Lajme nga vendi
Statistika/ Maqedonia e Veriut lider në Evropë për arratisje të të burgosurve
Maqedonia e Veriut është lider sa i përket ikjes nga burgu. Këtë e tregon statistika e të burgosurve të cilët kanë ikur nga burgu. Në vendin tonë, 691 të burgosur në 10,000 kanë ikur nga burgu, transmeton Zhurnal.
Menjëherë pas nesh gjenden Holanda me 315 të burgosur nga 10,000 dhe Zvicra me 284.
Interesant është fakti që disa vende nuk kanë denoncuar fare ikje nga burgu, ndërsa mes tyre janë Shqipëria, Sllovenia, Mali i Zi, Malta, San Marino, Irlanda Veriore, Çekia, Monaco, Letonia dhe Qipro.
Të dhënat vijnë nga statistika vjetore e këshillit të Evropës./Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
Flori Epiriani dërgon iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për heqjen e shtesës 30%: kërkohet anulimi i ndryshimeve ligjore
Themeluesi i Sindikatës së Pavarur të Policisë (NSP), Flori Epiriani, ka dorëzuar iniciativë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ndryshimeve në Ligjin për Punë të Brendshme dhe Ligjin për Policinë, që kanë të bëjnë me pagat dhe shtesat mbi pagë të punonjësve të policisë .
Në nismën e tij, Epiriani konteston ndryshimet ligjore me të cilat shtesa fikse për rrezikshmëri dhe specifikën e punës ,e njohur si shtesa për autorizim prej 30 %, përkatësisht 20 % është hequr nga ligji dhe është lënë të rregullohet me akte nënligjore ose me marrëveshje kolektive.
Sipas tij, këto ndryshime cenojnë parimin e sundimit të së drejtës, të garantuar me nenin 8 të Kushtetutës, duke krijuar pasiguri juridike për statusin ekonomik të punonjësve të policisë.
“Profesioni i policit është profesion me rrezikshmëri të lartë dhe kërkon mbrojtje ligjore të veçantë. Zhvendosja e të drejtave nga ligji në akte nënligjore krijon mundësi që ato të zvogëlohen në mënyrë të njëanshme nga ana e pushtetit ekzekutiv, pa kontroll parlamentar”, thuhet në arsyetimin e iniciativës.
Në iniciativë theksohet gjithashtu se ndryshimet ligjore bien ndesh edhe me nenin 32 të Kushtetutës, i cili garanton të drejtën për fitim të rregullt dhe të përshtatshëm me peshën dhe rrezikshmërinë e punës.
Sipas parashtruesit, rreziku nga përdorimi i armëve të zjarrit dhe nga zbatimi i detyrave policore është objektiv dhe i përhershëm, ndërsa heqja e garancisë ligjore për shtesën për rrezikshmëri nënkupton se shteti nuk e trajton më këtë rrezik si pjesë të detyrueshme të pagës.
Një nga argumentet e ngritura para Gjykatës Kushtetuese është edhe cenimi i parimit të barazisë, pasi sipas iniciativës , punonjësit e policisë vihen në pozitë të pabarabartë në krahasim me kategori të tjera profesionale me detyra specifike, të cilave të drejtat nga marrëdhënia e punës u janë të garantuara drejtpërdrejt me ligj.
Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Flori Epiriani propozon:
fillimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitave të kontestuara, dhe
shfuqizimin ose anulimin e tyre, me qëllim rikthimin e zgjidhjes së mëparshme ligjore që garantonte shtesë fikse për rrezikshmëri.
Në një deklaratë publike drejtuar opinionit dhe punonjësve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Epiriani thekson se shteti, përmes këtyre ndryshimeve, e ka shndërruar të drejtën për shtesë në pagë në çështje të negociatave dhe vullnetit politik.
Ai u bën thirrje të gjithë punonjësve të policisë për unitet, duke theksuar se kjo iniciativë para Gjykatës Kushtetuese është “fillimi i betejës juridike për ruajtjen e integritetit të profesionit të policit”.
Lajme nga vendi
Agjencia e Zbatimit të Gjuhës për provimin e jurisprudencës në shqip: Përgjegjëse është Ministria e Drejtësisë
Në lidhje me peticionin e parashtruar nga studentët, nga AZGJ theksojnë “se organ kompetent për organizimin, realizimin dhe mbajtjen e provimit të jurisprudencës, përfshirë formimin e komisione e, procedurat përkatëse dhe mbajtjen e evidencës, është Ministria e Drejtësisë”.
“Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së mbetet në gatishmëri të plotë institucionale për të ofruar mbështetje për të gjitha kërkesat që i parashtrohen institucionit tonë”, thanë nga AZGJ.
Së fundmi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkojnë nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj. Peticioni është dorëzuar te Ministra e Drejtësisë, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, kryetari i Kuvendit dhe zëvendëskryeministri i parë.
Nga Qeveria për Portalb.mk kanë njoftuar se e kanë pranuar këtë kërkesë dhe do të shqyrtojnë të njëjtën, por pa dhënë detaje konkrete. Ndërkaq, edhe kryetari i Kuvendit e ka pranuar të njëjtën dhe e ka përcjellë te Ministria e Drejtësisë.
Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.
Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.
Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.
Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.
Lajme nga vendi
Takimi Meidani- Kasami për bashkëpunimin ndërshqiptar dhe perspektivat evropiane
Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, zhvilloi një drekë miqësore dhe takim pune me Kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilal Kasami, ku në qendër të bisedimeve ishin çështjet lokale, projektet në zhvillim dhe perspektiva evropiane e vendit.
Meidani theksoi se gjatë takimit u diskutua për përparimet konkrete në nivel komunal, veçanërisht në fushat e infrastrukturës dhe arsimit, duke e përgëzuar Kasamin për ndryshimet e dukshme që, sipas tij, tashmë po ndihen drejtpërdrejt nga qytetarët në terren.
Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua edhe procesit të integrimit evropian, ku u theksua rëndësia e anëtarësimit në Bashkimin Evropian si një kornizë kyçe për zhvillim të qëndrueshëm, institucione më funksionale dhe standarde më të larta jetese për komunitetet.
Takimi u karakterizua nga një shkëmbim i hapur idesh mbi hapat e ardhshëm, nevojën për bashkëpunim institucional dhe ndërtimin e një vizioni të përbashkët për një të ardhme më të afërt me qytetarët dhe më të integruar në familjen evropiane.

