Lajme nga vendi
Spasovski: Të gjithë që janë të përfshirë në krim do të mbajnë përgjegjësi
“Të gjithë ata që janë të përfshirë në krim do të mbajnë përgjegjësi për çdo gjë që bëjnë, dhe policia e Maqedonisë është këtu dhe fuqishëm do të qëndrojë në margjinat e sigurisë”.
Këtë e tha ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski. Ndërsa lidhur me vrasjen e dyfishtë në Shkup, Spasovski tha se është e mundur që të bëhet fjalë për konfrontim brenda strukturës kriminale ose me grupe të tjera kriminale, të cilat do të duhet të konstatohen nga hetimi.
“Po kryejmë një aktivitet të gjerë operacional, të quajtur “Qyteti i sigurt” dhe ai aktivitet ka për qëllim pikërisht struktura të tilla kriminale. Gjithçka që ndërmarrim, marrim përsipër të parandalojmë reketimin, kërcënimet, shantazhet dhe shitjen e lëndëve narkotike dhe armëve në të gjithë qytetin. Për hir të qytetarëve, për hir të të gjithë atyre që meritojnë paqe dhe qetësi, policia vazhdon me aktivitetin e saj operativ”, tha Spasovski.
Ministri tha se mbështetësit e strukturave kriminale në të gjitha sferat e jetës shoqërore janë gjithnjë e më të zhgënjyer sepse policia nuk do të lejojë që dikush të amnistohet për krimin që ka bërë.
Lajme nga vendi
PROTESTAT KUNDËR “SAFE CITY”: PROTESTUESI KËRKON FALJE PUBLIKE!
Personat që kanë protestuar nëpër shumë qytete të vendit, pasi policia ua kishte konfiskuar automjetet për shkak të mospasjes së lejeve të vozitjeve, do të ndiqen për shkaktimin e urrejtjes dhe organizimit të rezistencës, ka njoftuar Prokuroria Publike.
Ndërkohë, Rafet Memishovski, një ndër romët që kishte protestuar në Manastir dhe ishte kërcënuar me rrahje dhe vrasje, publikisht i ka kërkuar falje kreut shtetëror.
Një një video-mesazh të xhiruar në ambient shtëpiak, të publikuar nga “Roma Pres”, Memishovski tha se kishte bërë gabime dhe se kjo nuk do të përsëritet.
RAFET MEMISHOVSKI – PROTESTUES NË MANASTIR
“I kërkoj falje gjithë Qeverisë dhe Ministrisë, Presidentit, që bëra gabimin dhe që u kërcënova. Kjo nuk do të poërsëritet. Isha I nervozura për shkak se kushëririt ia morën veturën dhe të gjithë ishim të stresuar dhe protestuam. Nuk do të kërcënohemi më”
Ditëve të kaluara romët në Manastir, Shtip dhe Prilep disa herë protestuan duke bllokuar rrugë dhe duke ndezuar zjarre. Ata kërkojnë që të shfuqizohen ndryshimet ligjore për marrjen e automjetit për shkak të mospasjes së patent shoferit.
Kryeministri Hristijan Mickoski pas protestave deklaroi se e kishte urdhëruar Ministrin e Brendshëm, Pançe Toshkovski, që policia ashpër t`u përgjigjet ngjarjeve të këtilla të jashtëligjshme.
Gjatë protestave romët pohuan se nuk kanë mundësi të pajisen me leje të vozitjeve për shkak të kushteve financiare por edhe mungesës së shkollimit.
Por, Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, deklaroi se fëmijët romë regjistrohen në shkollë dhe nuk ndjekin mësimet.
Sipas saj, Ministria e Arsimit dhe Shkencës punëson dhe paguan rreth 40 ndërmjetës romë për të rritur përfshirjen e fëmijëve romë në shkolla, por për fat të keq, ata nuk ndjekin mësimet.
Protestat e romëve shkaktuan edhe përplasje politike. Derisa VMRO-DPMNE akuzon LSDM-në se qëndron pas protestave kundër ligjeve të reja në komunikacion, socialdemokratët thonmë se nuk janë kundër dënimeve, por kërkojnë zgjidhje për qytetarët që nuk kanë mundësi të japin provimin për patent shofer.
Lajme nga vendi
BDI: Ministri i Drejtësisë po cenon rendin kushtetues dhe barazinë gjuhësore me përgjigjen e tij ndaj peticionit të studentëve
Bashkimi Demokratik për Integrim në një kumtesë për media dënon qëndrimin dhe deklarimet të ministrit të Drejtësisë, në lidhje me kërkesën e studentëve të juridikut, që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Nga BDI thonë se “në mënyrë brutale dhe të papranueshme, ministri ka injoruar kërkesat legjitime juridike të studentëve shqiptarë për mbajtjen e provimit tëjurisprudencës në gjuhën shqipe, një e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe ligj”.
“Ky veprim përbën precedent të rrezikshëm institucional, ku Ministri i Drejtësisë vendos veten mbi Kushtetutën, mbi ligjin, mbi Qeverinë dhe mbi çdo institucion tjetër të vendit, duke cenuar rëndë parimet e shtetit të së drejtës. BDI vlerëson se kjo qasje jo vetëm që cenon barazinë gjuhësore dhe juridike, por godet drejtpërdrejt themelet e rendit kushtetues dhe bashkëjetesës ndëretnike”.
“Bashkimi Demokratik për Integrim i bën thirrje Qeverisë që të mos lejojë Ministrin e Drejtësisë të vendoset mbi ligjet dhe mbi Kushtetutën, portë ndërmarrë masa konkrete për t’u mundësuar studentëve shqiptarë mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, gjuhë në të cilën kanë kryer studimet dhe gjuhë që është zyrtare sipas rendit kushtetues të shtetit”.
“Rikujtojmë se pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, gjatë qeverisjes së kaluar, ishte përgatitur një zgjidhje ligjore që e mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, por shumica aktuale qeveritare e hoqi atë nga procedura e miratimit, pa asnjë shpjegim plotësues, duke mos e rikthyer asnjëherë më për miratim”, thonë nga BDI.
Lajme nga vendi
Mijëra euro të falsifikuara dhe municion luftarak, arrestohet 19-vjeçari, iu sekuestrua edhe një makinë e vjedhur
Një 19-vjeçar është arrestuar nga policia e Shkodrës, pasi në banesën e tij u gjetën 164 300 euro të dyshuara të falsifikuara, municion luftarak, 8 celularë, një sasi lënde djegëse, 1 automjet dhe 2 targa të dyshuara të vjedhura.
Në kuadër të operacionit të koduar “Livadhet 3” u vu në pranga i riu, shtetasi Ornaldo Çerenishta.
Policia thotë se makina dyshohet se është vjedhur në qytetin e Fushë Krujës, në vitin 2019, dhe 2 targa të dyshuara të vjedhura në qytetin e Tiranës, në vitin 2025.
Ndërkohë policia vijon puna intensive për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasit të arrestuar.
Vihet në pranga një 19-vjeçar.
Sekuestrohen nga banesa e tij, 164 300 euro të dyshuara të falsifikuara, municion luftarak, 8 celularë, një sasi lënde djegëse, 1 automjet dhe 2 targa të dyshuara të vjedhura.
Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë, ne bashkepunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe Komisariatin e Policisë Shkodër, me mbështetjen e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, si rezultat i kontrolleve të kryera në zbatim të vendimit të Gjykatës Shkodrër, finalizuan operacionin e koduar “Livadhet 3”.
Në kuadër të operacionit u vu në pranga shtetasi: Ornaldo Çerenishta, 19 vjeç, banues në Shkodër.
Gjatë kontrollit të kryer në zbatim të vendimit të Gjykatës, në banesat e disa shtetasve që dyshohen për veprat penale “Vjedhja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, lidhur dhe me dy operacione të zhvilluara më parë, të koduara “Lvadhet 1” dhe “ Livadhet 2 “, shërbimet e Policisë gjetën në banesën e 19-vjeçarit dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 164 300 euro të dyshuara të falsifikuara, municion luftarak, 8 celularë, një sasi lënde djegëse, 1 automjet që dyshohet se është vjedhur në qytetin e Fushë Krujës, në vitin 2019, dhe 2 targa të dyshuara të vjedhura në qytetin e Tiranës, në vitin 2025.
Vijon puna intensive për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasit të arrestuar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.

