Lajme nga vendi
Viti 2022 i zymtë, popullata e RMV-së nuk i zë besë gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit ka dështuar
Gjyqësori në Maqedoninë e Veriut edhe gjatë vitit 2022 ka vazhduar të jetë në shënjestër të kritikave serioze për shkak të vendimeve skandaloze, të cilat kanë krijuar me të drejtë perceptimin te qytetarët se në këtë vend të vogël, ndëshkohen vetëm të pafuqishmit. Lufta kundër korrupsionit ka dështuar, prandaj ndërkombëtarët edhe këtë vit e kanë qortuar RMV-në, derisa të rinjtë po largohen për të gjetur një vend ku shteti të gjithë i trajton në mënyrë të barabartë, shkruan Portalb.mk.
“Miqësia” mes gjyqësorit dhe korrupsionit
Ata të cilët shpallin vendime në emër të popullit, besimin e popullit nuk e kanë. Në anketën e fundit të IRI-it të realizuar në shtator-tetor 2022 vetëm 4% e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se kanë besim të plotë në gjyqësor. Qytetarët, edhe gjatë vitit paraprak, gjegjësisht 2021, deklaruan se nuk i besojnë gjyqësorit. Sipas anketës së “Eurothink”, vetëm 8% prej tyre kanë besim në gjyqësor.
Kjo tregon se vendi nuk po i bën reformat dhe hapat e mjaftueshme për kthimin e besueshmërisë së qytetarëve në sistemin e drejtësisë, i cili ka humbur ndër vite, si rezultat i politikës së mosndëshkueshmërisë së krimit dhe korrupsionit në nivele të larta.
Edhe gjatë vitit 2022, gjyqësori u përfol më së shumti në kontekst të bashkëpunimit me krimin dhe korrupsionin, se sa të luftimit të tyre. Jo rastësisht, ambasadorja amerikane, me të ardhur në RMV, si njollë të zezë të vendit e përmendi korrupsionin dhe për këtë, paralajmëroi ekip special amerikan për të vështruar në mënyrë më agresive funksionarët e korruptuar, të cilët e vizituan vendin, por nuk dihet se si do të veprojnë më tej.
Por, sipas Komisionit për Antikorrupsion ardhja e këtij ekipi nënkupton dështim për politikën e Maqedonisë së Veriut, pasi ne nuk i kemi kryer detyrat. “Të të vijë në atë nivel ekip nga Amerika, është ta prekësh fundin”, thanë nga Antikorrupsioni.
Edhe StevoPendarovski, gjatë fjalimit vjetor në Kuvend u ndal te ardhja e ekipit amerikan, i cili tha se, realiteti është se askush nga jashtë nuk do ta çrrënjos korrupsionin në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nëse institucionet tona dhe përfaqësuesit e zgjedhur politikë të qytetarëve nuk e bëjnë këtë. Ai theksoi se nuk do të ketë drejtësi derisa kriminelët nuk i vendosim në burgje të mbyllura dhe derisa gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar janë në liri.

Në raportin e organizatës “Freedom House” për Vendet në Tranzicion, publikuar në prill të këtij viti, Maqedonia e Veriut u radhit në grupin e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion. Nuk ka përmirësime.
Organizata Transparency International në janar të këtij viti, nxori raportin e vitit për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në botë në të cilin theksohej se Maqedonia e Veriut ka një indeks 39, së bashku me Kosovën, dhe është në gjysmën e fundit të tabelës së 180 vendeve në botë.
Pikërisht për shkak të shkallës së korrupsionit, katër nga dhjetë të rinj do ta braktisnin shtetin, ndërsa çdo person i tretë i ri konsideron se pikërisht korrupsioni është motivimi kryesor që të inkuadrohet dhe të kontribuojë në luftën kundër veprimeve korruptive. Vetëm katër përqind e të rinjve mendojnë se gjendja e këtillë i detyron të bëhen pjesë e zinxhirit të korrupsionit. Këtë e tregon analiza e bërë nga ana e Youth Alliance në të cilën kanë marrë pjesë mbi 440 të rinj nga i gjithë vendi.
Shtrembërimi i drejtësisë
Nuk kaluan as dy javë nga Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, gjyqësori shkaktoi një kaos të vërtetë, për çka reaguan thuajse i gjithë kreu i shtetit, pavarësisht betimit të tyre se nuk përzihen në vendimet e tyre.
Një grusht gjyqtarësh të Apelit, “nuk e kanë kuptuar” aktgjykimin e shkallës së parë të lëndës “Target-Fortesa“, për përgjimin e paligjshëm të mbi 20 mijë qytetarëve dhe kanë miratuar vendim për shfuqizimin e aktgjykimit dhe kthimin e lëndës në rigjykim. “Rastësisht”, në këtë lëndë është i dënuar me 12 vjet burg, ish shefi i Policisë Sekrete Sasho Mijallkov i cili gjatë kohës së regjimit të Nikolla Gruevskit, vendoste se kush do të bëhet gjyqtar.
Rikthimi nga e para e lëndës “Target-Fortesa” hapë mundësi reale që Mijallkov dhe të akuzuarit tjerë të shpëtojë nga përndjekja penale për përgjimet masive, për çka u formua dhe Prokuroria Speciale Publike, pasi që në fillim të vitit 2025, apo për dy vite, veprat penale vjetërsohen.

Gjasat janë edhe më të mëdha që të Mijallkov t’i ikë përndjekjes penale, duke e pasur parasysh se vetëm për miratimin e aktgjykimit të parë u nevojitën më shumë se tre vjet, pasi që ekipi i avokatëve të Mijallkovit e zvarriste procedurën gjyqësore.
Vetëm dhjetë ditë përpara vendimit skandaloz për rastin e përgjimeve, gjyqtarët e Apelit, e kanë shfuqizuar edhe aktgjykimin e shkallës së parë në rastin “Thesari” në të cilin, edhe këtu, rastësisht Sasho Mijallkov u dënua me 8 vjet burg.
Kështu, Mijallkovi i cili është i dënuar në dy lëndë me gjithsej 20 vjet burg, Apeli për 10 ditë e pastroi dhe ua hodhi fajin kolegëve të tyre nga shkalla e parë se “kanë bërë shkelje thelbësore të dispozitave të Ligjit për procedurë Penale, me çka është sjellë në pikëpyetje gjendja faktike dhe zbatimi i rregullt i Kodit Penal”.
Vetëm 4-5 muaj para këtyre dy rasteve skandaloze, Prokuroria arriti marrëveshje me Mijallkovin në një rast tjetër, të quajtur “Perandoria”, një rast i cili u hap nga ish Prokuroria Speciale dhe u bë shkak që kjo Prokurori në krye me Katica Janevën të fundoset për shkak të “reketit”. Sasho Mijallkov bëri marrëveshje me Prokurorinë pasardhëse, e pranoi fajin për larje parash dhe ia dha shtetit 36 milionë euro të fituara nga krimi, me qëllim që të ketë zbutje të ndëshkimit. Për këtë, Gjykata e dënoi me 3 vite burg, të cilat, duhet t’i mbajë në Burgun e Strugës, pasi e ndryshoi adresën nga Shkupit, për shkak se burgu i Strugës është i hapur dhe “vizitohet” nga “elitat”, siç ishte rasti me Orce Kamçevin.
Ashtu si miku i tij Mijallkov, edhe Kamçev “e bleu” drejtësinë me para. Për ta mbyllur ndjekjen e tij në rastin “Perandoria”, Kamçev dha 5.1 milion euro dhe pranoi të mbajë 1 vjet burg – të cilin në fakt nuk e mbajti të plotë, pasi u lirua 4 muaj më herët.
Prej gjithsej 19 personave që kanë qenë në procedurë parahetimore të “Perandorisë”, Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion në fund të dhjetorit dorëzoi akuzë vetë kundër Cvetan Pandeleskit, Zoran Mitrevkit dhe Jovançe Taskovskit. Të tjerët kanë bërë marrëveshje me Prokurorinë.
Në ndërkohë, në rastin “Parcelat”, azilanti Nikolla Gruevski u dënua me 7 vjet burg, Sasho Mijallkov me 1 vjet e 3 muaj, ndërkaq Orce Kamçev me 1 vjet burg.
Akuza për zgjedhje të personave partiak
Padyshim që këtë vit bujë më të madhe ka shkaktuar zgjedhja e prokurorit për ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazit nga Kërçova, i cili u akuzua në opinion për afërsi të tij me funksionarët e BDI-së, për çka u publikuan edhe disa fotografi. Për zgjedhjen e tij edhe ambasadorja e SHBA-ve në Shkup deklaroi se është e habitur me procesin, ndërkaq Abazi mohoi çdo lidhje të tij me BDI-në.

Zgjedhja e tij erdhi pas ngjarjeve mes prokurores Vilma Ruskovska dhe drejtorit të Policisë Financiare, Arafat Muaremi. Ruskovska u suspendua për shkak të bastisjes në Policinë Financiare, ndërkaq Muaremi dha dorëheqje një ditë pas skadimit të mandatit 6-mujor të ushtruesit të detyrës së drejtorit.
Në ndërkohë pritet që të zgjedhet dhe shefi i Prokurorisë së Lartë të Shkupit. Prokurorët Burim Rustemi dhe Fatime Fetai, pasi kandiduan u tërhoqën nga gara, për ta lënë në garë të vetëm Mustafa Hajrullahin i cili udhëhoqi me Prokurorinë e Lartë katër vite.
Aleanca për Shqiptarët dhe Levica e akuzuan prokurorin Hajrullahi si të afërt me funksionarët e BDI-së, për shkak udhëheqjes së rastit “Tiranik 3”, ku të akuzuar janë Ismet Guri dhe Ejup Halimi nga BDI-ja. Megjithatë, ai i ka hedhur poshtë këto pretendime.
Në fillim të këtij viti, Gavrill Bubevski u emërua shef i Prokurorisë Publike të Shkupit.
Gjatë këtij viti, Gjykata Kushtetuese është përballur me mungesë të gjykatësve si pasojë e pensionimit të tyre dhe mosplotësimit të vendeve për shkak të bllokadave të opozitës në Kuvend.
Në fund të nëntorit, Pavlina Cërvenkovska, dha dorëheqje nga pozita e kryetares së Këshillit Gjyqësor dhe theksoi që “shpreson që kryetari i ardhshëm do të jetë i përshtatshëm për këtë elitë biznes-gjyqësore”. Megjithatë, pasi u rikthye në Këshillin Gjyqësor si anëtare, Cërvenkovska, nuk foli më se kush është elita biznes-gjyqësore.
Gjatë dhjetorit, Natasha Gaber-Demjanovska u rizgjodh në detyrën e drejtoreshës së Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë.
Aktgjykime gjatë vitit 2022
Pas disa vitesh gjykim, këtë vit u shpall dhe aktgjykimi i shkallës së parë edhe për rastin “TNT”, gjegjësisht shkatërrimin e kompleksit banesor “Kosmos” të Fijat Canovskit. Më saktësisht, ish-kryeministri Nikolla Gruevski u dënua me 9 vjet burg, ish kryetari i Komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski me 4 vjet, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve me 3 vjet burg, ndërkaq Elizabeta Najdovska me 4 vjet burg. Të akuzuarit gjithashtu duhet t’ia kthejnë Canoskit mbi 11 milionë euro.
Gjatë këtij viti u shpall dhe aktgjykimi edhe për rastin e ndërtimit pa leje të pallatit të bardhë të VMRO-DPMNE-së. Në këtë rast, Gruevski u dënua me 6 vjet burg, ndërkaq sekretari i atëhershëm i partisë Kirill Bozhinovski u dënua me burg kusht.
Në ndërkohë u shpall dhe vendimi për rastin “Toplik” në të cilin shkalla e parë, e dënoi ish ministrin e Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski me 3 vjet e gjysmë burg.

Janakieski, gjithashtu u dënua me katër vjet e gjysmë burg edhe në rastin “Titanik”, aty ku Gordana Jankulloska u dënua me dy vjet e gjysmë burg. Në ndërkohë në rastin “Dizajn” për autobusët kinezë, Janakieski u dënua me burg me kusht.
Gjykata Penale, këtë vit i dënoi me 52 vjet burg tre të akuzuarit për vrasjen e hendbollistit, Denis Tot.
Duke pritur drejtësinë në burg për rastin “Alfa”, këtë vit, ndërroi jetë Rexhail Qerimi, i dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e një policit të Njësitit “Alfa” në vitin 2008-të. Qytetarët në Shkup mbajtën marsh protestues ku disa prej tyre deklaruan se vdekja e Qerimit në burg është e dyshimtë dhe kërkuan “hetim ndërkombëtar për të gjitha rastet e montuara”.
Gjykata e Apelit këtë vit, i hodhi poshtë ankesat e të akuzuarve për rastin “Monstra”, ndërkaq Gjykata Supreme i hodhi poshtë ankesat e të akuzuarve për rastin “Kumanova”.
Themeluesi i grupit “Dhoma Publike” ku shpërndaheshin materiale pornografike të grave nga Maqedonia e Veriut pa lejen e tyre, u dënua me 4 vjet burg, ndërsa po aq, është dënuar edhe administratori Mihail Panevski.
Procese të papërfunduara
Pavarësisht se kanë kaluar 3 vite, gjyqësori ende nuk e ka mbaruar gjykimin për rastin tragjik të Llaskarcës ku humbën jetën 16 persona.
Procesi gjyqësor për djegien e Spitalit Modular të Tetovës në vitin 2021 ku humbën jetën 14 persona, ka filluar, por vazhdimisht anulohet.
Njëkohësisht, ka nisur procesi gjyqësor për “Besa Transin”, autobusi i të cilit u aksidentua dhe u dogj në një autostradë të Bullgarisë dhe ku humbën jetën 45 persona. Pronari akuzohet se ka falsifikuar licencën e autobusit, ndërkaq gjykimi sapo ka filluar, 1 vjet pas aksidentit. Në ndërkohë Prokuroria bullgare e përfundoi hetimin për aksidentin tragjik dhe sipas tyre shoferi ka humbur kontrollin e autobusit.
Gjatë vitit 2022, Prokuroria ngriti aktakuzë kundër ish-drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet, Lidija Dimova dhe dy personave tjerë, pasi që dyshohet se kanë shpërdoruar 320.000 euro para evropiane.
Pas Dragi Rashkovskit i cili vazhdon të ndodhet në bankën e të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare të sekretarit të Qeverisë, edhe sekretari pasardhës i Qeverisë, Muhamed Zekiri dha dorëheqje nga pozita e sekretarit të Qeverisë pasi Prokuroria ngriti procedurë hetimore dhe më pas akuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Gazetarët hulumtues të IRL-së e publikuan dokumentarin “Gjaku i pistë” në të cilin thuhej se Klinika “Zhan Mitrev” ka bërë eksperiment të paligjshëm me pacientët dhe i ka “rrjepur” financiarisht qytetarët. Për këtë Prokuroria ngriti procedurë hetimore.
Policia Financiare ka dorëzuar padi penale kundër shtatë personave për shitjen e parcelave EVN-së në Dellçevë për ndërtimin e centraleve fotovoltaike. Shtatë personat, dy prej të cilëve drejtues në EVN, janë mes vete familjarë dhe miq. Ata, një tokë që kushtonte 35.000 euro ia kanë shitur EVN-së 1.6 milion euro.
Ndryshe, nëse ndiqen kritikat e Raportit të Komisionit Evropian në raportin vjetor 2022 ku ka theksuar se buxheti për gjyqësor është i pamjaftueshëm dhe kjo cenon pavarësinë dhe pavarësinë e tij, atëherë mund të pritet dhe rrijte të buxhetit. Ata gjithashtu kanë obliguar autoritetet e vendit që të ndërmarrin veprime për përmirësimin e gjendjes me burimet njerëzore në gjyqësor.
Gjatë vitit të ardhshëm, gjithashtu autoritetet duhet të ndërmarrin masa edhe për efikasitetin e gjyqësorit që lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të RMV-së. “Vetingu” apo verifikimi i gjyqësorit është një prej “zgjidhjeve” për pastrimin e tij, i cili ndër vite përmendet nga aktorët në vend, por ende nuk ka ndonjë angazhim konkret në praktikë.
Lajme nga vendi
Oda e Mjekëve zgjedh kryetarin e ri dhe organet drejtuese me mandat katërvjeçar
Oda e Mjekëve sot do të mbajë seancë zgjedhore-konstituive, në të cilën pritet të zgjidhet kryetari i ri dhe të formohen trupat, organet dhe komisionet e Odës.
Me zgjedhjen e udhëheqjes së re dhe formimin e trupave punues do të nisë mandati i ri katërvjeçar i Odës, e cila përfaqëson dhe mbron interesat profesionale të mjekëve në vend.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 10 Nëntor
Dje, në orën 11:40, në rrugën “Vëllezërit Milladinovi” në Tetovë, punonjësit e policisë kanë privuar nga liria një 39-vjeçar nga fshati Banjicë e Poshtme e Gostivarit, për shkak se kishte prishur rendin dhe qetësinë publike me sjellje agresive dhe të pahijshme. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të pasojë parashtresa përkatëse.
…….Dje, në orën 12:00, në SPB Tetovë, një 26-vjeçar nga një fshat i Tetovës ka denoncuar se është mashtruar nga një 46-vjeçar nga Gjermania për shumën prej 6.800 eurosh. Sipas denoncimit, përmes një faqeje interneti gjermane për shitjen e automjeteve, ai kishte rënë në kontakt me personin, me ç’rast ishin marrë vesh dhe më 29.10.2026 i kishte paguar paratë përmes llogarisë bankare. Pasi shërbimi i angazhuar i karrotrecit kishte shkuar në adresën e dhënë në Gjermani, u konstatua se personi i denoncuar nuk jeton atje dhe se adresa është e rreme. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
……Dje, në orën 13:15, në rrugën “JNA” në Gostivar, punonjësit e policisë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria një 30-vjeçar nga Gostivari, duke vepruar sipas një denoncimi paraprak nga një e punësuar në Prokurorinë Themelore Publike Gostivar, se rreth orës 12:55 në vendin e saj të punës ai ishte sjellë në mënyrë agresive dhe e kishte kanosur, e më pas kishte sulmuar një polic gjyqësor, i cili po kryente veprime zyrtare. Ai është mbajtur në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të ngrihet kallëzimi përkatës.
……Dje, në orën 18:40, në SPB Tetovë, një 43-vjeçar nga Tetova ka denoncuar se në rrugën “Ilinden” në Tetovë kishte ndodhur një përleshje fizike mes djalit të tij 17-vjeçar dhe një personi. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të pasojë parashtresa përkatëse.
…….Dje, në orën 23:40, në fshatin Çegran, punonjësit e policisë nga SPB Gostivar kanë arrestuar tre persona, të gjithë nga Gostivari, për shkak se gjatë kontrollit të një automjeti pasagjerësh “Peugeot” me targa të Gostivarit, të drejtuar nga njëri prej tyre, në të cilin ndodheshin dy personat e tjerë, u gjet dhe u konfiskua një lëndë pluhur e bardhë. Pas dokumentimit të plotë të rastit do të pasojë parashtresa përkatëse.
Dje, në orën 22:45, në rrugën “Ilinden” në Tetovë, punonjësit e policisë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 23-vjeçar nga Tetova, për shkak se gjatë një kontrolli të ushtruar ndaj tij iu gjet dhe iu konfiskua një lëndë pluhur e bardhë. Ai është mbajtur në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të dorëzohet parashtresa përkatëse
Lajme nga vendi
TOP 100 KOMPANITË: 1.95 MILIARDË EURO TË HYRA, 10.897 TË PUNËSUAR!
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore organizoi edicionin e 17-të të manifestimit tradicional TOP 100, ku u vlerësuan kompanitë më të suksesshme në vend, bazuar në rezultatet financiare, investimet, eksportet dhe kontributin e tyre në ekonomi.
Ngjarja mblodhi përfaqësuesit më të lartë shtetërorë, përfshirë Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, udhëheqësinë më të lartë shtetërore, ambasadorë dhe diplomat, përfaqësues të institucioneve shtetërore, të komunitetit të biznesit, të odave ekonomike nga vendi dhe rajoni, partnerë ndërkombëtar, si dhe përfaqësues të mediave, kështu duke dëshmuar rëndësinë dhe karakterin e kësaj ngjarjeje në skenën ekonomike.
Kryetari i OEMVP-së, Sami Morina, theksoi rëndësinë e mbështetjes së ndërmarrësve dhe krijimit të kushteve për zhvillimin e bizneseve, ndërsa kryeministri Mickoski u shpreh se ekonomia nuk njeh dallime etnike apo fetare dhe se synimi është krijimi i një ekonomie konkurruese në tregjet evropiane dhe globale.
Në fjalën e tij, Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Hristijan Mickoski, theksoi rëndësinë e ndërtimit të një ekonomie gjithëpërfshirëse, ku suksesi dhe zhvillimi ekonomik tejkalojnë çdo dallim etnik apo fetar.
Kryeministri pati një mesazh për të gjithë të pranishmit.
“Në Qeveri keni partnerin që dëshiron t`u dëgjojë që i kupton sfidat tuaja de që e di se pa një sektor të fuqishëm privat nuk ka ekonomi të fuqishme, kurse pa një ekonomi të fuqishme s`ka as shtet të fuqishëm. Ekonomia nuk njej kufij etnik apo fetar. Qëllimi ynë është të ndërtojmë një ekonomi ku puna paguhet, ku nxiten investimet, ku të rinjtë kanë perspektivë, kurse kompanitë vendore janë konkurrues në tregjet evropiane dhe botërore ”
Sipas të dhënave për vitin 2025, 100 kompanitë e renditura në pesë kategori realizuan 1 miliard e 950 milionë euro të hyra, 125.7 milionë euro fitim neto, 225.2 milionë euro eksporte dhe 153.8 milionë euro investime, duke punësuar gjithsej 10 mijë e 897 persona.
Gjatë mbrëmjes u ndanë edhe çmime të veçanta.
Titullin “Gruaja e Suksesshme në Biznes” e mori Aleksandra Shkëmbi Antovska, ndërsa “Multipark Izairi” u shpall eksportuesi më i mirë dhe TRIM&LUM investitori më i madh.
Në renditjen përfundimtare të TOP 5 kompanive, vendin e pestë e zuri Bas Tuti Fruti, të katërtin Kipper Market, të tretin ALMA M, ndërsa të dytin POFIX.
Kompania NEPTUN u shpall më e fuqishmja në vend për vitin 2026.
Përmes këtij manifestimi, OEMVP synon të promovojë sukseset e sektorit privat dhe të vlerësojë kontributin e bizneseve në zhvillimin ekonomik të vendit./Tv Koha/
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

