Connect with us

Lajme nga vendi

Nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët me kërkesat e tyre para MASH – maturë më të lehtë shtetërore dhe standard më të mirë studentor

Published

on

Organizata për dialog dhe afirmim të nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve (ODAS) sot para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës organizon protestë paralajmëruese për ta aktualizuar kërkesën e tyre për lehtësim të maturës shtetërore. Protestës do t’i bashkangjitet edhe lëvizja “Rezistenca studentore” prej ku njoftuan se do ta shprehin revoltën e tyre sepse institucionet, siç thonë, nuk dëgjojnë për kërkesat shumëmuajshe të studentëve.

ODAS kumtoi se qëllimi i protestës është të theksohet vlera e qëndrimeve të tyre në lidhje me maturën shtetërore dhe të përshpejtohet sjellja e vendimeve adekuate. Ata nga Qeveria dhe Kuvendi kërkuan që gjenerata e sivjetme e maturantëve të kenë vëllim të shkurtuar të materialit për provimin përfundimtar ose të zvogëlohet numri i provimeve interne.

Kryetarja e ODAS, Anisija Ugrinovska, për MIA-n tha se kjo gjeneratë e maturantëve janë më të dëmtuar dhe se nuk kanë pasur një vit të plotë shkollor të pandërprerë në arsimin e tyre të mesëm katër vjeçar.

“Kërkojmë zvogëlimin e vëllimit të materialit të parashikuar për dhënien e provimit të maturës ose shkurtimin e një lënde interne. Kjo i detyrohet dy faktorëve më të mëdhenj në katër vitet e fundit – ishim të përfshirë me krizën e koronës dhe kishim një vit e gjysmë mësim onlajn dhe alarmet për bomba. Në ndërkohë kishte edhe faktorë tjerë”, tha Ugrinovska, e cila theksoi edhe se problemi i tyre kërkon zgjidhje të shpejtë sepse dhënia e maturës shtetërore fillon më 27 maj.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri të martën deklaroi se për këtë kërkesë duhet të shqyrtohet nëse dhe çka lejon ligji të ndryshohet në këtë periudhë për organizimin e maturës shtetërore. Paralajmëroi se javën e ardhshme do të mbajë mbledhje me drejtoreshën e Qendrës Shtetërore për Provime (QSHP) që edhe njëherë, tha “ta njoftojmë opinionin se cilat janë materialet dhe çka është parashikuar në to”, dhe kërkesa e nxënësve të shqyrtohet së bashku me Lidhjen e nxënësve të shkollave të mesme me të cilin, siç tha, ka komunikim të përditshëm.

Advertisement

Shaqiri theksoi se për të është e rëndësishme ajo që nga matura shtetërore varen shumë procese tjera gjegjësisht regjistrimi i nxënësve që përfundojnë arsimin e mesëm në institucionet e arsimit të lartë në vend dhe në vende të huaja.

Lidhja e nxënësve të shkollave të mesme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, siç tha para tre ditësh kryetari i saj Luka Paviqeviq, për një deri në dy javë do të ketë mbledhje të Kuvendit të Përgjithshëm që të shprehet për çështjen rreth dhënies së maturës shtetërore.

Në njoftimin për t’iu bashkuar protestës së nxënësve të shkollave të mesme, Lëvizja “Rezistenca Studentore”, nga ana tjetër, deklaroi se “është koha që studenti të luftojë për të drejtat e tij dhe të shprehë revoltën në rrugë, kur institucionet nuk dëgjojnë kërkesat shumëmujore të studentëve”.

Pas protestës që e organizoi në nëntor të vitit të kaluar “Rezistenca studentore” reagoi se “nuk është realizuar asgjë nga ajo që u është premtuar studentëve nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Qeveria”.

Advertisement
Advertisement

Lajme nga vendi

“FOL SHQIP O TAJ”

Published

on

“FOL SHQIP O TAJ”. Kjo është nisma e fundit e inicuar nga Ambasadori I Shqipërisë më Shkup, Denion Meidani, pas problemit që hasën studentët shqiptarë për provimin e jurispodencës në gjuhën shqipe. Nisma ka ngjallur reagime në opinion, ndërsa pritet të shihet nëse institucionet përkatëse do të marrin masa konkrete për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali tha se Ligji për Provimin e Jurisprudencës që është aktiv që nga muaji janar i vitit 2020, ka defekt pasi nuk e precizon se në cilën gjuhë duhet të jepet provimi. Sali tha se mbështesin kërkesën e studentëve shqiptarë të juridikut, që provimi të mund të realizohet edhe në gjuhën shqipe.

“Këtë defekt do të mundohemi që ne tash ta përmirësojmë apo ta precizojmë, për arsye se Ministria e Drejtësisë siç nuk është e gatshme të respektojë Kushtetutën e vendit, e cila nënkupton gjithçka që gjithçka që është mbi 20 për qind e popullsisë në vendin tonë duhet të respektohet gjuha amtare, që nënkupton që gjuha shqipe duhet të jetë zyrtare dhe është e drejtë e çdo juristi apo të diplomuari që provimin e jurisprudencës ta japë në gjuhën amtare të tij, në gjuhën shqipe. Këtu duhet ta përsëris edhe njëherë qëndrimin e VLEN-it se jemi pro kësaj kërkese”, deklaroi Sali.

Avokati i Popullit ka konfirmuar se kanë hapur procedurë lidhur me provimin e jurisprudencës i cili nuk ofrohet në gjuhën shqipe, por vetëm në maqedonisht. Ndonëse nuk ka të dorëzuar ndonjë nismë konkrete deri te Zyra e Avokatit të Popullit, Faton Selami ftoi qytetarët të cilëve u është shkelur kjo e drejtë që të njëjtën ta paraqesin.

“Çdo qytetar që konsideron se i është shkelur një e drejtë e garantuar me Kushtetutë apo ligj, ka të drejtë të iniciojë procedurë pranë Avokatit të Popullit duke paraqitur parashtresë. Megjithatë, Zyra e Avokatit të Popullit, deri më tani, nuk ka regjistruar parashtresë që lidhen drejtpërdrejt me çështjen. Avokati i Popullit nuk do të kufizohet vetëm në pritjen e parashtresave individuale. Në përputhje me kompetencat e përcaktuara me Ligjin për Avokatin e Popullit, do të inicioj menjëherë procedurë me vetëiniciativë për shqyrtimin e kësaj çështjeje. Në këtë kuadër, do të realizohet një analizë e dispozitave të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, si dhe e veprimeve të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me zbatimin e këtij ligji në organizimin dhe zhvillimin e provimit të jurisprudencës”, tha Avokati i popullit, Faton Selami.

Advertisement

 Nga BDI thonë se “në mënyrë brutale dhe të papranueshme, ministri ka injoruar kërkesat legjitime juridike të studentëve shqiptarë për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, një e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe ligj”.

“Ky veprim përbën precedent të rrezikshëm institucional, ku Ministri i Drejtësisë vendos veten mbi Kushtetutën, mbi ligjin, mbi Qeverinë dhe mbi çdo institucion tjetër të vendit, duke cenuar rëndë parimet e shtetit të së drejtës. BDI vlerëson se kjo qasje jo vetëm që cenon barazinë gjuhësore dhe juridike, por godet drejtpërdrejt themelet e rendit kushtetues dhe bashkëjetesës ndëretnike, Bashkimi Demokratik për Integrim i bën thirrje Qeverisë që të mos lejojë Ministrin e Drejtësisë të vendoset mbi ligjet dhe mbi Kushtetutën, por të ndërmarrë masa konkrete për t’u mundësuar studentëve shqiptarë mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, gjuhë në të cilën kanë kryer studimet dhe gjuhë që është zyrtare sipas rendit kushtetues të shtetit” thonë nga BDI.

Së fundmi edhe Ishministri i Arsimit në Kosovë, Arsim Bajrami ka reaguar duke thënë se institucionet në Maqedoni po ndërmarrin hapa anti-kushtetues me mos pranimin e kërkesës së studentëve shqiptarë për provim në gjuhën amëtare. TV KOHA

Continue Reading

Lajme nga vendi

HETIM PËR KEQPËRDORIM TË KANABISIT MJEKËSOR

Published

on

 Ministria e brendshme në Maqedoni ka zhvilluar një aksion në të cilin janë konfiskuar 27 tonë marihuanë, të lidhura me një rast të mëparshëm kontrabande drejt Serbisë. Hetimi është fokusuar në keqpërdorimin e licencave për kanabis mjekësor nga kompania “Alfafarm”, duke hapur çështjen e mangësive sistemike në kontrollin e këtij sektori biznesi. Aktivitetet u përqendruan në dy lokacione kyçe: në Shkup, në rrethin e ish-fabrikës OHIS, ku u gjetën rreth 10 tonë drogë të magazinuara në objekte të një firme private, dhe në rajonin e Strumicës, ku në një aksion paralel u konfiskuan edhe 18 tonë të tjera marihuanë. Ky aksion i koordinuar përfshiu dhjetëra automjete policore, kamionë dhe njësi speciale; në terren mbështetje logjistike ofroi edhe Drejtoria e Doganave, ndërsa ekipe mjekësore ishin të pranishme për asistencë gjatë përpunimit të materialeve.

I pyetur për aksionin e Policisë që ka rezultuar me sekuestrimin e tonelatave me marihuanë në Shkup dhe Strumicë, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu tha se nuk është kompetencë e MSH-së se si kompanitë legale për prodhim të marihuanës mjekësore, kanë arritur që ta nxjerrin drogën jashtë objektit. Aliu tha se MSH ka dhënë 60 leje për këtë veprimtari, ndërsa 18 prej tyre janë marrë për shkak se kompanitë nuk i kanë plotësuar kushtet e nevojshme.

“Deri tani kemi dhënë 60 leje, prej atyre 18 janë marrë për shkak se nuk është…nuk i kanë plotësuar kushtet minimale që duhet t’i ketë një prodhues i tillë. Gjithashtu në bazë të ligjit dhe protokolleve, dy herë në 6 muaj, dmth në çdo 3 muaj duhet të japin raport të rregullt, ndërsa raport nëse ka ndonjë ndryshim do të duhet të jepen në kohë reale. Të gjitha dokumentet janë pjesë e Ministrisë dhe pjesë e Arkivës sonë, pra ne gjithashtu ndjekim në formë të Inspektoratit në formë të rregullt si program vjetor, edhe si program ad hock nëse do të ketë nevojë. Pjesa tjetër nuk është në ingirencë të Ministrisë, por është në ingirencë të MPB-së. Pra në pjesën tjetër ku janë kapur dhe pse kanë dalur jashtë objektit, nuk është që MSH duhet dhe mund ta ndjek”, theksoi Aliu

Nga ana tjetër LSDM-ja opozitare përmes një kumtesë për media thotë se ende nuk ka përgjigje se si kaluan 5 ton drogë në kufirin e Maqedonisë dhe përfunduan në Serbi. Nga kjo parti thonë se është e qartë se pa mbështetjen e strukturave në qeveri, Ministrinë e Brendshme, Doganat, është e pamundur që 5 ton drogë të kontrabandohen përtej kufirit.

“LSDM ka ngritur alarmin prej ditësh për lidhjen midis strukturave kriminale në Maqedoni dhe Serbi. Qeveria hesht, ashtu siç hesht për fotografitë e Mickoskit me kriminelin Sime. Tani qytetarët po shikojnë një fushatë mediatike me sekuestrime kanabisi dhe përpjekje të qeverisë për të shpërqendruar nga pyetja kryesore: kush lejoi që 5 ton drogë të kalonin kufirin? Kjo është një farsë e madhe dhe nëse bëhet fjalë për kanabis të ligjshëm, atëherë mund të hapet një problem i ri. Cilat janë faktet? Baza ligjore për prodhimin e kanabisit mjekësor në Maqedoni u krijua nga VMRO-DPMNE dhe Nikola Gruevski me ndryshimet në Ligj më 9 shkurt 2016. Licenca e parë për kultivimin e kanabisit mjekësor në Maqedoni u lëshua në shkurt 2017 gjatë periudhës së VMRO-së”, thonë nga LSDM.

Advertisement

Në qendër të hetimit është kompania “Alfafarm” SHPK Shkup, kompani e regjistruar në vitin 2023 me kapital themeltar prej rreth 529.000 eurosh. Megjithëse firma posedonte licencë për kultivimin dhe përpunimin e bimëve për përdorim farmaceutik, të lëshuar në vitin 2024, hetuesit dyshojnë se sasi të mëdha të prodhimit kanë përfunduar në tregun e zi, në vend që të shpërndaheshin përmes kanaleve legale mjekësore. Analiza e të dhënave nga Regjistri Qendror tregon ndryshime të dyshimta në strukturën pronësore të Alfafarm vetëm disa ditë para zbulimit të dërgesave ilegale në Serbinë fqinje. Më 29 janar 2026, pranë fshatit Konjuh afër Krushevcit në Serbi, u konfiskuan 5 tonë marihuanë me vlerë të vlerësuar mes 7 dhe 10 milionë eurosh. Droga ishte transportuar nën maskën e eksportit të kastravecëve (kornishonëve), ndërsa mes të arrestuarve në Serbi ndodhet edhe një nga pronarët e Alfafarm SHPK Shkup. Autoritetet dhe mediat serbe në Beograd konfirmuan se dërgesa kishte origjinë nga territori i Maqedonisë, çka nxiti një shkëmbim intensiv informacioni mes dy shteteve përmes Prokurorisë. Ky kanal tranziti kishte qenë objekt i një hetimi disa mujor, i cili kulmoi me zbulimin e magazinave në Shkup dhe Strumicë. TV KOHA

Continue Reading

Lajme nga vendi

Denion Meidani; Takim i veçantë me përfaqësueset e Grupit të Grave “Teuta” në Tetovë

Published

on

U prita me shumë ngrohtësi e këngë shqiptare nga gra të jashtëzakonshme, që prej vitesh japin kontribut të çmuar në fuqizimin e gruas shqiptare, ruajtjen e identitetit kulturor dhe ndërtimin e solidaritetit në komunitet.
“Teuta” spikat edhe me aktivitete të pasura kulturore dhe artistike, që i japin zë krijimtarisë, trashëgimisë dhe shpirtit qytetar.
Biseduam për misionin e tyre, për sfidat, por edhe për energjinë pozitive që sjell angazhimi qytetar; një shembull frymëzues se si përkushtimi, kultura dhe humanizmi ecin dorë për dore.
Respekt i veçantë për punën shumëvjeçare dhe për rolin e tyre në forcimin e shoqërisë civile. Takime të tilla të japin shpresë dhe të kujtojnë se ndryshimi nis gjithmonë nga njerëzit.

Continue Reading

Më të lexuarat