Lajme nga vendi
Mehmedoviq: Deri në fund të javës do të dihet nëse në RMV ka të infektuar me llojin “kraken”
Kështu ka theksuar zëdhënësi i Komisionit për Sëmundje Infektive, Zlate Mehmedoviq. Ai theksoi se deri në fund të javës do të dihet nëse ka të infektuar në vend.
“Deri në fund të javës do të ketë rezultate nga sekuenca e mostrave pozitive të Covid-19 dhe do të dihet nëse lloji i ri kraken është i pranishëm në vend”, tha Mehmedoviq në fjalimin për media.
Lajme nga vendi
Kurti mbërrin në Shkup për gurthemelin e autostradës Shkup–Bllacë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka mbërritur sot në Shkup, ku është pritur nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Kurti ndodhet në vend me rastin e ceremonisë së hedhjes së gurthemelit të autostradës Shkup–Bllacë, një projekt i rëndësishëm infrastrukturor që synon të përmirësojë lidhjen rrugore mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Në pritjen zyrtare, Kurti është takuar me Mickoskin dhe Gashin, ndërsa ceremonia e gurthemelit pritet të shënojë nisjen e një faze të rëndësishme për realizimin e projektit.
Autostrada Shkup–Bllacë konsiderohet një projekt me rëndësi strategjike për forcimin e lidhjeve infrastrukturore, ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve, si dhe për lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave.
Vizita e Kurtit në Shkup vjen në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa në fokus të saj është infrastruktura dhe përmirësimi i ndërlidhjes mes dy shteteve.
Lajme nga vendi
BDI: Gjuha e Stojançe Angellovit shkel mbi plagët e vitit 2001 dhe flet për një mendësi të rrezikshme
BDI në një postim në Facebook, thanë se: Deklarata e Stojançe Angellovit se “në vitin 2001 e sulmonim me tanke, ndërsa sot e mbrojmë me avionë”, duke iu referuar Nikushtakut dhe komunës së Likovës, është e papranueshme.
Reagimi i plotë:
Deklarata e Stojançe Angellovit se “në vitin 2001 e sulmonim me tanke, ndërsa sot e mbrojmë me avionë”, duke iu referuar Nikushtakut dhe komunës së Likovës, është e papranueshme. Në vitin 2001, tanket nuk sulmonin vetëm fshatra, sulmonin vendbanime dhe qytetarë të këtij shteti. Pas 25 vitesh, të flasësh për ato ngjarje me këtë gjuhë do të thotë të shkelësh mbi plagët që ende mbajnë familje dhe qytetarë të këtij vendi.
Kjo është gjuhë që nxit urrejtje dhe ndarje, por mbi të gjitha flet shumë për mendësinë e Stojançe Angellovit dhe të gjithë “Stojançeve” të tjerë që, edhe një çerek shekulli më vonë, vazhdojnë ta shohin Marrëveshjen Paqësore të Ohrit jo si themelin e paqes dhe të bashkëjetesës, por si kërcënim.
Pikërisht kjo mendësi e solli luftën e vitit 2001 dhe pikërisht këtë mendësi e mposhti Marrëveshja e Ohrit. Ajo i dha fund logjikës së tankeve dhe vendosi një rend të ri, ku shteti duhet t’i mbrojë të gjithë qytetarët e vet, pa dallim etnie, gjuhe apo vendbanimi, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sot është mirë që shteti e mbron Nikushtakun nga zjarret. Por do të ishte edhe më mirë që, 25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, të gjithë ta kuptonin se Nikushtaku, Likova, Tetova, Shkupi dhe çdo vendbanim tjetër janë njësoj pjesë e këtij shteti dhe qytetarët e tyre meritojnë mbrojtje, respekt dhe dinjitet të barabartë.
Ajo që duhet të shuhet njëherë e përgjithmonë nuk është vetëm zjarri në male, por edhe gjuha e urrejtjes dhe mendësia që ende i ndan qytetarët në “ne” dhe “ata”.
Marrëveshja e Ohrit nuk është kërcënim për Maqedoninë e Veriut. Ajo është garancia që tanket e së kaluarës të mos kthehen kurrë më mes qytetarëve të saj.
Lajme nga vendi
Shasivari: Nga Shkupi në botë: Gonxhe Bojaxhiu dhe mesazhi se humanizmi nuk njeh kufij
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, në 116-vjetorin e lindjes së Gonxhe Bojaxhiut, kujton figurën e saj dhe vlerat universale që ajo përfaqëson.
Kujtimi i Gonxhe Bojaxhiut, sipas Shasivarit, është një mundësi për të rikujtuar se humanizmi, dinjiteti dhe solidariteti janë vlera universale që i bashkojnë njerëzit përtej çdo kufiri.


