Lajme nga vendi
Arbër Ademi, përfaqësues i BDI-së në grupin punues për ndryshime kushtetuese
Deputeti Arbër Ademi do të jetë përfaqësues i Bashkimit Demokratik për Integrim në grupin punues të Ministrisë së Drejtësisë për ndryshime kushtetuese.
Sonte në mesnatë skadon afati që partitë dhe institucionet parlamentare të propozojnë përfaqësuesit e tyre në grupin punues për ndryshimet kushtetuese.
Ministria e Drejtësisë do të shpallë nesër përbërjen e grupit punues për ndryshimet në Kushtetutë. Afati i dhënë nga Ministria e Drejtësisë për institucionet dhe partitë politike në shkresën për të emëruar përfaqësuesin e tyre në grupin e punës skadon në mesnatë. Sipas informacioneve të fundit, grupi punues duhet të ketë nga gjashtë deri në tetë ekspertë. Partitë politike dhe institucione të caktuara publike tashmë kanë bërë të ditur emrat e personave që do t’i përfaqësojnë.
LSDM sot në një konferencë për shtyp njoftoi se në grupin punues do të përfaqësohen nga Cvetanka Ivanova, sekretare aktuale e përgjithshme e Kuvendit dhe ish-deputete. Aleanca për Shqiptarët njoftoi se përfaqësues i partisë në grupin punues për ndryshime kushtetuese do të jetë deputeti Remzi Mehmedi. Sipas informacioneve përfaqësues të tij në grupin ka emëruar edhe Besa.
VMRO-DPMNE, Altenativa, e Majta, PSM dhe Lidhja Demokratike njoftuan këtë fundjavë se nuk do të marrin pjesë në grupin punues.
Në opinion janë bërë të ditur emrat e ekspertëve, por për momentin nuk ka informacion zyrtar se cili prej tyre do të jetë pjesë e këtij grupi punues. Nga Ministria e Drejtësisë thonë se nuk do të shpallin emra deri në skadimin e afatit, sonte në mesnatë.
Në letrën e Ministrisë së Drejtësisë është përgjigjur i pari presidenti Stevo Pendarovski, i cili konfirmoi se përfaqësues i tij në grupin punues për ndryshimin e Kushtetutës do të jetë profesori i Fakultetit Juridik, Aleksandar Spasov, i cili është këshilltar i tij juridik, ndërsa zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, tha se SÇE do të marrë pjesë aktive në grupin punues dhe se emri i përfaqësuesit që do të përfshihet në grupin punues do të përcaktohet dhe do të shpallet më së voni deri të hënën. Në grupin punues, ekspertët e saj duhet t’i emërojë edhe Ministria e Punëve të Jashtme.
Lajme nga vendi
Gjykatësi Sadulla Izairi u zgjodh anëtar i Këshillit Gjyqësor Republika, doli më i votuari
Gjykatësi Sadulla Izairi në Gjykatën e Tetovës mori numrin më të madh të votave në zgjedhjet për anëtar të Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjyqtarëve që u përkasin bashkësive etnike që përbëjnë mbi 20 për qind të popullsisë në shtet, përcjell INA.
Votimi për këtë vend vakant u zhvillua dje në të gjitha gjykatat në Maqedoninë e Veriut, nga ora 8:00 deri në 15:00, ndërsa Izairi mori 179 vota nga gjithsej 390 gjyqtarë që morën pjesë në votim.
Rezultatet preliminare të zgjedhjeve u shpallën dje në orët e pasdites nga Komisioni për zbatimin e zgjedhjeve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor.
– Numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në Listën zgjedhore ishte 418, prej të cilëve votuan 390, apo 93 për qind e votuesve. Janë evidentuar gjithsej 12 fletëvotime të pavlefshme – deklaroi kryetari i Komisionit, gjyqtari Osman Shabani.
Për këtë pozitë kishin aplikuar gjithsej gjashtë gjyqtarë:
Afrim Jakupi, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Gostivar;
Ulber Hasani, gjyqtar në Gjykatën Themelore Civile Shkup;
Hasan Asani, gjyqtar dhe kryetar i Gjykatës Themelore Tetovë;
Xhemali Saiti, gjyqtar në Gjykatën Supreme;
dhe Shpresa Grainca-Osmani, gjyqtare në Gjykatën Themelore Penale Shkup.
Izairi është gjykatës nga viti 2008 në Gjykatën e Tetovës, ndërsa para kësaj ka qenë drejtor i Postave të Maqedonisë. (INA)
Lajme nga vendi
Albi Qamili zgjidhet kryetar i komisionit për ndërrimin e emrave të rrugëve në Tetovë
Në seancën e këshillit komunal të Tetovës, me 27 vota për, zv.kryetari i komunës së Tetovës Albi Qamili u zgjodh kryetar i Komisionit për ndërrimin e emrave të rrugëve në Tetovë.
Grupi i punës do të vazhdojë me procedurën, nga aty ku është ndërprerë puna e Grupit paraprak të punës për riemërimin e rrugëve në komunën e Tetovës.
Lajme nga vendi
Ndërtimi i autostradës Tetovë Gostivar në kuadër të korridorit 8 ka ngritur një shqetësim tek banorët në territorin e Komunës së Bogovinës
Ndërtimi i autostradës Tetovë Gostivar në kuadër të korridorit 8 ka ngritur një shqetësim tek banorët që jetojnë në territorin e Komunës së Bogovinës.Bëhet fjalë për qasjen në austostradë të banorëve të fshatrave të kësaj komune. Sipas informacioneve të deritanishme nga Tetova deri në Gostivar do të ketë vetëm një kyçje kryesore edhe atë në fshatin Pirok mes territorit të komunës së Bogovinës dhe Vrapçishtit.Ndërsa, pothuajse të gjithë fshatrat do të kenë qasje në rrugën ndihmëse e cila do të lidhet me korridorin.Këto shqetësime të këtyre banorëve janë shprehur edhe në takimin e fundit të kryetarit të Komunës së Bogovinës Feti Abazi me përfaqësues të Bechtel Enka. Kryetari Abazi thotë se në këtë takim janë marrë informacione lidhur me projektin por pritet që të ketë edhe takime tjera. Krahas kësaj është kërkuar infrastrukturë edhe për bujqit që janë në pjesën e poshtme të korridorit.“Nga takimi që kishim, ne u furnizuam me disa informacione. Tani, nga takimi arritëm në përfundim se secili vendbanim do të ketë qasje në rrugën ndihmëse për në autostradë. Rrugë e cila do të ketë qasje direkte në korridorin 8 do të jetë në fshatin Pirok, ku edhe është kufiri ndërmjet Komunës së Bogovinës dhe Komunës së Vrapçishtit, ndërsa të gjithë fshatrat do të ketë qasje por përmes rrugës ndihmëse. Ne parashtruam kërkesa dhe do keto kërkesa do të dorëzohen edhe zyrtarisht” thotë kryetarit të Komunës së Bogovinës Feti Abazi.Ndërkaq, kërkesa e kahmotshme e banorëve të fshatit Zherovjan për nënkalimin mbetet çështje për diskutim, pohon kryetari Abazi. “Ne kemi kërkuar që të bëhet edhe drenazhimi i autostradës sepse kemi fshatin Zherovjan që ndodhet poshtë autostradës dhe aty kemi nënkalim. Poashtu, e kemi fshatin Sedllarcë që ndodhet shumë afër austostradës, ndërsa pronat bujqësore i kanë poshtë autostradës, ku ka edhe ferma të cilët faktikisht duhet të kenë edhe rrymë dhe infrastrukturë tjetër përcjellëse, që mos kemi probleme ndërkohë. Për Zherovjanin kemi kërkuar nënkalim me të gjitha parametrat dhe një trotuar për lëvizje të banorëve” thotë kryetari Abazi. Problem tjetër sipas tij janë edhe shpronësimet pasi që toka që u është marrë qytetarëve nuk u paguhet mirë. “Është fakt se banorët tonë janë të dëmtuar me kompenzimin e pronës.Shpresoj se do të ketë mirëkuptim, qytetarëve u bëj apel që të bëjnë ankimime dhe sa do të pranohen ankesat e tyre unë nuk e di, por do të jem në krah të qytetarëve”, tha kryetari Abazi. Edhe pse për këtë pjesë kryetari Abazi thotë komunat nuk kanë komptenca, por nënvzon se do të përkrah banorët.

