Lajme nga vendi
Frontex/ Grubi: Bashkëpunim që rrit sigurinë dhe parandalon aktivitetet e paligjshme
Me ceremoni solemne është shënuar fillimi i Operacionit të përbashkët FRONTEX në Maqedoninë e Veriut.
Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi i cili ishte e pranishëm në ngjarjen e sotme, përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në Facebook shkruan se Maqedonia e Veriut tashmë ka një mbështetje më të madhe operative kufitare.
Grubi më tej ka bërë të ditur se Operacioni i përbashkët me FRONTEX do të zgjasë deri më 24 janar të vitit 2024.
Statusi i plotë:
Bashkë me Kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ministrin e punëve të brendshme Oliver Spasovski, zëvendësministrin Nazim Bushi, drejtorin ekzekutiv të FRONTEX, Hans Leijtens, ambasadorin e BE-së, David Geer dhe anëtaren e Parlamentit Evropian, znj. Lena Düpont shënuam solemnisht fillimin e realizimit të marrëveshjes për operacionin e përbashkët me Agjencionin Europian për mbrojtje kufitare dhe bregdetare FRONTEKS.
Vendi ynë nga sot do të ketë mbështetje të madhe operative në menaxhimin e migracionit, parandalimin dhe zbulimin e krimit ndërkufitar. Ky bashkëpunim është mundësi e jashtëzakonshme për përforcimin e mekanizmave shtetërore në luftën kundër krimit dhe korrupcionit.
Mbështetja europiane e kapaciteteve tona operacionale përmes FRONTEX do të zgjasë deri më 24 janar të vitit 2024 me mundësi për zgjatjen e bashkëpunimit.
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

