Lajme nga vendi
Do të rinovohen konviktet e studentëve, MASH-i fillon aktivitetet përgatitore
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka nisur aktivitetet përgatitore për projektin madhor infrastrukturor i cili parasheh rikonstruktimin e plotë të konvikteve shtetërore të studentëve dhe shndërrimin e tyre në objekte me efikasitet energjetik.
Rikonstruimi do të përfshijë tetë objekte ku siç thonë nga MASH-i, do të sigurohen kushte më të mira për akomodim, qëndrim dhe komoditet në konviktet e studentëve, duke theksuar se ky është një nga prioritetet kryesore.
Realizimin e projektit për rinovimin në faza të konvikteve studentore në vend në nëntor e paralajmëroi ministri Jeton Shaqiri i cili duke prezantuar Planin aksionar njoftoi se ajo do të fillojë në fillim të vitit 2023, fillimisht me konviktin “Stiv Naumov” në Shkup, ku kushtet janë më të këqija.
Ai theksoi se projekti me vlerë rreth 20 milionë euro nga Banka Gjermane për zhvillim do të realizohet në tri faza gjatë tre viteve dhe se faza e parë për renovimin e disa konvikteve pritet të fillojë në janar-shkurt të këtij viti.
“MASH tashmë ka marrë një projekt që duhet të fillojë sa më shpejtë. Pres që faza e parë të jetë në periudhën janar-shkurt kur është planifikuar rinovimi i disa konvikteve. Plani aksionar parashikon që të gjitha konviktet e studentëve në vendin tonë të rinovohen brenda tre vjetësh. Projekti kap vlerën 20 milionë euro dhe përfshin konviktet studentore: “Stiv Naumov”, “Kuzman Josifovski-Pitu”, “Goce Dellçev”, “Tome Stefanovski-Seniq” dhe “Pelagonia” në Shkup, “Orde Çopela” në Prilep, “Koço Racin” – Manastir, “Vëllezërit Milladinovi” – Shtip dhe “Nikola Karev” në Ohër”, theksoi Shaqiri.
Plani për përfshirjen e madhe infrastrukturore u njoftua edhe në një konferencë ndërkombëtare për konviktet për nxënësit dhe studentët në Evropën Juglindore e cila gjatë këtyre ditëve po mbahet në Beograd ku merr pjesë edhe një delegacion nga MASH-i.
“Duke sqaruar mënyrën e funksionimit dhe financimit të banesave, përfaqësuesit e MASH-it theksuan se konferenca është e një rëndësie të jashtëzakonshme sepse në ngjarje të tilla më të mëdha dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të disa shteteve mund të merret dhe dëgjohet përvoja e dikujt që mund të ndihmojë në menaxhimin më të mirë të punës së këtyre institucioneve”, theksojnë nga MASH-i.
Në konferencë poashtu u theksua se MASH-i në bashkëpunim me shoqatat e rinisë dhe shoqatës konvikteve të nxënësve dhe studentëve po punojnë në përgatitjen e ligjit të ri për standardet rinore, ndër të tjera do të reformohet mënyra e financimit e konvikteve për nxënësit dhe studentët si dhe do të përmirësohet standardi i të rinjve në vendin tonë.
Lajme nga vendi
FILIPÇE: INSPEKTIME NË TË GJITHA SISTEMET E UJËSJELLËSIT NË VEND
Rasti në Gostivar nuk është i izoluar, por bëhet fjalë për dobësi sistematike dhe joefikasitet institucional, deklaroi kryetari i LSDM-së, Venco Filipçe.
Në konferencën e sotme për media ai tha se ka informacione se edhe në vende të tjera të vendit ka probleme me cilësinë e ujit, ndërsa institucionet nuk po reagojnë.
Duke iu referuar një raporti të siguruar nga informatorë, Filipçe deklaroi se uji në Spitalin e Specializuar për Sëmundje të Mushkërive dhe Tuberkuloz në Leshkë ka rezultuar i ndotur.
“Askush nuk ka reaguar. Bëhet fjalë për dokumente zyrtare të Qendrës për Shëndet Publik në Tetovë. Mostra e marrë nga çezma e spitalit në Leshok, ku trajtohen pacientët, ka treguar 51 baktere koliforme në 100 mililitra ujë. Në raport thuhet se uji nuk i plotëson standardet e cilësisë për ujë të pijshëm. A e dinë këta njerëz se çfarë po bëjnë? Çfarë lloj menaxhimi i institucioneve është ky? A është qëllimi të rrezikohet shëndeti i të gjithë qytetarëve në vend?”
Lideri socialdemokrat bëri thirrje që analizat dhe kontrollet të kryhen menjëherë, ndërsa kërkoi dorëheqje dhe përgjegjësi penale për drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit të Shëndetit Publik, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe të Prokurorisë, duke i akuzuar se kanë vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve.
Lajme nga vendi
Pas zënkës me gruan, merr fëmijën 10-muajsh pa leje dhe largohet për në Zvicër
Dje në orën 08:10 në DPB Gostivar, një 21-vjeçare nga një fshat i Gostivarit ka denoncuar se, pas një mosmarrëveshjeje paraprake në shtëpinë familjare, bashkëshorti i saj kundërligjshëm dhe pa pëlqimin e saj ka marrë fëmijën e tyre 10-muajsh për në Zvicër. Për rastin janë njoftuar shërbimet kompetente dhe Qendra për Punë Sociale në Gostivar për zbardhjen e plotë të rastit.
Lajme nga vendi
16-vjeçari pa leje drejtimi me veturë përfshihet në aksident,i konfiskohet automjeti
Dje rreth orës 14:00 në një hapësirë parkingu në rrugën “Bllagoja Toska” në Tetovë, zyrtarë policorë kanë privuar nga liria një të mitur 16-vjeçar nga fshati Poroj. Paraprakisht, ai pa leje drejtimi ka drejtuar automjetin e udhëtarëve “Smart” me targa të Tetovës dhe me automjetin ka qenë i përfshirë në një aksident komunikacioni. Automjeti është konfiskuar dhe ndaluar në stacionin policor, ndërsa biseda zyrtare me të është kryer në prani të inspektorit për delikuencë të të miturve dhe kujdestarit të tij. Pas dokumentimit të rastit, ndaj personit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.

