sa më shpejt.
Edhe tregtarët dhe punëtorët që janë të detyruar të qëndrojnë jashtë duhet ta përshtatin ritmin e punës. Uji, pushimet e shpeshta dhe shmangia e diellit bëhen domosdoshmëri.
Vapa ndryshon edhe zakonet. Takimet shtyhen për pasdite, aktivitetet sportive zhvendosen në orët e vona, ndërsa shumë familje preferojnë të qëndrojnë në ambiente të mbyllura gjatë pjesës më të nxehtë të ditës.
Daljet gjatë orëve të nxehta shtyhen për më vonë, pazaret dhe obligimet kryhen herët në mëngjes, ndërsa shëtitjet në qytet bëhen kryesisht në mbrëmje. Për shumë tetovarë, vera nuk është më vetëm një stinë pushimi, por një periudhë ku dita duhet planifikuar sipas temperaturës.
Në 40 gradë, qyteti nuk ndalet, në pritje të shiut, thjesht mëson të marrë frymë më ngadalë./Tv Koha/
Lajme nga vendi
DREJTORIA E GJIMNAZIT PËRGËNJESHTRON “LEVICËN”
Drejtoria e Gjimnazit „Kirili Pejçinoviq“ – Tetovë reagon ashpër ndaj informacioneve të publikuara lidhur me funksionimin e shkollës.
Drejtoria e Gjimnazit të Tetovës i ka përgënjeshtruar pohimet e një komunikate të partisë “Levica” ku ata pretendojnë se po nënçmohet gjuha maqedonase dhe se klasat janë të stërmbushura me nxënës.
Nga Drejtoria thonë se do ta kuptonin këtë gjuhë të “Levicës” nëse vendi ishte në fushatë zgjedhore, por duke prezantuar fakte përgënjeshtrojnë pohimet e partisë në fjalë.
Dje, faqja e internetit e shkollës u hakua në të tri gjuhët – maqedonisht, shqip dhe anglisht. Ekipi i IT-së së shkollës punoi intensivisht për zgjidhjen e problemit dhe arriti ta rikthejë funksionimin e saj. Faqja e internetit tashmë është në funksion dhe në të janë publikuar listat e nxënësve të pranuar në afatin e regjistrimit të qershorit.
Shpërndarja e nxënësve në paralele bëhet në përputhje me konkursin për regjistrimin e nxënësve në Gjimnaz, të publikuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, numrin e nxënësve të regjistruar dhe kapacitetet hapësinore të dy objekteve ku nxënësit e ndjekin mësimin në turnin e paradites.
Po ashtu, si tërësisht të pavërteta I kanë hedhur poshtë pretendimet se 50 nxënës do ta ndjekin mësimin në një klasë.
Drejtoria e shkollës është e përkushtuar për krijimin e shërbimeve dhe kushteve më të mira dhe më cilësore për zhvillimin e pandërprerë dhe të vazhdueshëm të procesit arsimor.
Sipas tyre, pikërisht informacione të tilla të paverifikuara, të pabazuara dhe të pasakta krijojnë kaos në arsim./Tv Koha/
Lajme nga vendi
BDI: Me dy vjet vonesë dhe 30 milionë euro më shtrenjtë, VLEN vazhdon projektin e BDI-së Shkup- Bllacë
Pas dy vitesh humbje kohe, VLEN sot po e paraqet si sukses vazhdimin e autostradës Shkup- Bllacë, projekt i përfunduar më 2 maj 2023 dhe i tenderuar po atë vit nga qeveria e kaluar, me një vlerë prej rreth 183 milionë eurosh.
Dy vjet më parë, VLEN dhe partnerët e tyre politikë e sulmonin projektin si “tepër të shtrenjtë” dhe “të papërshtatshëm”. Sot, pa ndryshuar as trasenë dhe as projektin, duke e vonuar pa asnjë nevojë për mbi dy vite, të njëjtën autostradë prej rreth 10 kilometrash do ta ndërtojnë për rreth 210 milionë euro, apo afërsisht 21 milionë euro për kilometër.
Pra, projekti që e kritikuan nuk është ndryshuar as për 0,1 për qind. Traseja është e njëjtë, projekti është i njëjtë, autostrada është e njëjtë.
Të vetmet gjëra që kanë ndryshuar janë dy vite vonesë dhe rreth 30 milionë euro më shumë nga paratë e qytetarëve.
VLEN duhet t’i përgjigjet opinionit: pse u bllokua për dy vjet një projekt i gatshëm dhe pse sot i njëjti projekt kushton rreth 30 milionë euro më shumë? Ku përfundojnë këto para dhe cili është arsyetimi për këtë shtrenjtim?
Shqiptarët humbën dy vite për një autostradë jetike, ndërsa qytetarët do të paguajnë dhjetëra milionë euro më shumë. Dy vite vonesë, 30 milionë euro më shtrenjtë dhe asnjë ndryshim në projekt, kjo është fatura e paaftësisë dhe keqmenaxhimit të VLEN-it.

