Lajme nga vendi
Dënohen 6 vozitës, nuk u dhanë përparësi këmbësorëve
Dje në periudhën nga ora 11 deri në ora 15 është kryer aksion i intensifikuar kontrollues i drejtuesve të mjeteve dhe detyrimeve të tyre ndaj këmbësorëve në zonën e gjerë të Tetovës. Gjatë kontrollit janë zbuluar dhe sanksionuar 6 vozitës të cilët nuk i kanë lëshuar këmbësorët në vendkalimet e shënuara për këmbësorë, për të cilët janë përgaditur parashtresa dhe të njëjtit do të gjobiten me gjoba prej 250 euro në kundërvlerë në denarë, si dhe masë mbrojtëse ndalesë e përkohshmendalimi i automjetit nga tre muaj deri në një vit. Janë konstatuar dhe sanksionuar edhe 16 lloje të tjera të kundërvajtjeve në komunikacion, ndërsa gjithsej 20 automjete janë ngritur nga “shërbimi i merimangës” së Tetovës për shkak të parkimit të paligjshëm, përkatësisht të gabuar, kryesisht në zonën qendrore të qytetit. Poashtu dje, nga ora 6 deri në ora 10, gjatë kontrollit të përforcuar në zonën e Gostivarit, janë zbuluar dhe sanksionuar 3 drejtues mjetesh të cilët në mënyrë të kundërligjshme kanë kryer tejkalim dhe parakalim, për të cilët janë përgatitur kallëzime përkatëse. Aktivitetet kontrolluese në rajonin Tetovë-Gostivar do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me qëllim të zbulimit, eliminimit dhe sanksionimit efektiv me kohë të llojeve të ndryshme të kundërvajtjeve në komunikacion dhe për të kontribuar për siguri më të madhe në rrugë.TV KOHA
Lajme nga vendi
FILIPÇE: INSPEKTIME NË TË GJITHA SISTEMET E UJËSJELLËSIT NË VEND
Rasti në Gostivar nuk është i izoluar, por bëhet fjalë për dobësi sistematike dhe joefikasitet institucional, deklaroi kryetari i LSDM-së, Venco Filipçe.
Në konferencën e sotme për media ai tha se ka informacione se edhe në vende të tjera të vendit ka probleme me cilësinë e ujit, ndërsa institucionet nuk po reagojnë.
Duke iu referuar një raporti të siguruar nga informatorë, Filipçe deklaroi se uji në Spitalin e Specializuar për Sëmundje të Mushkërive dhe Tuberkuloz në Leshkë ka rezultuar i ndotur.
“Askush nuk ka reaguar. Bëhet fjalë për dokumente zyrtare të Qendrës për Shëndet Publik në Tetovë. Mostra e marrë nga çezma e spitalit në Leshok, ku trajtohen pacientët, ka treguar 51 baktere koliforme në 100 mililitra ujë. Në raport thuhet se uji nuk i plotëson standardet e cilësisë për ujë të pijshëm. A e dinë këta njerëz se çfarë po bëjnë? Çfarë lloj menaxhimi i institucioneve është ky? A është qëllimi të rrezikohet shëndeti i të gjithë qytetarëve në vend?”
Lideri socialdemokrat bëri thirrje që analizat dhe kontrollet të kryhen menjëherë, ndërsa kërkoi dorëheqje dhe përgjegjësi penale për drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit të Shëndetit Publik, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe të Prokurorisë, duke i akuzuar se kanë vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve.
Lajme nga vendi
Pas zënkës me gruan, merr fëmijën 10-muajsh pa leje dhe largohet për në Zvicër
Dje në orën 08:10 në DPB Gostivar, një 21-vjeçare nga një fshat i Gostivarit ka denoncuar se, pas një mosmarrëveshjeje paraprake në shtëpinë familjare, bashkëshorti i saj kundërligjshëm dhe pa pëlqimin e saj ka marrë fëmijën e tyre 10-muajsh për në Zvicër. Për rastin janë njoftuar shërbimet kompetente dhe Qendra për Punë Sociale në Gostivar për zbardhjen e plotë të rastit.
Lajme nga vendi
16-vjeçari pa leje drejtimi me veturë përfshihet në aksident,i konfiskohet automjeti
Dje rreth orës 14:00 në një hapësirë parkingu në rrugën “Bllagoja Toska” në Tetovë, zyrtarë policorë kanë privuar nga liria një të mitur 16-vjeçar nga fshati Poroj. Paraprakisht, ai pa leje drejtimi ka drejtuar automjetin e udhëtarëve “Smart” me targa të Tetovës dhe me automjetin ka qenë i përfshirë në një aksident komunikacioni. Automjeti është konfiskuar dhe ndaluar në stacionin policor, ndërsa biseda zyrtare me të është kryer në prani të inspektorit për delikuencë të të miturve dhe kujdestarit të tij. Pas dokumentimit të rastit, ndaj personit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.

