Lajme nga vendi
Mickoski i bindur: Nuk ka shumicë për ndryshime kushtetuese, sa më shpejtë duhen zgjedhje
Lideri i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristian Mickoski pret një vit të ndryshimeve dhe përsëri bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nuk beson që Qeveria do të mbledhë shumicën për ndryshimet kushtetuese për të cilat, tha, qëndrimi i partisë së tij nuk ka ndryshuar.
“Qëndrimi është se ky Parlament nuk ka mandat të ndryshojë Kushtetutën sepse as opozita ka marrë pjesë në krijimin e asaj marrëveshje, e as opozita është pajtuar me atë marrëveshje, e as, ka dalë para qytetarëve që të premtojë se do të ketë ndryshime kushtetuese. Kështu që sa më shpejtë të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të dalim të gjithë me zgjidhje të problemit të cilin e solli qeveria e BDI-së e mbështetur nga LSDM-ja, prandaj qytetarët janë ata që do të vendosin se kujt do t’ia japin besimin. Do të kenë disa opsione kështu që qytetarët janë ata të cilët do të japin udhëzime ku do të duhet të lëvizë Maqedonia”, deklaroi Mickoski në Vevçan.
A beson se Qeveria do të grumbullojë shumicë për ndryshimet kushtetuese, u përgjigj se nuk beson se do ta ruajë as shumicën për mbështetje të kësaj Qeverie, ndërsa për ndryshimet kushtetuese, tha, shumicë nuk do të ketë.
Në pyetjen e gazetarëve Mickoski e komentoi edhe deklaratën e Kovaçevskit se është kompliment ajo që VMRO-DPMNE kërkon zgjedhje në maj, sepse, sipas kryeministrit, është njohje se Qeveria në mënyrë efikase përballet me krizën energjetike e cila përfundon më 30 prill.
“Shkëlqyeshëm. Nëse ai beson se është kështu, ja e ftoj që të mos dezertojë, të dalë sa më shpejt para qytetarëve në zgjedhje dhe të shohë sa me sukses po e udhëhiqet Qeveria dhe qytetarët do të thonë nëse po e udhëheq me sukses apo jo. Ka vetëm një mënyrë për ta treguar atë – në zgjedhje. Dhe kështu, nëse vazhdon të dezertojë dhe të fshihet, fatkeqësisht nuk do ta marrë atë përgjigje tani dhe menjëherë nëse po e përballon me sukses, do të duhet të presim disa muaj që këta deputetë që vijnë nga grupi parlamentar i LSDM-së dhe BDI-së të mbështesin shpërndarjen e Parlamentit dhe ndryshimin e Qeverisë”, tha Mickoski.
Në lidhje me takimin në Tiranë të liderëve të bllokut politik shqiptar në vend, Mickoski tha se është “takim katastrofal, i cili e ndan popullin në Maqedoni në vend që ta bashkojë”.
“Takim në të cilin duhet të shpëtohet Qeveria e BDI-së e mbështetur nga LSDM-ja dhe Kovaçevski dhe takim pa thelb”, shtoi Mickoski.
Deklaratën për mediat lideri i VMRO-DPMNE-së e dha në Vevçan ku sot filloi Karnavali dyjavor i Vevçanit. E uroi kryetarin dhe komunën që me “resurse të kufizuara dhe modeste” arritën ta ruanin traditën e karnavalit i cili, siç tha, “mori zero denarë mbështetje nga Ministria e Kulturës”.
Lajme nga vendi
SHGM: Të sigurohet respektim dhe punë e papenguar e punonjësve mediatikë në vendvotime

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) u bën apel Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), komisioneve komunale zgjedhore dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme që të vazhdojnë të sigurojnë qasje të papenguar dhe kushte pune për gazetarët dhe punonjësit mediatikë në të gjitha vendvotimet. Informimi profesional, i saktë dhe në kohë i publikut për rrjedhën e procesit zgjedhor është thelbësor për besimin në zgjedhje, informon PressOnline.al
Deri te SHGM këtë mëngjes janë raportuar disa raste të pengimit të punës së ekipeve gazetareske:
Shkup: Komuna Karposh, (IM 2626) ndaj gazetares Elida Zulbeari ka pasur përpjekje për t’i marrë telefonin celular dhe sjellje të pahijshme nga zëvendëskryetari i komisionit, pas çka ka pasur ndërhyrje nga MPB, për çka do të kërkojmë nga KSHZ të ndërmarrë sanksione ndaj zyrtarit.
Ohër (IM 1270): Një ekipi nga televizioni publik iu pamundësua hyrja në orët e hershme të mëngjesit me arsyetimin se, përveç legjitimitetit gazetaresk, duhet të posedojë edhe “akreditim nga KSHZ”. Pas reagimit të kolegëve dhe ndërhyrjes në vendngjarje, hyrja u mundësua dhe puna vazhdoi.
Tetovë: Një gazetar u pengua të marrë deklaratë nga anëtarë të këshillit zgjedhor, me arsyetimin për “mungesë të akreditimit”.
SHGM apelon deri te KSHZ dhe MPB që menjëherë t’i njoftojnë të gjitha këshillat zgjedhore dhe personat zyrtarë se për gazetarët nuk kërkohet akreditim nga KSHZ, me qëllim të shmangen keqkuptime të reja gjatë ditës. Do të vazhdojmë t’i ndjekim rastet, të reagojmë institucionalisht dhe të informojmë për rezultatet.
Theksojmë se për gazetarët dhe punonjësit mediatikë në Maqedoni, përveç legjitimitetit gazetaresk nga mediumi për të cilin raportojnë, nuk kërkohet ndonjë akreditim i veçantë nga KSHZ për prani dhe raportim nga vendvotimet. Prandaj, këshillat zgjedhorë, zyrtarët policorë, vëzhguesit dhe/ose faktorë të tjerë nuk kanë bazë ta kushtëzojnë punën e tyre me leje shtesë. Njëkohësisht, SHGM bën thirrje për respektim të rregullave zgjedhore: gazetarët kanë të drejtë të xhirojnë ambientin e përgjithshëm dhe deklaratat, pa cenuar fshehtësinë e votimit dhe pa penguar zhvillimin e procesit.
I bëjmë thirrje këshillave zgjedhorë nga të gjitha vendvotimet:
-
të mundësojnë hyrje të papenguar për ekipet gazetareske me legjitimitet të dukshëm gazetaresk;
-
të lejojnë xhirime dhe deklarata në hapësirat ku kjo nuk rrezikon fshehtësinë e votimit;
-
në rast të keqkuptimeve, së pari të kërkojnë udhëzime nga KZK/KSHZ, në vend që të kufizojnë hyrjen.
I inkurajojmë edhe gazetarët, fotoreporterët dhe kameramanët:
-
gjithmonë të mbajnë legjitimitetin gazetaresk dhe të prezantohen nëse kërkohet;
-
të respektojnë udhëzimet e këshillit, kur ato kanë të bëjnë me fshehtësinë e votimit;
-
në rast të ndonjë pengese, menjëherë ta evidentojnë rastin (kohën, vendin, vendvotimin, personat) dhe të kontaktojnë SHGM-në.
Për ndihmë juridike dhe praktike, gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët mund t’u drejtohen koordinatorëve rajonalë të SHGM-së në Shtip, Strumicë, Bitola, Ohër, Tetovë dhe Kumanovë, si dhe kontakteve të SHGM-së në Shkup.
SHGM mbetet në dispozicion për çdo mbështetje që do të mundësojë raportim profesional, të sigurt dhe të papenguar nga vendvotimet.
Lajme nga vendi
MPB: 2 të arrestuar dhe 5 të thirrur, për blerje votash

Dy persona janë arrestuar, ndërsa pesë të tjerë janë thirrur në bisedë informative nga policia, në lidhje me veprën penale të blerjes së votave gjatë zgjedhjeve.
“Sot, rreth orës 09:00, në rrugën ‘Dabinqka’ në Prilep, zyrtarë policorë kanë privuar nga liria B.H. (72) dhe D.S. (36), të dy nga Krusheva, për shkak të dyshimit për përfshirje në veprën ‘blerje votash gjatë zgjedhjeve’. Në lidhje me të njëjtën ngjarje, në Stacionin Policor të Prilepit janë ftuar për bisedë informative edhe S.A. (28), M.A. (31), Sh.A. (40), D.A. (22) dhe Xh.A. (36), gjithashtu nga Krusheva me vendbanim në Prilep”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Gjithashtu, janë paraqitur disa denoncime për agjitacion gjatë procesit të votimit në disa vendvotime, por sipas autoriteteve, pas ndërmarrjes së masave të nevojshme, deri më tani nuk janë konfirmuar këto pretendime.
Lajme nga vendi
ODIHR: Vëzhguesit ndërkombëtarë monitorojnë gjithë procesin zgjedhor, jo vetëm ditën e votimit

Shefi i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it për zgjedhjet lokale në vend, Mateo Mekaci, deklaroi sot se vëzhguesit po monitorojnë të gjithë aspektet e lidhura me procesin zgjedhor. Ai theksoi se nuk është i rëndësishëm vetëm dita e zgjedhjeve, por edhe proceset parazgjedhore dhe ato që ndodhin pas ditës së votimit.
Gjatë vizitës në vendvotimin e Shkollës Fillore “Liria” në komunën e Çairit, Mekaci theksoi se Misioni përbëhet nga 250 vëzhgues ndërkombëtarë, të cilët mbikëqyrin procesin në të gjithë territorin e vendit.
“Ne jemi këtu si një mision ndërkombëtar vëzhgues për të monitoruar procesin zgjedhor dhe për të vlerësuar nëse gjithçka po zhvillohet sipas standardeve. Ky vendvotim që shihni pas nesh është një nga shumë vendvotime që po monitorojmë. Misioni ynë përbëhet nga rreth 250 vëzhgues ndërkombëtarë, të shpërndarë në të gjithë Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Mekaci.
Ai shtoi se misioni është vendosur shumë para ditës së zgjedhjeve, me 24 vëzhgues afatgjatë të shpërndarë në gjithë vendin, të cilët monitorojnë të gjithë procesin zgjedhor.
“Siç thamë, nuk është i rëndësishëm vetëm dita e votimit, por edhe proceset parazgjedhore dhe ato që ndodhin pas ditës së zgjedhjeve. Ne monitorojmë të gjithë aspektet që lidhen me zgjedhjet: regjistrimin e votuesve, fushatën zgjedhore, financimin e fushatës, qasjen në media, votimin gjatë ditës së zgjedhjeve, numërimin e votave dhe të tjera”, përfundoi Mekaci.